Si jeni bijtë e babës, a ju mungojnë drekat, deti, jeta e natës…

BIJTË E BABËS NË KOHËN E KORONËS

Nga Arlind Farizi

Si jeni bijtë e babës, a po ju rrihet në shtëpi? A keni frikë koronën a jo? A jeni ngushtë? Mendoj ngushtë siç janë ata (numri shumës, rasa dhanore – sepse ua dha votën), që babai juaj i la ngushtë, sapo mori mandatin i harroi. Po i harroi, po ai babai juaj, hajduti serik, mashtruesi kombit me përmasa oborri, i pushtetshmi, i madhi…
Si po e përjetoni fjalën ngushtë? Po ato që ishin ngushtë një jetë, gjatë tri mandateve të babës tuaj, ngushtë e në rresht, duke prit rilindje, ngushtë me idenë se mos po na kthehen hapësirat e zaptueme, të drejtat e vjedhura ndër sy, diskriminimet në baza klanore dhe të dukshme prej n’hava, mos do pushojnë thashethemet…, se shpifjen se je ka ana tjetër e dimë se e keni formulë për moszgjidhjen e çështjeve.
Si jeni bijtë e babës, a ju mungojnë darkat e drekat, restoranteve të prenotuara paraprakisht, malet me mish, gota e viskyet, sallatat dhe omletet… po ato tri këmishat Gucci, të mbetën pa veshur, parfumi në qese dhurate të mbeti në veturë, s’arrite të mashtroje ndonjë të mitur për ta futur tinëz në veturën me xhama të zi, të blerë me paratë e babës hajdut.
A ju mungojnë deti e liqeni, shëtitjet, koronat dhe tangot në numrin shumës?
A ju mungon jeta e natës, qerasjet deri në zbrazje kulete, madje dhe hyrje në borxh dhe krenaritë triumfaliste prej gjeli, “mi paguan baba”?
A ju mungojnë, kërcënimet e tipit “a di djali kujt jam”, a keni nxjerr ndonjë prej pune, a keni marrë ndonjë notë me sms duke u thirrë po në emër të babës, a keni shantazhuar dike?…
Ju, bijtë e babës, babës me fat politik, si ndjeheni, a jeni ngushtë, a keni frikë ndopak nga ky virus picirruk, që ju “msheli” në shtëpi, por fjalën “mshelje” do e kuptoni pak më vonë… Deri në të trokiturën e radhës të policisë së krimit…
Si ndjeheni, kur katër mure të betonta ju rrethojnë a po u bëjnë like shoqet e shokët, dëgjoj se ju ka rra autoriteti, si gigat e një lidhjeje të dobët interneti në fundmuaji. Juve s’u vjen fundi kollaj, e di!
Friendsat’ nuk u varin apo, nuk u duheni, s’kanë interes më, apo, se nga brenda shtëpisë nuk arrini dot të shitni çallëm – jashtë shtëpisë është jeta juaj, brenda jeni vetmitarë.
Si jeni me shëndet Ju bijtë e babës, a sëmureni, a e bleni shëndetin po më ata para e pista të babës tuaj hajdut.
A keni frikën koronën, ju bijtë e babës me fat politik?
Apo jeni të siguruar se ky virus qorr gjuan pa gabime vetëm fukarenjtë. Vazhdoni, jetoni, shijoni këtë luks jetë brenda shtëpisë së ndërtuar me vjedhje, me betonin e firmës së zënë peng nga shteti, me dritaret e vendosur në këmbim të ndonjë punësimit, me parketin bambusë e të shtrenjtë por të paguar lirë sepse ndoshta I duhesh për ndonjë heqje dënimi, me orenditë e bëra dhurata nga shokët e babës, më kartelat e kreditit të babës që ia dha shteti për punë jo për ti blerë orendi shtëpisë.
Vazhdoni jetoni si tillë, po frigoriferit tuaj a mund t’i bëj një revizion.
Hani, pini, rrëmbyer kishit hisen e tjetrit, fukarasë, njeriut të thjeshtë, votuesit tuaj.
Si jeni, bijtë e babës, a dilni ndonjëherë në ballkon, ja nesër është vikend të lutem dilni, dilni dëgjoni, ato thirrje shituese të heshtjes së qytetit në karantinë. Atë zë pikëllime të boshit, të zbrazëtisë, të mungesës. Qyteti bën bosh. Si lukthi bosh i një fukarasë. Dil dhe mendo se ti ke aq sa ato s’kanë. Se ti ke pjesën e tyre. Se ti ke marrë hisen e tyre. Se ti je ky shkaku se ata, të dhanë qorrazi mundësinë të jesh ky. Të dhanë fatin politik. Dhe në emër të politikës varfërove votuesin tënd, lagjen tënde, qytetin tënd.
Bijtë e babës rroga doli sot, a shkove dorë për dorë më babën të bankomati, apo hyrët me të njohshëm t’i merrni rrogat, bashkërisht, lumturisht.
Po atë turmën para dyerve të bankës e shikuat, ato dhëmbë që thyhen nervoze e pritjeje, po zënkat mes tyre për prishje rendi e qetësie, ato nuk kanë fatin si ju, marrin atë pak rrogë të shituar keq nga kredia dhe përmbaruesit dhe me të blejnë miell, për të mbajtur shpirtin gjallë në këtë kohë virusi.
Ju sërish jeni të fortit, e çani si shpatë peshkaqeni detin e turmës, madje as syzat e zeza si hiqni syve, hyni e dilni nëpër to, pa asnjë lloj ndjeshmërie, pa asnjë ide se po këto turma janë shpina mbi të cilën ju hipët dhe u ngritët, janë shkallët e perspektivës tuaj, djalit tuaj dembel dhe të paditur, nipit të palindur të cilit ia keni garantuar vendin e punës që tash.
Bijtë e babës, bëhuni të ndjeshëm, të paktën në kohë koronë. Jepni ndonjë zeqatë!/ ObserverKult