Misionet katolike në Shqipëri datojnë herët, por kontributi që ato sollën në shoqërinë shqiptare, në aspektin arsimor dhe atë kulturor, është i dokumentuar me shekuj pas vendosjes fillestare. Kështu, kryesisht nga kleri françeskan, i cili ishte i përhapur dhe vazhdon të jetë edhe sot, me kuvende të shumta, kryesisht në veri të vendit, u përpiluan gramatika e fjalorë të gjuhës shqipe, të cilët do të ndihmonin misionarët që pas tyre do të vinin të shërbenin në Shqipëri.
Në revistën “Diturija”, botuar në Tiranë, në numrin XXII, fq. 336 gjendet një artikull, i cili tregon se një prift me emrin P. Zef (Giuseppe) Iccaran O. F.M ., misionar në Shqipëri, vitvdekja e të cilit është 1678, shkruan një libër me titull “Dictionarium epiroticum”.
Një misionar tjetër, për fat të keq i panjohur, shkruan një gramatikë të vogël në gjuhën shqipe, me një shtojcë në turqisht, në vitin 1710. Për herë të parë, kjo gramatikë vërehet si dhuratë kushtuar kardinalit Prefekt të Propagandës, i cili ishte një Eksprefekt i Misionit të Shqipërisë.
Në vitin 1716, prifti italian i urdhrit të françeskanëve P. F. da Lecce O. F. M., bëhet i pari përpilues i një gramatike të plotë të gramatikës shqipe, rëndësia e së cilës vlen edhe sot. “Osservazioni grammaticali nella lingua albanese” botohet në Romë nga S. Cong. Di Propaganda. Gjithashtu, dihet se ai ka shkruar edhe një fjalor, i cili ka mbetur i papërfunduar. I vetmi informacion për të vjen nga G. Camarda, i cili, mes të tjerash, e lavdëron shumë punën e tij, transmeton ‘konica.al’.
Në vitin 1935, në Bibliotekën e Kuvendit Françeskan të G’juhadolit në Shkodër, ishte i ruajtur një dorëshkrim nga P. Dario Bucciarelli O. F. M. me titull “Grammatica della lingua albanese”, shkruar në vitin 1858. Çfarë ka ndodhur me të, nuk dihet, por me shumë mundësi nuk i ka rezistuar furisë komuniste.
Në vitin 1862, P. Bonaventura da Francavilla O. F.M., shkruan “Elementi grammaticali di lingua epirotica” në format 80 fq. 110. Sipas dëshmisë së Atë Donat Kurtit, të bërë po në vitin 1935 në revistën “Hylli i Dritës”, dorëshkrimi ruhej në Bibliotekën e Kuvendit Françeskan të G’juhadolit në Shkodër.
Në vitin 1866, P. Francesco Rossi da Montalto O. F. M., bazuar në gramatikën e da Lecce-s boton “Regole grammaticali della lingua Albanese, compilate sulle tracce dei buoni grammatici e del Francesco M. da Lecce”.
Urdhri i fretërve minorë, të cilit i përkasin të gjithë studiuesit e lartpërmendur, vepronte në veri të vendit, prandaj edhe gramatikat e përpiluara nga këta studiues i përkasin dialektit gegë.