“Gosti në natën e parë të vjeshtës”, roman që kërkon lexues të përgatitur

Recension për librin “Gosti në natën e parë të vjeshtës” të Gëzim Aliut

Nga Orgesa Roka

Ndryshe nga hapja e romaneve që kemi hasur t’i lexojmë, “Gosti në natën e parë të vjeshtës” fillon me një thënie interesante që gjatë leximit ndikon në mënyrë të pavetëdijshme në anën psikologjike, duke na dhënë pak a shumë një ide për atë se çka do të përjetojmë pas qasjes së plotë në libër. Si tema kryesore të romanit: ngjarjet e paraluftës dhe të luftës na shfaqen me anë të rrëfimit që personazhet bëjnë në mes vete mu në vendngjarjen dhe në kohën e pasluftës që e pasqyron vetë Gostia. Duket se autori ka bërë një lojë mu në titull, me vetë faktin se gostia do të duhej të shihej si një arsye e një bashkimi për të festuar, por ajo e vërteta shihet përmes botës së brendshme dhe mendimeve të Cenit (personazhit kryesor). Me Cenin autori ia ka dalë më së miri ta shprehë botën në të cilën ndodhet kushtimisht çdo njeri dhe jashtë së cilës nuk mund të ekzistojë. Kemi të pasqyruar jetën e Cen Berishës si pjesëtar i një shoqërie në aspektin fizik por jo edhe sa i përket aspektit emocional e psikologjik të tij. Autori bën ndarje sa i përket pikës së këndvështrimit ku i vendos personazhet, jep botë të kundërta të vendosura në një ambient të mbushur me shumë “intelektualë” pranë njëri-tjetrit, ku secili nga ata ironizohet në sytë dhe në botën e brendshme të  Cenit. Pra ironia është figura kryesore e cila e dominon romanin dhe mund të haset edhe  në bisedimet e personazheve mes vete dhe në mendimet e personazhit kryesor si:

“Në dhomën e ndenjës, përveç atyre studentëve të degëve të ndryshme të artit, që kishin ardhur më herët, vazhdonin të vinin artistë, gjysmë-artistë, pak-artistë dhe asnjëtrohë artistë.” [1]

 Personazhet tipizohen në atë pikë ku marrin vetitë karakteristike të një rrethi shoqëror. Duket qartë se ai është aty, por mendja dhe bota e tij e brendshme ndalojnë dhe vështrojnë gjithçka nga një pikëpamje tjetër që dërgon direkt në një lidhje psikologjike më ndryshe. “Në roman gërshetohen lufta, jo vetëm lufta kundër armikut por edhe lufta e njeriut me vetveten, edhe lufta e njeriut me tjetrin, edhe lufta e njeriut me natyrën.”[2] Anita, gruaja e Cenit si personazh tjetër kryesor ndërtohet si grua e suksesshme që jeton e lumtur në botën e saj, që e përqafonte suksesin por që del në kundërshtim me idealet dhe interesat e Cenit, gjë që bën që ky i fundit tashmë të humbasë interes për të dhe të marrë kahje të kundërt drejt realizimit të dashurisë epshore. Përjetimet e thella shpirtërore nga ana e personazhit kryesor lidhen me mëdyshjen e tij për fatin e dorëshkrimit, nëse duhet apo jo të heqë dorë nga shkrimi. Vetëm kjo ide e vendos personazhin në qëndrim të luhatshëm dhe  në shumë ndryshime të gjendjes së tij të brendshme, nga mllefi në qetësi, nga mençuria në njëri të dobët para dëshirave të tij, nga frika dhe pasiguria në një njeri të vendosur etj. Në vepër vihet re edhe mënyra si ky e koncepton dhe e vesh dorëshkrimin e tij me vlerat e njeriut: A thua çfarë gjaku do t’i rridhte/ Kishte ardhur momenti i ekzekutimit etj. Teknika e rrëfimit, ajo çka autori përdor me mjeshtëri në kontinuitet të veprës, lidhja e pandërprerë mes së kaluarës dhe aktuales, i jep veprës një vlerë të veçantë dhe jashtëzakonisht të madhe, pasi autori rrëfen brenda rrëfimit dhe trajton ngjarje nga njohja personale e jetës. Këtë na e bëjnë të kuptojmë ngjarjet e luftës dhe paraluftës të cilat edhe pse të vërteta janë të ndërthurura si fryt i imagjinatës sa i përket mënyrës si janë të shprehura nga ana e personazheve. Autori arrin që ta paraqesë tabllon e një populli që korrespondon me personazhet më dytësor të veprës. Kjo teknikë si dominim në vepër ka bërë që teksti të komunikojë më lehtë me lexuesin dhe të ruhet kuptimi në të njëjtën kohë prandaj këtu ka një kronologji të ngjarjeve që zhvillohen vetëm për disa orë brenda një nate. Motivi social, psikologjik dhe ai erotik e përbëjnë triomin e veprës dhe shërbejnë si shtylla në bazë së të cilave është ndërtuar vepra, e që këto ndikojnë që vepra të jetë e përshtatshme edhe për lexuesin semantik dhe atë semiotik. Dashuria si njëra nga elementet e veprës na shfaqet si dashuri tashmë për botën e brendshme e cila nuk e linte më estetikën të dominojë.

Puthjen e lehtë në buzë, Ceni e përjetoi sikur prekje mishi të lëngshëm, por të pashijshëm. Gruan nuk e donte më, kryesisht falë sjelljes së saj, karakterit të saj mbizotërues, prepotent, të njeriut që mendon se është gjeni.”[3]

 Karakteristikë tjetër është edhe struktura e vepës cila edhe pse nuk është e ndarë në kapituj, e cila e vendos lexuesin në një rrjedhë të pashkëputur nga e cila lexuesi i mirëfilltë do të mund t’i përceptojë “ndarjet” në lexim e sipër, siç është rasti te pjesa e rrëfimeve apo ndërfutjes së poezisë në vepër.

Po të ishe ti Kishë/ e po të isha unë/ Besimtar/ do të vija të lutesha/ në gjunjë te ti/ por, ti nuk je Kishë/ as unë Besimtar.”[4]

 Autori duket se personazhet i ka krijuar si personazhe komplekse sa i përket mendimeve dhe kjo  na jep ne lexuesve një përgjithësim idesh të njerëzve në lidhje mbi temën e Zotit ose të krijesës seksuale, kur i vë ballë për ballë Cenin dhe Letën. Po ashtu mjaft mirë janë të shprehura momentet kur një ngjarje apo rrëfim pushon për t’i lënë hapësirë rrëfimit tjetër. Tendencë interesante e autorit shihet edhe përpjekja për vendosjen e shkallës së kulminacionit të veprës pikërisht në faqet e fundit kur të gjithë janë të lodhur dhe Cen Berisha e shfrytëzon rastin e niset drejt dorëshkrimit, ndonëse ideja kishe qenë e përhapur qysh në faqet e para. Përpjekjet për të qenë sa më real autori ia del qysh nga fillimi i veprës sidomos në përdorimin e gjuhës. Duke marrë parasysh periudhën kur është shkruar dhe periudhat kohore të cilat vepra i prek,  te folësit (personazhet) shohim një gjuhë bindëse dhe pa komplekse në përdorim, gjë që e tipizon personazhin e caktuar me  njeriun e kohës sonë dhe e pasuron edhe me shumë veprën si shkrirje të trajtave dialektore.

-T’baftë mire![5]

Faleminderit![6]

Duket se autori fshihet pas mendjes së Cenit e në monologjet e brendshme të tij dhe përpiqet të na e shfaq atë që është duke parë në realitetin shoqëror, dhe e tërë kjo përmes dialogjeve që zhvillohen nga të pranishmit në gosti, të cilët ky i sheh si përbërës të një organizmi yndyror.

Pos anës figurative dhe asaj strukturale si një mënyrë karakteristike dhe jo e zakonshme në roman na vjen edhe paraqitja e narratorit si:

Shpejt, tha me vete. Kur vjen casti, cdo gjë ndodh shpejt. Jeta është e këtillë. Fat dhe rastësi që rrjetëzohen pakëputur, mendoi. Një trohë besim në Zotin edhe përpëlitej në brendi të tij: pikë e qetë në qenien e tij të shurdhuar. Nuk e mori vesh pse i shkoi mendja te Zoti. Po, tha me vete pas pak. Për dorëshkrimin ai ishte zot. Prandaj dhe Zoti bën c’të dojë me këtë gjithësi tutkune, tha me zë.[7]

Pra vërejmë se kemi raste kur kur narratori është autori i cil flet për Cenin dhe narrator është vetë personazhi (Ceni).

Në fund mund të themi se “Gosti në natën e parë të vjeshtës” vjen si kombinim dhe shkrirje perfeke e realitetit dhe psikologjisë, andaj kërkon edhe lexues të përgatitur e jo sipërfaqësor. Është një roman i përshtatshëm për lexuesin e tipit “mind games”, që depërton përtej reales dhe është në gjendje të hyjë pak a shumë në lojën e botëkuptimeve të brendshme. E këtë më së miri e bën kjo vepër e Gëzim Aliut./ ObserverKult


[1] Gëzim, Aliu: Gosti në natën e parë të vjeshtës, Koha, Prishtinë, Fq.19
[2] Gëzim, Aliu: https://www.youtube.com/watch?v=SC40WlsumOI, dhjetor 2019
[3] Gëzim, Aliu: Gosti në natën e parë të vjeshtës, Koha, Prishtinë, Fq. 15
[4] Gëzim, Aliu: Gosti në natën e parë të vjeshtës, Koha, Prishtinë, Fq. 64
[5] Gëzim, Aliu: Gosti në natën e parë të vjeshtës, Koha, Prishtinë, Fq.152
[6] Po aty, Fq.152
[7] Gëzim, Aliu: Gosti në natën e parë të vjeshtës, Koha, Prishtinë, Fq.232