Gjykojmë gruan e divorcuar, të përdhunuar, gruan që denoncon…

Nga Brikena Qama

Ajo e la burrin.
Burrin më të mirë në botë ajo e la.
Po patjetër se ajo është kurvë që i ndërron burrat sipas qejfit.
Pasi jeta e saj bëhet publike, sepse ndoshta ka qenë dhe zgjedhja e saj të jetë ashtu, fillojmë ne, të moralshmit dhe gjykojmë me mënyrën më të neveritshme.
Na vjen keq për burrin e hedhur në rrugë e fyejmë atë fëlliqësirë që e la. Na vjen keq për fëmijën që do përjetojë ndoshta keqas divorcin e prindërve ndaj ia shajmë të ëmën deri aty ku nuk mban më, duke ditur që ky fëmijë do lexojë një ditë, po pak rëndësi ka para misionit tonë “njerëzor” për t’i thënë të vërtetën atij fëmije, pra që ai është një “bir kurve”.
Ajo që më goditi në fakt ishte se në aq e aq mesazhe të njerëzve nuk pashë asnjë mendim kundër. Jo kundër logjikës së shkërdhyer të atyre që gjykojnë “kurvat” e shoqërisë, por kundër fenomenit gjykim në përgjithësi.
Kështu gjykojmë gruan e divorcuar.
Gruan e përdhunuar, sepse tek e fundit, kurvës vetë i hëngri kurrizi.
Gruan që bën karrierë pasi ajo vjen vetëm falë kurvërimit.
Gruan që aborton.
Gruan që e lind fëmijën pa qenë e martuar.
Gruan që e jep fëmijën për birësim, kur sheh se nuk i ofron dot diçka më të mirë.
Gruan që e rrit fëmijën vetëm dhe që një moment vendos të ketë dhe një të dashur.
Gruan që denoncon.
Gruan që vret veten, pasi ia plasëm shpirtin me gjykime.
Mentalitet shkërdhatë!
Më e pakta që mund të bëjmë për të mirën e shoqërisë është të shohim punën tonë. / ObserverKult