“Gjithë Shenjtorët” është një ikonë komplekse me shumë personazhe dhe detaje, e realizuar nga Athanas Zografi në vitin 1776 për të zbukuruar ikonostasin e kishës Burimi Jetëdhënës në Korçë.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë bën të ditur se “ikona është pikturuar me disa nivele. Duke filluar nga lart poshtë, në shtresën e parë kemi Atin e plotfuqishëm në mes të reve dhe në të dyja anët e tij kemi paraqitjen e dy engjëjve në fluturim duke mbajtur elitarin e shenjtë”.
Poshtë në qendër ndodhet Shën Mëria në fron duke mbajtur Krishtin në krahë që së bashku me pëllumbin dhe Atin, formojnë Trininë e Shenjtë. Përkrah Shën Mërisë qëndron grupi i dishepujve dhe katër ungjëllorët të ndarë në mënyrë simetrike ndërmjet tyre në çdo anë të saj.
Niveli qendror paraqet figura të njohura në artin bizantin si p.sh., Shën Konstantinin dhe Shën Elenën duke mbajtur kryqin dhe përkrah tyre kemi figura të njohura të hierarkisë kishtare.
Në qendër Shën Athanasin e Aleksandrisë që udhëhoqi Sinodin e Parë Ikumenik si dhe tre Hierarkët Shën Vasilin e Madh, Shën Grigor Theologun si dhe Shën Johan Gojëarti.
Në fund ikona mbyllet me një skenë të punuar në miniaturë që paraqet parajsën. Aty kemi shpirtrat e mirë (tre etrit e mençur), si dhe hajdutin që hyri i pari në parajsë./ATSH