Gjurmët e gjakut tënd mbi dëborë

Gabriel Garsia Markez

Ndaj të ngrysur, kur arritën në kufi, Nena Daconte vuri re se gishti që mbante unazën e martesës vazhdonte t’i rridhte gjak. Roja, me një pelerinë prej leshi të pakrehur hedhur mbi kapën tringjyrëshe që vetëtinte, i zhbiroi pasaportat e tyre mbarë e prapë në dritën e një feneri karburi, të cilin përpiqej me sa mundte ta mbronte nga era e tërbuar e Pirenejve. Ndonëse ato ishin pasaporta të rregullta diplomatike, roja ngriti fenerin për të verifikuar nëse fytyrat që kishte përpara ishin po ato të fotografive. Nena Daconte ishte pothuaj fëmijë. Kishte ca sy si prej zogu të lumtur dhe një lëkurë ngjyrë melase, e cila vazhdonte të rrezatonte diellin e Karaibeve në atë buzëmbrëmje dimri ogurzezë ; ishte mbështjellë e tëra me një pallto me jakë prej gëzof  vizoni, e cila nuk blihej dot as me pagën vjetore të të gjithë garnizonit të kufirit. Billy Sanchez de Avila, i shoqi që ngiste makinën, qe një vit më i ri se ajo dhe pothuaj po aq i pashëm. Kishte veshur një xhaketë me kuadrata skoceze dhe një kasketë si ato të lojtarëve të beisbollit. Ndryshe nga e shoqja, ishte trupgjatë, me pamje atleti dhe me ca nofulla të hekurta si prej banditi të drojtur. Por ajo që e tregonte më mirë gjendjen e tyre shoqërore ishte makina e platintë, brendësia e së cilës çlironte një frymëmarrje prej kafshe të gjallë, siç nuk ishte parë kurrë në atë kufi varfanjakësh. Ndenjëset e pasme ishin deng me valixhe të reja fringo dhe plot me pako dhuratash akoma të pahapura. Aty ndodhej edhe saksofoni-tenor, i cili kishte pasë qenë pasioni i vetëm i Nena Daconte-s përpara se ajo t’i nënshtrohej dashurisë së imponuar të banditit të saj të dhembshur të plazhit.

Kur roja i ktheu pasaportat e vulosura, Billy Sanchez e pyeti se ku mund tëë gjenin ndonjë farmaci për të mjekuar gishtin e së shoqes, dhe ai i bërtiti në mes të zhurmës së erës, se mund të pyesnin në Hendaya, në anën franceze. Mirëpo rojet e Hendaya-s qenë ulur mëngëpërveshur në tryezë dhe po luanin letrash, duke ngrënë bukë të ngjyer me verë në një kolibe xhami të ngrohur e të ndriçuar mirë, dhe u mjaftoi vetëm të shihnin madhësinë dhe llojin e makinës që t’ua bënin me dorë të hynin në Francë. Billy Sanchez i ra disa herë borisë, mirëpo rojat nuk morën vesh që po u thërriste ; vetëm njëri hapi xhamin e kolibes dhe i ulëriti më keq se era e tërbuar:

– Këputni qafën, idiota!

Atëherë Nena Daconte doli nga makina e mbështjellë me pallto deri në rrëzë të syve dhe e pyeti me një frëngjishte të kulluar se ku mund të gjenin një farmaci. Roja iu përgjigj duke u mbllaçitur se kjo nuk qe puna e tij, dhe ca më pak në atë  furtunë dhe mbylli dritaren. Por më pas u përqendrua te vajza që po thithte gishtin, e mbështjellë në vezullimin e gëzofit natural të vizonit dhe me siguri iu duk si një vegim magjik në atë llahtari, sepse në çast i ndërroi fytyra. I shpjegoi se qyteti më i afërt ishte Biarritz-i, megjithëse në palcë të dimrit dhe me atë erë ujqish zor se mund të gjendej hapur ndonjë farmaci deri në Bayona, e cila ndodhej pak më larg.

– Eshtë gjë me rëndësi?- pyeti.

– Hiçmoasgjë,- buzëqeshi Nena Daconte duke i dëftyer gishtin me unazën tërë diamante, ku në majë mezi dallohej pickimi i gjembit të trëndafilit.- Një gjembth i vogël.

Përpara se të arrinin në Bayona zuri të binte sërish dëborë. Nuk qe më tepër se ora shtatë, por rrugët i gjetën të shkreta dhe shtëpitë të mbyllura për shkak të furtunës së tërbuar; kështu, pasi u ranë rrugëve kryq e tërthorë pa mundur të gjenin dot një farmaci, vendosën të vazhdonin udhëtimin. Billy Sanchez u gëzua nga ky vendim. Ai kishte një pasion të panginjur për makinat e rralla dhe një baba që s’ia prishte qejfin dhe që kishte boll të ardhura për t’i plotësuar tekat. Por kurrë s’pat ngarë ndonjë makinë që t’i afrohej bentley-it cabriolet që sapo e kishte marrë si dhuratë martese. Timoni e dehte në atë farë feje, saqë ecte dhe nuk e ndinte fare lodhjen. Ishte gati të shkonte që atë natë në Bordo ku u kishin rezervuar një suite martesore në hotelin Splendid, dhe nuk kishte as erëra të përkundërta dhe as aq shumë dëborë në qiell sa ta pengonin të arrinte gjer atje. Ndryshe nga ai, Nena Daconte ishte krejt e këputur ; e kishte ndjerë lodhjen sidomos në pjesën e fundit të rrugës që vinte nga Madridi e që ishte një dhiare buzëgremine, e fshikulluar prej breshërit. Kështuqë, pasi kaluan Bayone-n, ajo e lidhi fort me shami gishtin e unazës që vazhdonte t’i rridhte gjak dhe ra në gjumë të thellë. Billy Sanchez e zgjoi vetëm ndaj mesnate, kur dëbora kish pushuar, era qe ndalur papritur mes pishave dhe qielli i koritave ishte mbushur plot e përplot me yje të ngrirë. Ai kish kaluar përballë dritave të fjetura të Bordosë, por qe ndalur vetëm për t’u furnizuar me benzinë në një pikë të rrugës, pasi akoma i kishin mbetur forca për të shkuar gjer në Paris, pa marrë as frymë. Ishte aq i lumtur me lodrën e tij të madhe prej 25 000 lira stërlinash, saqë as nuk mori mundimin të pyeste në ishte po aq e lumtur edhe krijesa vezullimtare që flinte pranë tij me fashon e gishtit të unazës qull nga gjaku, gjumi prej adoleshenteje i së cilës, për herë të parë ishte përshkuar nga shkulma pasigurie.

Qenë martuar tri ditë më parë, dhjetë mijë kilometra larg që aty, në  Cartagena de Indias, mes habisë së prindërve të tij, zhgënjimit të prindërve të saj dhe me bekimin e vetë Kryepeshkopit. Perveç atyre të dyve, askush nuk e dinte historinë e asaj dashurie të paparashikuar. Kishte filluar tre muaj përpara dasmës, një të diel buzëdetit, kur banda e Billy Sanchez-it sulmoi kabinat ku zhvisheshin gratë në plazhin e Marbella-s.

Nëna Dakonte ato ditë kishte mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, sapo qe kthyer nga kolegji i Shatellenie- së  në Saint- Blaise të Zvicrës, fliste rrjedhshëm katër gjuhë të huaja, i binte në mënyrë të përkryer saksofonit-tenor dhe pas kthimit, ajo ishte e diela e parë që shkonte në plazh. Qe zhveshur krejt që të vishte rrobat e banjës, kur plasi paniku dhe klithmat në kabinat fqinje. Porse nuk arriti të merrte vesh asgjë, deri në çastin kur shuli i derës së kabinës së saj fluturoi dhe u bë ashkëla, dhe ajo pa t’i mbinte përpara syve banditi më i pashëm që mund të përfytyronte. Mbante vetëm një fill të mbathurash prej lëkure të rremë leopardi. Kishte një trup të bukur, elastik, në ngjyrën e praruar të njerëzve të detit. Rrotull kyçit të djathtë të dorës, ku mbante një byzylyk metalik si të gladiatorëve romakë, kishte mbledhur një zinxhir hekuri që i shërbente si armë vdekjeprurëse, ndërsa në qafë i varej një medalje pa shenjtor, e cila regëtinte në heshtje nga frika e zemrës. Shkollën fillore e kishin bërë bashkë dhe kishin thyer kushedi sa pinjata* nëpër ditëlindje, sepse të dy ishin pinjollë të familjeve, të cilat, që në kohërat e kolonisë, e kishin vërtitur sipas kokës së tyre fatin e qytetit. Por kishin shumë vite që s’ishin parë, prandaj nuk e njohën njeri-tjetrin menjëherë. Nena Daconte ndenji në këmbë, pa lëvizur dhe pa bërë asnjë përçapje për të fshehur lakuriqësine e saj të plotë. Ndërsa Billy Sanchez përmbushi ritin e tij naiv; uli të mbathurat prej lëkure leopardi dhe i rrëfeu asaj të respektueshmen kafshën e tij të grehur. Ajo e pa në sy pa iu dridhur qërpiku.

* pinata—enë e mbushur me ëmbëlsira që varet diku dhe thyhet që të merren ëmbëlsirat në raste festash

———————————————–

– Kam parë më të mëdhenj e më të ngrehur se ky yti,- i tha­- duke e bërë zap lebetinë që e kishte kapur, – prandaj bëji hesapet mirë, sepse me mua duhet të sillesh ca më i egër se një zezak.

Në të vërtetë Nena Daconte jo vetëm ishte e virgjër, por deri në atë kohë s’kish parë kurrë me sy burrë lakuriq, mirëpo sfida qe ilaç. Billy Sanchez- it nuk i mbeti të bënte gjë tjetër veçse t’ia këpuste me grusht gjithë tërbim murit, me zinxhirin që kishte mbështjellë rreh kyçit të dorës, duke i bërë kockat copë. Ajo e çoi me makinën e saj në spital, e ndihmoi të merrte veten dhe së fundi, mësuan së bashku të bënin dashuri për së mbari. Netët e vështira të qershorit i kaluan në tarracën e brendshme të shtëpisë ku kishin vdekur gjenerata njerëzish të shquar të familjes së Nena Daconte-s, ajo duke luajtur këngë të kohës në saksofon, ndërsa ai me dorën në allçi duke e soditur pa prehje që nga hamaku, me një lloj admirimi të mekur. Shtëpia kishte një numër të madh dritaresh sa një bojë njeriu, të cilat shikonin nga pellgu erëqelbur i gjirit, ishte një nga më të mëdhatë e më të vjetrat e lagjes së La Manga-s dhe, pa dyshim, më e shëmtuara. Mirëpo tarraca me pllakat kutishahu, ku Nena Daconte i binte saksofonit, ishte një vend i qetë e i freskët në zhegun e orës katër pasdreke, që binte në një oborr të hijesuar tej e mbanë nga pemët e mangos dhe veriget e bananeve, nën të cilat ndodhej një varr me një pllakë pa emër, që ishte më i hershëm se vetë shtëpia dhe se kujtesa e familjes. Madje edhe ata që s’para merrnin shumë vesh nga muzika, mendonin se tingulli i saksofonit ishte anakronik në një shtëpi aq të sojme. “Gjëmon si sirenë vapori”, pat thënë gjyshja e Nena Daconte-s, kur e dëgjoi për herë të parë. E ëma ishte përpjekur më kot ta bindte që të luante ndryshe dhe jo siç luante ajo për kollaj, me fundin të ngritur deri sipër kofshëve, me gjunjët të hapura dhe me një sensualitet që të ëmës nuk i dukej i domosdoshëm për muzikën. “Nuk më intereson shumë se në ç’instrument luan ‘ i thoshte,  ‘mjafton të luash me këmbë të mbyllura.” Mirëpo qenë këto melodi si sirena lamtumire vapori dhe kjo limaksje e madhe dashurie ato që e lejuan Nena Daconte-n të thyente lëvozhgën e hidhur të Billy Sanchez-it. Pas namit të keq që kishte si bandit dhe që mbrohej mirë nga dy mbiemrat e tij të shquar, ajo zbuloi një jetim të frikësuar e të butë si qengj. Ata arritën të njiheshin aq mirë, në kohën që atij i ngjiteshin kockat, saqë edhe ai vetë u habit nga lehtësia me të cilën rodhi dashuria, kur ajo e çoi për dore në shtratin e saj virgjëror një mbrëmje shiu. #do ditë, në po atë orë, për dy javë me radhë, ata u rrokullisën të zhveshur nën vështrimin e topitur të portreteve të atyre burrave që kishin bërë luftrat civile dhe të gjysheve të pangopura, që u kishin paraprirë në parajsën e atij shtrati historik. Edhe në pushimet dashurore ata rrinin lakuriq me dritare të hapura, duke thithur flladin e gërmadhave të anijëve të gjirit, erëkërmën e tij, dhe duke dëgjuar në heshtjen e saksofonit zhurmat e përditshme të oborrit, notën e vetme që nxirrte një bretk nën veriget e bananeve, pikën e ujit mbi varrin e askujt, hapat e natyrshme të jetës, që më parë s’kishin pasur kohë t’i njihnin.

Kur prindërit e Nena Daconte-s u kthyen në shtëpi, ata kishin përparuar aq shumë në dashuri, saqë tani bota nuk u mjaftonte më për gjë tjetër. Bënin dashuri ku të mundnin e në çdo orë që mundnin, duke u përpjekur gjithsaherë ta shpiknin atë edhe një herë tjetër nga e para. Në fillim bënë dashuri si mundën më mirë në makinat sportive me të cilat babai i Billy Sanchez-it mundohej të paqtonte fajet e veta. Më vonë, kur makinat u bënë fort të lehta për ta, zunë të futeshin natën nëpër kabinat e shkreta të Marbella-s ku fati i kishte vënë ballazi për herë parë, dhe arritën deri aty, sa të futeshin të maskuar gjatë karnavaleve të nëntorit nëpër dhomat me qera të lagjes së vjetër të zezakëve të Getseman-it, duke qenë nën mbrojtjen e selestinave, të cilave pak muaj më parë u ishte dashur të vuanin nga Billy Sanchez-i dhe banda e tij e zinxhirëve. Nena Daconte u dha e tëra pas dashurive të fshehta me po atë përkushtim të ethshëm, të cilin më parë e keqharxhonte për saksofonin, deri në atë pikë, saqë banditi i saj i zbutur arriti më në fund të merrte vesh atë që kish dashur t’i thoshte ajo kur i pat thënë se me të duhej të sillej si një zezak. Billi Sançes i përgjigjej përherë më mirë, madje më të njëjtën çakërdisje. Tashmë të martuar, ndërsa stjuardesat flinin në mes të Atlantikut, ata ia bënë yzmetin dashurisë të mbyllur me një mijë mundime në wc-në e avionit, dhe duke u shkulur gazit më shumë se duke bërë qejf. Vetëm ata e dinin, tani njëzet e katër orë pas dasmës, se Nena Daconte ishte dymuajshe shtatzënë.

Kështu, kur arritën në Madrid, nuk e ndienin veten aspak dashnorë të ngopur, por ama kishin njëfarë rezerve që i pengonte të silleshin si të porsamartuar të kulluar. Prindërit e të dyve kishin parashikuar gjithçka. Përpara se të zbrisnin nga avioni, një funksionar ambasade u ngjit në kabinën e klasit të parë, për t’i shpënë Nena Dacontes pallton prej vizoni të bardhë me thekë të zeza xixëlluese, që ishte dhurata e martesës e prindërve të saj. Billy Sanchez-sit i dha në dorë një xhaketë prej lëkure qengji që ishte në modë atë dimër, si edhe çelësat pa markë të një makine-suprizë që i priste në aeroport.

Misioni diplomatik i vendit të tyre i priti në sallonin zyrtar. Ambasadori dhe e shoqja ishin miq të afërt të të dy familjeve që prej shumë kohësh; perveç kësaj, ambasadori ishte mjeku që e pat pritur në lindje Nena Daconte-n. Ai i doli përpara me një tufë trëndafilash aq shkëlqimtarë e të freskët, saqë deri edhe pikat e vesës ngjanin si të rreme. Ajo i puthi të dy me majë te buzëve, pak me turp që po e shihnin të martuar aq të vogël, dhe mori në dorë trëndafilat. Kur preku buqetën, një gjemb i shpoi gishtin, por ajo e kaloi situatën e vështirë me një gjetje të magjishme.

– E bëra kasten,- tha,- që të më shihni unazën.

Atë çast, gjithë trupi diplomatik ia nguli sytë me admirim unazës së hatashme, duke bërë llogari se ajo duhej të kushtonte një djall e gjysmë, dhe jo aq për llojin e diamanteve që kish, sesa për vlerën antike që ruante aq mirë. Por askush nuk vuri re se gishti kish filluar të rridhte gjak. Më vonë, vëmendja e të gjithëve u kthye te makina e re. Ambasadori, me shumë shije, e kish sjellë në aeroport, e kish mbështjellë me celofan dhe e kish lidhur me një kordele gjigande të praruar. Billy Sanchez as që e vuri re delikatesën e tij. Qe aq i përvëluar për ta parë, saqë ia shqeu mbulesën me një të tërhequr dhe mbeti pa frymë. Ishte e markës Bentley cabriolet  të atij viti, me tapiceri prej lëkure origjinale. Qielli ngjante si një pelerinë hiri, Guadarama lëshonte një erë therëse cingërimë dhe përjashta s’rrihej dot një minutë, por Billy Sanchez nuk e kishte akoma idenë e të ftohtit. E mbajti trupin diplomatik aty në mes të erës, derisa ia zhbiroi makinës një për një të gjitha skutat, pa i thirrur mendjes se njerëzit po ngrinin së ftohti për hir të  mirësjelljes. Pastaj, ambasadori iu ul pranë për t’i treguar rrugën deri në selinë zyrtare të ambasadës, ku qe parashikuar një banket i vogël. Në udhë e sipër i tregoi vendet më të njohura të qytetit, por ai e kish mendjen vetëm tek magjia e makinës.

Qe hera e parë që dilte jashtë vendit të tij. S’kish lënë më kolegj privat e publik pa shkuar, duke përsëritur gjithmonë të njëjtin kurs, derisa ngeci duke pluskuar në një limb indiference. Vizioni i parë i një qyteti që ishte ndryshe nga i tiji, blloqet e shtëpive të përhime me drita të ndezura në mes të ditës, pemët e zhveshura, deti i largët, gjithçka i ngjallte një ndjenjë braktisjeje, të cilën ai përpiqej ta linte jashtë zemrës. Sidoqoftë, pak më vonë ra, pa e kuptuar, në kurthin e harresës. Përjashta kishte plasur një stuhi e beftë dhe e heshtur, e para e atij sezoni, dhe kur dolën nga shtëpia e ambasadorit, pas banketit, për të vazhduar udhëtimin drejt Francës, e gjetën qytetin të mbuluar me një dëborë vezulluese. Billy Sanchez e harroi makinën dhe në sy të të gjithëve, duke lëshuar britma ngazëllimi e duke hedhur mbi kokë grushta me pluhur dëbore, u rrokullis me gjithë pallto në mes të rrugës.

Nena Daconte vuri re për herë të parë që gishti po i kullonte gjak në kohën që lanë pas Madridin, një mbrëmje që ishte bërë e tejdukshme nga furtuna. U çudit, sepse kishte shoqëruar me saksofon gruan e ambasadorit, te cilës i pëlqente të këndonte italisht arie operash pas banketeve zyrtare, pa e ndjerë pothuaj fare. Më vonë, ndërsa i dëftente të shoqit rrugët më të shkurtra për në kufi, i qëllonte ta thithte gishtin pa mendje sa herë që i gjakosej, dhe vetëm kur arritën në Pirenej i feksi në kokë të kërkonin një farmaci. Më pas, ra në gjumë për të vënë në vend mungesën e ditëve të fundit dhe kur u zgjua befas nga një ëndërr e keqe, pse iu duk se makina po ecte përmes ujërave, nuk iu kujtua më për një kohë të gjatë shamia e lidhur në gisht. Hodhi sytë nga ora fosforike e makinës dhe pa se kishte kaluar treshi; llogariti rrugën me mend dhe vetëm atëherë kuptoi se kishin kohë qe e kishin lënë pas Bordonë, Angulemën dhe Puatienë dhe se tani po shkonin nëpër digën e Luarës të përmbytur nga ujërat e fryra. Përflakja e hënës filtrohej përmes suferinës së trashë të dëborës dhe siluetat e kështjellave nëpërmjet pishave ngjanin si nëpër përralla. Nena Daconte, që e dinte rrugën përmendësh, llogariti se tani ndodheshin nja tri orë larg Parisit dhe Billy Sanchez vazhdonte i paepur në timon.

– Sa i egër që je,- i tha ajo. – Ke më tepër se njëmbëdhjetë orë në timon, pa futur gjë në gojë.

Ai mbahej akoma nga dehja e makinës se re. Megjithëse në avion kishte fjetur pak dhe keq, syrin e kishte pishë dhe ndihej mjaft i fortë për të mbërritur në Paris përpara se të zbardhte.

– Më mban akoma banketi i ambasadës,- tha. Dhe vazhdoi pa pikë logjike:- Në fund të fundit, tani në Cartagena njerëzit sapo kanë dalë nga kinemaja. Do jetë afërsisht ora dhjetë e darkës.

Sidoqoftë, Nena Daconte kish frikë se mos e zinte gjumi duke ngarë makinën. Hapi një nga kutitë e dhuratave të shumta që i kishin bërë në Madrid dhe u mundua t’i vinte në gojë një copë portokalli të sheqerosur, por ai iu shmang.

– Burrat nuk hanë të ëmbla,- i tha.

Pak përpara Orleanit, bryma u fashit dhe hëna shumë e madhe ndriçoi tokat e mbjella të mbuluar nga dëbora, por qarku­llimi u bë më i vështirë nga dyndja e kamionëve të mëdhenj të perimeve dhe e çisternave të verës që shkonin drejt Parisit. Nena Daconte do të kish dashur me gjithë qejf t’i jepte një dorë të shoqit në timon, mirëpo nuk guxoi as t’ia zinte në gojë, sepse ai e kish paralajmëruar, që ditën e parë që kishin udhëtuar bashkë, se nuk ka poshtërim më të madh për një burrë sesa t’ia lerë timonin së shoqes. Ajo e ndiente veten në formë pas atyre pesë orëve gjumi që kish bërë dhe qe e kënaqur që s’ishin ndalur në asnjë nga hotelet e provincës franceze, të cilën ajo e njihte që shume e vogël, nga tërë ato udhëtime që kishte bërë me prindërit e saj.”Nuk ka vende më të bukura në botë se këto, thoshte, « por ama, mund të vdesësh nga etja pa të dhënë njeri një pikë ujë falas.” Dhe aq e bindur ishte për këtë, saqë, në minutën e fundit u kujtua të fuste në valixhen e dorës një kallëp sapun dhe një rrotkë me letra higjenike, sepse në hotelet e Francës nuk gjen kurrë sapun, ndërsa si letër higjenike përdorin gazetat e javës së shkuar të grisura copa-copa e të ngulura në një ganxhë. Për të vetmen gjë që i vinte keq, ishte se i kish shkuar dëm një natë pa bërë dashuri. I shoqi iu përgjigj fët e fët.

– Tani po e mendoja se duhet të jetë hataja vetë ta bëjmë në dëborë,- i tha.- Këtu në vend, po deshe.

Nena Daconte e mendoi seriozisht. Në buzërrugë, dëbora nën dritën e hënës ngjante si sfungjer i ngrohtë, por sa më tepër i afroheshin periferisë së Parisit, aq më i dendur bëhej qarkullimi dhe veç kësaj kishte një mori fabrikash të ndriçuara dhe një numër të madh punëtorësh me biçikleta. Sikur të mos qe dimër dielli tani do të qe ngritur dy pashë në qiell.

– Më mirë të durojmë gjer në Paris,- tha Nena Daconte.­vNgrohtë-ngrohtë në një shtrat me çarçafë të pastër, si çift i martuar.

– Eshtë hera e parë që po më bën bisht,- i tha ai.

– S’do mend,- iu përgjigj ajo.- Eshtë hera e parë që jemi të martuar.

Pak përpara se të zbardhte, lanë sytë dhe urinuan në një bujtinë rruge dhe pinë kafen të shoqëruar me kruasant të ngrohtë në banak, ku shoferët e kamionëve hanin mëngjesin me verë të kuqe. Nena Daconte vuri re në banjë se bluza dhe fundi i qenë njollosur me gjak, por nuk e mori mundimin t’i lante. Hodhi në plehëra shaminë e qullur, e kaloi në dorën tjetër unazën e martesës dhe e lau mirë e mirë gishtin e plagosur me ujë e sapun. Pickimi i gjembit ishte gati i padukshëm. Por,  sa mbërritën në makinë zuri të rrjedhë gjak sërisht, andaj Nena Daconte e nxori krahun jashtë dritares, e bindur se ajri-ngricë i tokave të mbjella kishte vetira kuruese. Qe punë e kotë, por ajo ende nuk u alarmua. “Po të dojë njeri të na gjejë, e ka shume kollaj”, tha me atë magjepsjen e saj të natyrshme. “Mjafton të ndjekë gjurmët e gjakut tim mbi dëborë.” Më pas e mendoi më me nge atë qe kishte thënë dhe fytyra i lulëzoi në dritëzat e para të agut.

– Përfytyroje- tha,- Gjurmë gjaku mbi dëbore që nga Madridi deri në Paris! Nuk duket e gjetur për një këngë?

Nuk pati kohë ta mendonte për së dyti. Në rrethinat e Parisit gishti i qe kthyer në një burim të pandalshëm, dhe ajo ndjeu se, në të vërtetë, shpirti po i arratisej nga vrima e plagës. Ishte munduar ta ndalte gjakun me letrën higjenike që mbante me vete, por sa vinte një fashë, hiqte tjetrën të bërë qull nga gjaku. Fustani që kish në trup, palltoja, ndenjëset e makinës, po skuqeshin pak e nga pak, por në mënyrë të pashmangshme. Billy Sanchez-it i hyri frika seriozisht dhe nguli këmbë të kërkonin një farmaci, por ajo tani e dinte se farmacia nuk hynte shumë në punë.

  • Jemi pothuajse në Porte de Orlean,- tha. – Vazhdo përpara përmes Shëtitores së General Leclerc, sepse është më e gjëra dhe plot me pemë, e pastaj të them unë ç’të bë

Kjo qe rruga më e vështirë e gjithë udhëtimit. Shëtitorja e General Leclerc-ut ishte një nyje ferri makinash të vogla dhe motoçikletash të bllokuara në të dy anët e tij, dhe kamionësh të mëdhenj që përpiqeshin të shkonin në merkatot qendrore. Billy Sanchez-it i hipën aq shumë xhindet me atë ulërimë të kotë burish, saqë nisi të zihej me shoferët duke britur e duke nxjerrë nga goja lloj-lloj palavirash, madje nje çast bëri të dilte nga makina që të përleshej me njërin. Por Nena Daconte arriti ta bindte se francezët janë njerëzit më gojëndyrë në botë, por për t’u rrahur, nuk rrihen kurrë. Kjo qe një provë tjetër e urtësisë së saj, sepse pikërisht në atë çast Nena Daconte po bënte ç’ishtë e mundur që të mos humbiste ndjenjat. Vetëm për të dalë nga udhëkryqi i Lion de Belfort-it atyre iu desh më shumë se një orë. Kafenetë dhe vitrinat qenë të ndriçuara sikur të ishte mesnatë, sepse kjo qe një nga të martat tipike të dimrave parizianë, e zymtë, e pisët dhe me një shi këmbëngulës si majë gjilpëre, që nuk arrinte dot të trupëzohej në dëborë. Por Shëtitorja Denefert-Rochereau ishte më e qëruar dhe pas një copë rruge, Nëna Dakonte i tha të shoqit të kthehej nga e djathta dhe ky frenoi para hyjres së urgjencës të një spitali të madh dhe të errët.

Asaj iu desh ndihmë që të dilte nga makina, por nuk e humbi as qetësinë dhe as mendjekthjelltësine. Ndërsa prisnin mjekun e turnit, e shtrirë në barrelën me rrota, ajo iu përgjigj pyetjeve rutinë të infermieres për identitetin dhe për gjendjen e shëndetit më parë. Billy Sanchez i mori çantën, i shtrëngoi dorën e majtë, ku tani ndodhej unaza e martesës dhe e ndjeu atë të dobësuar e të ftohtë, ndërsa buzët e saj kishin humbur ngjyrën. I ndenji pranë me dorën në dorën e saj, derisa erdhi mjeku i turnit dhe i bëri një ekzaminim të shpejtë gishtit të plagosur. Ishte një djalë tepër i ri me lëkurën në ngjyrë të bakrit të lashtë dhe me kokën toç. Nena Dakonte nuk ia vari shumë, por i dha të shoqit një buzëqeshje të zbehtë.

– Mos u tremb,- i tha me humorin e saj te pathyeshëm.- E shumta që mund të më ndodhë, është që ky kanibali këtu të më presë dorën dhe ta kullufisë vetë.

Mjeku e mbaroi vizitën dhe i çuditi duke u folur në një kasteliançe të kulluar, ndonëse me theks aziatik.

– Jo, rini, jo- u tha.- Ky kanibali këtu më mirë vdesë urie se sa të presë këtë dorë kaq të bukur.

Ata u hutuan, por mjeku i qetësoi me një gjest dashamirës.

Pastaj urdhëroi që ta merrnin barrelën. Billy Sanchez bëri t’i shkonte pas, por mjeku e ndaloi me dorë.

– Ju jo,- i tha. – Mjekimi ka për të qenë intensiv.

Nena Daconte i buzëqeshi përsëri të shoqit, vazhdoi t’ia bënte lamtumirë me dorë derisa barrela humbi në fund të korridorit. Mjeku ndjenji më pas, për të parë të dhënat që kish marrë infermierja. Billy Sanchez i thirri:

– Doktor, – i tha,- është shtatzënë.

– Sa?

– Dy muajshe.

Mjeku nuk i dha këtij fakti atë rëndësi që priste Billy Sanchez. – Bëtë mirë që ma treguat,- i tha dhe shkoi pas barrelës.

Billy Sanchez mbeti në vend në sallën ogurzezë që qelbej nga era e djersës së të sëmurëve, mbeti pa ditur ç’të bënte, me sytë nga korridori i zbrazët nga ku kishin marrë Nena Daconte-n, dhe pastaj u ul në një stol të gjatë druri ku kishte edhe njerëz te tjerë që prisnin. Nuk mori vesh sa kohë ndjenji ashtu, por ku vendosi të dilte nga spitali, ishte përsëri natë dhe binte po ai shiu majëgjilpëre dhe ai përsëri nuk dinte ç’te bënte, madje, as me veten e tij, ashtu i dërrmuar nga pesha e botës.

Nena Daconte u shtrua në spital në orën 9.30 të martën, më datën 7 janar, siç e verifikova vite më vonë në arshivën e spitalit. Natën e parë Billy Sanchez fjeti në makinë përpara hyrjes së urgjencës dhe që në pikë të mëngjesit, të nesërmen, hëngri gjashtë vezë të ziera dhe piu dy filxhanë të mëdhenj kafe me qumësht në kafenenë më të afërt që gjeti, sepse nuk kish ngrënë si duhej që në Madrid. Pastaj u kthye te porta e urgjencës që të shihte Nena Daconte-n, por i thanë se duhej të drejtohej te porta kryesore. Atje më së fundi gjeti një asturias në shërbim, i cili e ndihmoi të merrej vesh me portierin dhe ky i tregoi se vërtet Nena Daconte ishte rregjistruar në spital, por vizitat lejoheshin vetëm të martave nga ora 9 deri në 4. Me një fjalë, gjashtë ditë më vonë. U rrek të gjente mjekun që fliste kasteliançe, të cilin e përshkroi si një zezak me kokën toç, por askush nuk e ndihmoi dot vetëm me ato dy karakteristika të thjeshta që jepte. I qetësuar nga lajmi që Nena Daconte figuronte në rregjistër, ai u kthye sërish në vendin ku kish lënë makinën dhe aty një polic e detyroi ta çonte atë nja dyqind metra më tutje, në një rrugë shumë të ngushtë dhe në anën e numrave tek. Në trotuarin përballë, ndodhej një ndërtesë e restauruar me një tabelë ku qe shkruar: Hotel Ncole. Hoteli kish vetëm një yll dhe një sallë pritjeje shumë të vogël, ku ndodhej një divan, një piano vertikale e aq; por i zoti i hotelit që kish një zë flauti mund të merrej vesh për bukuri me klientët në çdo gjuhë të botës. Mjafton që ata të kishin me se të paguanin. Billy Sanchez u vendos me të njëmbëdhjetë valixhet dhe nëntë kutitë e dhuratave në të vetmen dhomë të lirë të hotelit, e cila qe një papafingo trekëndëshe në katin e nëntë, dhe ku mund të shkoje duke u ngjitur frymëmarrë nëpër një shkallë spirale që mbante era shkumë lulelakre të zier. Muret ishin veshur me një cohë të trishtë dhe dritarja e vetme nuk sillte brenda veçse dritën e turbullt të oborrit të brendshëm. Aty kishte një krevat dopio, një dollap të madh rrobash, një karrige të thjeshtë dhe një komplet për t’u larë: ibrik dhe legen. Andaj brenda në dhomë mund të rrije vetëm shtrirë në shtrat. Gjithçka qe ca me keq se vjetërsirë, qe pa shpirt, por ama e pastër taze dhe e shëndetshme.

Billy Sanchez-it s’do t’i kish mjaftuar tërë jeta për të deshifruar enigmat e kësaj bote të ngritur mbi dhuntinë e kurnacërisë. Asnjëherë nuk e mori vesh misterin e dritës së shkallës që fikej përpara se të arrinte në dhomën e tij dhe as nuk zbuloi dot mënyrën për ta ndezur sërish. Iu deshën orë të tëra për të mësuar se në krye të shkallëve, në çdo kat, ndodhej nga një nevojtore e pajisur me zbrazëse uji me zinxhir; kish vendosur të futej aty në errësirë, kur zbuloi fare rastësisht se drita ndizej kur vihej shuli nga brenda, në mënyrë që askush të mos e harronte ndezur. Dushi, që ndodhej në fund të korridorit dhe që ai e përdorte dy here ditën, si në vendin e tij, paguhej veçmas dhe me para në dorë, ndërsa uji i ngrohtë, që kontrollohej nga administrata, mbaronte në krye të tri minutave. Megjithatë, Billy Sanchez pati aq mendje të kthjellet sa të kuptonte se ai rregull aty, që ndryshonte aq shumë nga rregulli i tij, ishte sidoqoftë shumë më i mirë se i ftohti i janarit përjashta dhe, veç kësaj, e ndjente veten aq mendjeprishur e të vetmuar, saq nuk arrinte të kuptonte sesi kish mundur të jetonte dikur pa mbrojtjen e Nena Daconte-s. Porsa u ngjit në dhomë, të mërkurën në mëngjes, ra barkazi mbi shtrat me gjithë pallton veshur, duke e pasur mendjen te krijesa e mrekullueshme që vazhdonte të humbiste gjak në trotuarin përballë, dhe ra ne një gjumë aq të thellë, saqë kur u përmend dhe pa orën pesë, nuk qe në gjendje të përcaktonte nëse ishte pesë e mbrëmjes apo e mëngjesit, ç’ditë e javës ishte, dhe ne ç’ qytet me xhama të fshikulluar nga era dhe shiu ndodhej. Atëhere shkoi të hante mëngjes te kafeneja e një dite më parë dhe atje mori vesh se qe e enjte. Dritat e spitalit qenë të ndezura dhe shiu kishte pushuar, prandaj ai ndenji mbështetur pas trungut të një gështenje përballë derës kryesore ku hynin e dilnin mjek dhe infermiere me përparëse të bardha, me shpresë se mos takonte mjekun aziatik që kishte shtruar Nena Daconte-n. Në mëngjes nuk e pa, madje as pasdreke, kur iu desh të hiqte dorë nga pritja ngaqë po ngrinte së ftohti. Në orën shtatë piu një tjetër kafe me qumësht dhe hëngri dy vezë të ziera, të cilat i mori vetë në vitrinën e banakut të kafenesë, pas dyzet e tetë orësh që po hante të njëjtën gjë, në të njëjtin vend. Kur u kthye në hotel për të fjetur, e gjeti makinën e tij vetëm buzë një trotuari, ndërsa të gjitha të tjerat ndodheshin në trotuarin përballë, dhe te pastrueset e xhamave i kishin vënë një faturë gjobe. Portierit të hotelit Nicole i doli shkuma për t’i shpjeguar se ditët tek mund ta linte makinën në trotuarin e numrave tek, ndërsa të nesërmen në trotuarin përballë. Gjithë këto soj kurthesh racionale ishin të pakuptueshme për kokën e një pinjolli të familjes Sanchez de Avila, nga më të kulluarit, i cili, s’kishin kaluar ende dy vjet që nga koha kur kish hyrë në një kinema të lagjes me makinën zyrtare të kryetarit të bashkisë,  duke shkaktuar dëme të hatashme m’u përpara syve të policëve të paepur. Aq më pak mori vesh kur portieri i hotelit e këshilloi të paguante gjobën, por të mos e lëvizte nga vendi makinën në atë orë, pasi do t’i duhej ta zhvendoste sërish në orën dymbëdhjetë të natës. Atë mëngjes pa zbardhur mirë ai mendoi, për herë të parë, jo vetëm për Nena Daconte-n, por, duke u kthyer e rrotulluar në shtrat pa mundur të flinte dot, mendoi edhe për netët e tij të rënduara në qilarët e pedeve të pazarit publik të Cartagena-s së Karaibeve. Iu kujtua shija e peshkut të skuqur dhe e pilafit me aromë arrëkokosi nëpër hanet e molit, ku lidhnin anijet me vela të Arubës. Iu kujtua shtëpia e tij me muret e mbuluara nga luledredhkëlat, ku tani s’kish vajtur ende ora shtatë e mbrëmjes e ditës së djeshme, dhe pa të atin me pizhama mëndafshi tek lexonte gazetën në freskun e tarracës. Iu kujtua e ëma, që kurrë nuk dihej se ku ndodhej, nëna e tij epshndjellëse dhe gjuhëbrisk, me fustanin e së dielës dhe me një trëndafil, të cilin e mbante në vesh gjer ndaj të ngrysur, duke u mbytur nga zjarrmia e peshës së gjoksit të saj të mrekullueshëm. Një mbrëmje, kur ishte shtatë vjeç, ai pat hyrë rrëmbimthi në dhomë dhe e kish gjetur të zhveshur në shtrat me një nga dashnorët e saj të rastit. Ky incident, të cilin ata nuk e zunë kurrë ngoje, krijoi mes tyre një lidhje bashkëfajnie, që ishte më e nevojshme se dashuria. Sidoqoftë, ai nuk pat qenë i ndërgjegjshëm për këtë dhe as për tërë ato gjëra të tmerrshme që ia sillte vetmia e tij prej biri të vetëm, deri atë natë kur u gjend në një krevat papafingoje të trishtueshme në Paris, duke u torturuar nga dhembja pa pasur njeri kujt t’ia rrëfente fatkeqësinë e tij, dhe me një mllef të egër ndaj vetvetes, sepse nuk mund ta duronte dot dëshirën që kishte për të derdhur lotë.

Qe një pagjumësi me leverdi. Të premten u gdhi i këputur nga ajo natë e keqe, por i vendosur për ta përcaktuar mirë jetën e tij. Iu mbush mendja, më në fund, ta thyente bravën e valixhes së tij që të ndërrohej, sepse të gjithë çelësat ndodheshin në çantën e Nena Daconte-s, së bashku me pjesën më të madhe të parave dhe me bllokun e telefonave ku mund të kish gjetur numrin e ndonjë të njohuri në Paris. Në kafenenë e përditshme vuri re se kish mësuar të përshëndeste frëngjisht, të kërkonte sanduiç me proshutë dhe kafe me qumësht. Por, ama, qe i bindur se s’do të mundte dot kurrë të kërkonte gjalp apo vezë në çfarëdo lloj gatimi, sepse kurrë s’kishin për t’i hyrë në kokë ato fjalë, por aty gjalpin ia sërvirnin përherë me bukë, ndërsa vezët i kishte përpara syve në banak dhe mund t’i merrte vetë. Përveç kësaj, në krye të tri ditëvepersoneli i shërbimit ishte miqësuar me të dhe e ndihmonte të shpjegohej. Kështuqë, të premten në drekë, ndërsa mundohej të vinte rregull në kokë, porositi fileto viçi me patate të skuqura dhe një shishe verë. Atëherë e ndjeu veten aq mirë, saqë kërkoi edhe një shishe tjetër, e piu përgjysëm dhe kaloi rrugën shumë i vendosur për t’u futur në spital me forcë. Nuk dinte ku ta gjente Nena Daconte-n, por në trurin e tij qe ngulitur figura e perëndishme e mjekut aziatik, dhe ishte i sigurt se do ta takonte. Nuk hyri nga porta kryesore, por nga ajo e urgjencës, e cila i qe dukur më pak e ruajtur, por s’arriti dot ta kalonte korridorin ku Nena Dakonte ia kishte bërë lamtumirë me dorë. Një roje me përparësen të spërkitur me gjak e pyeti për diçka, në të kaluar e sipër, por ai s’ia vuri veshin. Roja e ndoqi pas duke i përsëritur të njëjtën pyetje në frëngjisht dhe së fundi e mbërtheu për krahu me aq tërsëllim, sa e ndali ne vend. Billy Sanchez u përpoq ta shkundte, duke përdorur një marifet prej banditi zinxhirësh; atëherë roja ia dhjeu të ëmën frëngjisht, ia përdrodhi krahun prapa shpinës dhe duke ia dhjerë një mijë herë të ëmën që e kish pjellë, e çoi gati peshë deri te porta tek turfullonte nga dhembja, dhe e plasi në mes të rrugës si një thes me patate.

Atë pasdite, trupdhembur nga përleshja, Billy Sanchez filloi të burrërohej. Vendosi, ashtu siç do kish bërë Nena Daconte, të shkonte tek ambasadori i tij. Portieri i hotelit, që ndonëse kish një fytyrë noprane, ishte shumë i gjindshëm dhe përveç kësaj, edhe tepër i durueshëm me gjuhët e huaja i gjeti numrin e telefonit së bashku me adresën e ambasadës dhe ia shkroi në një kartvizitë.

Në telefon iu pergjigj një grua shumë dashamirëse, në zërin e zvargur e pa shkëlqim të së cilës, Billy Sanchez njohu menjëherë theksin andez. E filloi biseden duke u prezantuar me emrin e tij të plotë, i sigurt se do ta impresiononte gruan me dy mbiemrat që kishte, por zëri në telefon nuk u turbullua fare. E dëgjoi t’i recitonte mësimin përmendësh se zoti ambasador nuk ndodhej aty, se nuk do të vinte deri të nesërmen, por, sidoqoftë, edhe po të vinte, nuk mund ta priste pa lënë takim që më parë dhe pa qenë çështje të veçanta. Atëherë, Billy Sanchez e kuptoi se as me këtë rrugë nuk do ta gjente dot Nena Daconte-n, prandaj e falenderoi gruan për informacionin me po atë dashamirësi që ajo i kish folur. Më pas, mori një taksi dhe u gjend në derë të ambasadës. Ajo ndodhej në Champs-Elysee, numër njëzet e dy, në një nga vendet më të qeta të Parisit; por e vetmja gjë që i bëri përshtypje Billy-t, siç më tregoi vetë shumë vite më vonë në Cartagena de Indias, ishte dielli, i cili, për here të parë qëkurse kish ardhur në Paris, ishte po aq i shdritshëm si në Karaibe, dhe Kulla Eifel që dilte sipër kokës së qytetit në një qiell të shkëlqyer. Funksionari që e priti në këmbë të ambasadorit dukej sikur sapo qe ngritur nga shtrati i lëngimit për vdekje, jo vetëm nga kostumi i zi, jaka mbytëse e këmishës dhe kravata e zisë, por edhe nga lëvizjet e fjetura dhe paqja e zërit. E kuptoi ankthin e Billy Sanchez-it, por i kujtoi, pa e humbur ëmbëlsinë, se ndodheshin në një vend të qytetëruar, normat strikte të të cilit bazoheshin në kritere shumë të lashta, ndryshe nga ato të vendeve barbare të Amerikës Latine, ku mjafton t’i japësh ryshfet portierit për t’u futur nëpër spitale. “Jo, i dashur djalosh!” i tha. S’kishte pra rrugëdalje tjetër përveçse t’i nënshtrohej arsyes dhe të priste deri të martën.

– Në fund të fundit edhe katër ditë kanë mbetur,- përfundoi funksionari.- Ndërkohë, hidhu një herë nga Luvri, se ia vlen mundimi.

Në të dalë, Billy Sanchez u gjend, pa ditur çtë bënte, në Place de la Concorde. Pa Kullën Eifel përmbi çatitë dhe iu duk aq afër, sa mori të shkonte deri atje duke ecur përgjatë bregut të Senës. Mirëpo shumë shpejt u bind se, jo vetëm ishte më larg se ç’e kish pandehur, por edhe ndërronte vend ndërkohë që ai e kërkonte. Kështu që zuri të mendonte për Nena Daconte-n, ulur në një stol buzë Senës. Pa të shkonin nën ura maunet, të cilat nuk iu dukën si barka, por si shtëpi që endeshin ujërave, me çati të ngjyrosura, dritare me vazo lulesh nëpër parvaze dhe tela me rroba të nderura. Soditi për një kohë të gjatë një peshkatar që rrinte pa lëvizur me kallamin e palëvizshëm dhe fillin e palëvizshëm në rrymë, dhe u lodh duke pritur që diçka të lëvizte, derisa filloi të errej dhe ai vendosi të merrte një taksi për t’u kthyer në hotel. Vetëm atëherë i ra mendjes se nuk ia dinte hotelit as emrin dhe as adresën dhe se nuk kishte as idenë më të vogël se në ç’skaj të Parisit ndodhej spitali. Toruahumbur nga paniku, hyri në kafenenë e parë që i zuri syri, kërkoi një konjak dhe u rrek të vinte rregull në kokë. Ndërsa vriste mendjen, e pa veten të përsëritur njëqind herë, dhe nga kënde të ndryshme, nëpër pasqyrat e shumta që vishnin muret, dhe e gjeti atë të frikësuar e të vetmuar dhe atëherë, për herë të parë që kur kish lindur, mendoi për realitetin e vdekjes. Por me gotën e dytë të konjakut e ndjeu veten më mirë dhe i erdhi në kokë ideja e shkëlqyer të kthehej përsëri në ambasadë. Kërkoi në xhep kartelën ku kish emrin e rrugës dhe zbuloi se në anën e pasme ishin shtypur emri dhe adresa e hotelit. Iu prish aq shumë gjaku nga ajo që hoqi, saqë atë fundjavë u mbyll brenda dhe doli vetëm sa për të ngrënë dhe për t’i ndërruar vend makinës në trotuarin që duhej.

Tri ditë me radhë ra pa pushim i njëjti shi majëgjëlpëre dhe i pistë i mëngjesit kur patën mbërritur aty. Billy Sanchez, që kurrë nuk e kish shpënë deri në fund një libër, po kërkonte tani të gjente një që të vriste kohën shtrirë në shtrat, por të vetmit që gjeti në valixhet e së shoqes ishin në gjuhë të huaja. Kështu që vazhdoi të priste të martën duke soditur pallonjtë që përsëriteshin në veshjen prej letre të murevepa pushuar një çast së menduari për Nena Daconte-n. Të hënën e mataroi pak dhomën, duke menduar se ç’mund të thoshte ajo po ta gjente aq rrëmujë, dhe vetëm atëherë zbuloi se palltoja prej vizoni ishte njollosur me gjak të mpiksur. E kaloi pasditën duke e pastruar me sapunin erëmirë që gjeti në valixhen e dorës, derisa e bëri sërish siç ua patën dhënë në avionin e Madridit.

E marta gdhiu e turbullt dhe me ngricë, por pa atë shiun majëgjëlpëre, dhe Billy Sanchez u ngrit që në gjashtë të mëngjesit dhe priti te dera e spitalit së bashku me një grumbull të afërmish të të sëmurëve të ngarkuar me paketa dhuratash dhe buqeta lulesh. Hyri në grumbull me pallton e vizonit në krah, pa pyetur për asgjë dhe pa pasur asnjë ide se ku mund ta gjente Nena Daconte-n, por i sigurt se kish për ta takuar mjekun aziatik. Kaloi nëpër një oborr të brendshëm shumë të madh, me lule dhe zogj pylli, në të dy anët e së cilit ndodheshin pavijonet e të sëmurëve; gratë në të djathtë dhe burrat në të majtë. Duke ndjekur pas vizitorët, hyri në pavijonin e grave. Pa një radhë të gjatë të sëmurash të ndriçuara nga dritat e mëdha të dritareve dhe mendoi se e gjithë kjo qe më e gëzueshme nga ç’mund të përfytyrohej që përjashta. Shkoi gjer në fund të pavijonit, pastaj e përshkoi atë sërish në anën tjetër, derisa u bind se asnjëra nga të sëmurat nuk qe Nena Daconte. Më pas, doli në oborr dhe zuri të kontrollonte që nga dritarja pavijonin e burrave, derisa iu duk se e njohu mjekun që kërkonte.

Qe vertet ai. Ishte me mjekë të tjerë dhe infermierë duke ekzaminuar një të sëmurë. Billy Sanchez hyri në pavijon, shtyu mënjanë një infirmiere dhe iu ngul përballë mjekut aziatik, që ishte përkulur mbi të sëmurin. I foli. Mjeku ngriti sytë e tij të trishtuar, mendoi një çast dhe atëherë e njohu.

– Po ku djallin ishit futur ju!- i tha.

Billy Sanchez mbeti mëdyshas.

– Në hotel,- i tha.- Këtu te kthesa.

Atëherë mori vesh lajmin. Nena Daconte kish vdekur nga humbja e gjakut në orën 7 e 10 minuta të mbrëmjes, të enjten, më datën nëntë janar, pas shtatëdhjetë orë përpjekjesh të kota të specialistëve më të dëgjuar të Francës. Deri çastin e fundit kish qenë mendjekthjellët dhe e qetë dhe kish dhënë udhëzime për ta gjetur të shoqin në hotel Plaza Athenee, ku kishin një dhomë të rezervuar. Pastaj u kishte treguar se si mund të gjenin prindërit e saj. Ambasada qe njoftuar të premten, me anë të një telegrami urgjent që kishte dërguar Ministria e Jashtme e vendit të tyre, në kohën që prindërit e Nena Daconte-s po fluturonin drejt Parisit. Vetë ambasadori u mor me formalitetet e balsamosjes dhe të varrimit dhe u lidh me komisariatin e Policisë së Parisit për të gjetur Billy Sanchez-in. Një njoftim urgjent me të dhënat e tij personale u transmetua, që nga nata e së premtes deri në mbrëmjen e së dielës, nëpërmjet radios dhe televizionit, dhe gjatë atyre dyzet orëve ai qe njeriu më i kërkuar i Francës. Fotografia e tij, e gjetur në çantën e Nena Daconte-s, u shfaq në të katër anët. Ishin gjetur tre Bentley të të njëjtit model, por asnjëri s’qe i tiji.

Prindërit e Nena Daconte-s kishin mbërritur të shtunën në mesditë dhe e kishin përgjuar kufomën në kishën e vogël të spitalit, duke pritur deri minutën e fundit të gjenin Billy Sanchez-in. Edhe prindërit e këtij të fundit ishin njoftuar dhe ishin treguar të gatshëm për të ardhur në Paris, por në fund kishin hequr dorë nga një ngatërresë telegramesh. Ceremonia e përmortshme u bë të dielën në orën dy të drekës, vetëm dyqind metra larg dhomës së qelbur të hotelit, ku Billy Sanchez i vetmuar po jepte shpirt nga dashuria për Nena Daconte-n. Funksionari që e kish pritur në ambasadë, më tregoi, vite më vonë, se atij vetë i kish rëne në dorë telegrami i Ministrisë së Jashtme një orë pasi Billy Sanchez kish dalë nga zyra e tij dhe se e pat kërkuar nëpër lokalet e fshehta të Fauburg-St-Honore-së. Më rrëfeu se nuk ia kish varur shumë kur e kishte pritur, sepse kurrë s’mund t’i shkonte në mendje se ai bregdetas, i hutuar nga të rejat e Parisit e me atë pallto prej lëkure qengji si mos më keq, të ishte prej dere aq të fisme. Po atë të diel në darkë, ndërsa Billy Sanchez mezi po përmbahej që t’ia plaste të qarit nga tërbimi, prindërit e Nena Daconte-s hoqën dorë nga kërkimi, dhe e morën me vete trupin e balsamosur në një arkivol metalik, dhe ata që arritën ta shihnin, s’pushuan së thëni për shumë vite me radhë, se s’kishin parë kurrë grua më të bukur, as të gjallë dhe as të vdekur. Kështu që, kur Billy Sanchez-i hyri më në fund në spital, të martën në mëngjes, varrimi ishte bërë në panteonin e trishtë të La Manga-s, pak metra larg shtëpisë ku ata kishin deshifruar kodet e para të lumturisë. Mjeku aziatik që e vuri në dijeni për tragjedinë, deshi t’i jepte disa ilaçe qetësuese në sallën e spitalit, por ai nuk  pranoi. Iku pa thënë lamtumirë, pa falenderuar kënd, duke menduar se e vetmja gjë e ngutshme për të cilën kishte nevojë, ishte të gjente dikë që t’ia bënte copë të ëmën me zinxhirë, për t’u çliruar nga fatkeqësia e tij. Kur doli nga spitali, nuk mori dot vesh se nga qielli po binte një dëborë pa gjurmë gjaku, flokët e butë e vezullues të së cilës ngjanin si pendë pëllumbash, dhe se në rrugët e Parisit kish zbritur festa, ngaqë kjo ishte dëbora e parë e madhe në ato dhjetë vjetë.

Shqipëroi: Mira Meksi

ObserverKult