Gratë për burrat dhe burrat për gratë

liber emini nje grua

(Ese e pazakonshme për një libër të pazakonshëm)

Shkruan: Ahmet Selmani

Shpesh më ka rastisur që, gjatë leximit të ndonjë libri apo të ndonjë shkrimi tjetër, sakaq, të më shkrepë ideja për ta shkruar një libër apo për të dhënë një përgjigje rreth tij. Në të vërtetë, kjo zanafillë e papritur më ka vënë në një rol metafizik, duke më futur në një proces vazhdimësie, mbase si në një rindërtues, si një rikrijues, si një plotësues apo si një korrigjues i tekstit të autorit tjetër. Pikërisht për këtë arsye gjithmonë lexuesin e kam konsideruar si një partner të barabartë në “krijimin” e një vepre apo të një teksti, si një binom të dialektikës krijuese.

Pa dyshim, këtë ndjesi e pata edhe gjatë leximit të librit me titull: “Gjithçka që di një burrë për një grua” të autores Libera Emini, ndjesi kjo e cila, madje, më shpiente përtej kësaj rrethane hipotetike e hermeneutike, duke synuar të krijoj diçka nga nënvetëdija ose nga intuita ime krijuese e intelektuale, pa u mbështetur në tekstin klasik apo në atë të shkruar, por thjesht duke marrë si shkas vetëm një “tekst” të pashkruar, një heshtje apo një abstragim, një materie të paqenë, por që flet e që intrigon pafundësisht me mosqenien e vet tipografike brenda librit.

Në këtë mënyrë, mbase fillimisht duhet theksuar faktin se ky libër është atipik, është libër i pazakonshëm, është libër feminist, libër i protestës, libër i nënkuptimit, libër i heshtjes, libër i sfidës, libër rebelues etj. Dhe, mbi të gjitha, është një libër me kontekst psikologjik dhe filozofik njëkohësisht, madje që përpiqet të ngrihet mbi njërën dhe mbi tjetrën, duke i tejkaluar këto fusha me një mesazh abstenues ose abstragues.

Titulli i këtij libri vetvetiu është shumë provokues dhe grishës për lexuesin, por përgjigja është shumë “zhgënjyese” dhe “ironike”, për faktin se pasojnë rreth dyqind faqe të zbrazta njëra pas tjetrës, duke lënë vetvetiu të nënkuptohet ose të perceptohet se një burrë nuk mendon fare për një grua, ose, aq më keq, një burrë është krejtësisht shpërfillës e moskokëçarës për një grua. Pra, “përgjigjja” është blanco, është tabula rasa. Ndaj, si rezultat i kësaj, mund të arrihet në përfundim se kemi të bëjmë me një libër pa tekst, ose pa përgjigje konkrete. Ose, me një libër që duhet apo që mund “të shkruhet” nga dikush tjetër, ose që duhet apo që mund të nënkuptohet nga dikush tjetër. Thënë edhe më thjesht, për nga teksti, fillimi i librit është edhe fundi i tij. Porse pikërisht ky fund është edhe fillim. Dhe aty dyert janë të hapura për lexuesit (burrat) që mund të japin një përgjigje se çfarë mendojnë për gratë. “Ironia” më e madhe është se pas të gjitha faqeve të zbrazta, në fund autorja thotë: “Falemnderit, lexues i dashur, për kohën që ia kushtove këtij libri paksa të ekzagjeruar”, duke e përmbyllur me një citat të Bles Paskalit: “Kërkoj ndjesë që e zgjata kaq shumë me këtë libër, por nuk pata kohë të shkruaja një më të shkurtë”.

Duke u nisur në radhë të parë nga pozicioni i lexuesit, por njëherësh edhe nga pozicioni mashkullor, po marr guximin që ta “deshifroj” blancon e autores, bardhësinë e librit në fjalë, për të krijuar motërzimin tim “mashkullor” për një çështje “femërore”. Pa dyshim, kjo është krejt personale; është një gërshetim i faktit historik dhe atij ekzistencial, është një konceptim ontologjik dhe gnoseologjik, si një qasje fenomenologjike e cila mëton të krijojë mozaikun e qartë të një mendësie.

Me thënë të drejtën, shumë herët më ka intriguar kjo temë me karakter gjinor, së pari brenda konceptit të matriarkatit i cili, me sa duket, kurrën e kurrës nuk u shpjegua siç duhet nga studiuesit dhe nga filozofët e ndryshëm, madje ndoshta as nga antropologu zviceran Johan Jakob Bahofen e as nga ai amerikan Leuis Henry Morgan, të cilët njihen si njohësit më të mirë të kësaj çështjeje në aspektin historik, ekzistencial, sociologjik e filozofik. Sipas gjykimit tim, matriarkati gjithmonë më është dukur se nuk ka ekzistuar kurrë si realitet në kuptimin e sundimit gjinor, siç mund ta perceptojmë sot, por thjesht vetëm si një rrëfim mitologjik duke e përdorur si një referencë për studimet e shumta antropologjike e sociologjike. Pra, për sa i përket kësaj, gjithçka sillet në arealin vicioz të mitologjisë duke u identifikuar me emrat e hyjneshave të njohura siç janë: Afërdita (dashuria), Athina (urtësia), Dika (drejtësia), Gea (toka) etj. Në këtë kontekst ndoshta mund të kuptohet pak a shumë supremacia e matriarkatit.

Ndryshe nga kjo, primati i patriarkatit është një koncept më i rrënjosur në kohë dhe në hapësirë, duke mbijetuar fuqishëm që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, kur format e tij ende duken të vrazhdëta e egërshane. Nëse nisemi nga gjeneza biblike, Eva u krijua nga brinja e Adamit, përkatësisht gruaja u shkëput dhe doli nga trupi i burrit. Ndaj sipas renditjes kozmogonike e teologjike, i pari është burri, e dyta është gruaja. Ndërkaq, gjithçka tjetër gjatë ekzistencës së mëvonshme të njerëzimit, kryekëput u ngjiz dhe doli nga gruaja. Në të vërtetë, sipas kësaj premise, po del se edhe religjioni është patriarkal (identifikohet me shfaqjen e Adamit).

Nëse kalojmë nëpër rrafshin e mitologjisë dhe të letërsisë, do të shohim se patriarkati manifestohet në mënyrë shumë më tragjike. Për shembull, flijimi i Ifigjenisë nga babai i saj, Agamemnoni, s’është asgjë tjetër, përveçse një ritual tejet i llahtarshëm  patriarkal. Duke u ndërlidhur me këtë, në kontekstin e realitetit tonë patriarkati sigurisht është sui generis; ta zëmë, në arealin mitologjik ekziston flijimi i Rozafës në muret e kështjellës. Nga logjika feministe, vetvetiu shtrohet pyetja rebeluese: Vallë, pse nuk u flijua një burrë, por një grua (Rozafa)? Ose, gojëdhëna tjetër, ajo e Doruntinës, të cilën e kthen në shtëpi i vëllai, Konstantini. Vallë, pse nuk kthehet vetë Doruntina, por duhet të presë gjersa të ngrihet nga varri Konstandini i vdekur dhe ta sjellë atë tek e ëma? Mbase edhe dekonstruksioni i mitit (sipas filozofit francez Zhak Derida) është i domosdoshëm për ta kuptuar thelbin e patriarkatit shqiptar, i cili herë vjen si një mendësi reale deri në ditët e sotme, e herë si një fantazmë e frikshme që futet edhe në rrafshin onirik. Në fakt, rrënimi i mitit është shpalosje e së vërtetës, e cila shfaqet e rishfaqet në qindar e mijëra forma gjatë historisë dhe mitologjisë. Në këtë kuptim, patriarkati shqiptar është një patriarkat shumë i theksuar, është semantikë e shëmtuar ekzistenciale, është filozofi e pashkruar absolute, është modus vivendi rrëqethëse, është forcë e përbindshme që shtyp vox clamantisin femëror etj. Në Kanunin e Lekë Dukagjinit, thuhet prerazi: “Me rrahë burri gruen, nuk bjen n’faj”, “Burri nuk ka tagër mbi jetë t’grues”, “Gruja për dy punë e ka fishekun n’pajë, për kurvni e për mik t’premë” etj. (Nye 28-32).

Çështja e gruas si flijesë nga mendësia patriarkale shqiptare është trajtuar edhe në fushën e letërsisë. Kështu, siç e kemi të njohur, Anton Zako Çajupi e trajton në komedinë e tij “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”. Personazhi i tij, Tana (vjehrra) thotë: “Nuk dua nuse për sisë, po për punët e shtëpisë”. Po ashtu, në njërën nga vjershat e tij, ky autor thotë: “Moj e mjera grua, ç’e do burrëzinë, që ftohet në krua, dhe ti mban shtëpinë?” Nga ana tjetër, personazhi sentimental i Haki Stërmillit, Dija e mbyllur brenda mureve të shtëpisë, thotë: “Sikur t’isha djalë!”

E gjithë kjo dëshmon qartë se, të qenit grua apo vajzë, është një mallkim i llojit të vet në realitetin shqiptar. Kjo mendësi patriarkale është shpërfaqur në mijëra variacione të shëmtuara të ekzistencës reale, madje edhe me përmasa shumë të gjera kolektive. Bie fjala, një ish-oficer i CIA-së, i cili para Luftës së Dytë Botërore kishte qenë në Shqipëri, gjatë një bisede në TV Klan, kur e pyetën se cili është dallimi në mes realitetit të atëhershëm shqiptar dhe atij sot, ai u përgjigj: “Në atë kohë në Shqipëri shihje vetëm gomarë dhe gra të ngarkuara në shpinë duke ecur rrugës… Burrat argëtoheshin e loznin diku nën hije… Shpresoj që tani të ketë ndryshuar…”.

Të gjitha këto edhe sot përplasen si rrufe e gjëmshme në realitetin paradoksal shqiptar, duke përfunduar në mënyrë tepër tragjike. Janë të shumta vrasjet e grave e të vajzave kudo në hapësirën shqiptare për arsye të ndryshme. Po ashtu, janë të panumërta paragjykimet e burrave dhe të djemve ndaj grave e vajzave; ato shpërfaqen me një brutalitet të paparë në jetën publike dhe në rrjetet sociale. E gjithë kjo është shndërruar në një dukuri buliste, maskiliste e seksiste të pakundshoqe, e cila madje arrin gjer në nivelet më të larta të institucioneve shtetërore, ku përfaqësuesit e popullit i përgojojnë e i etiketojnë edhe nënat, motrat, gratë dhe vajzat e njëri-tjetrit për veprime amorale etj. Për shembull, aventurat dashurore të grave cilësohen si kurvëri, ndërkaq aventurat e burrave si donzhuanizëm. Në fjalorin shqiptar mund të gjesh me dhjetëra e qindra fjalë për gratë si: kurvë, lavire, prostitutë, rrospi, e përdalë, lojcake, bishtdredhur, putanë, etj., etj. Ndërkaq, për burrat pothuajse nuk gjen asnjë fjalë të këtij lloji denigrues e poshtërues. Kjo do të thotë se edhe leksiku është patriarkal.

Përse edhe sot e kësaj dite duhet të ekzistojnë të ashtuquajturat virgjëresha (burrnesha, gra që e shpallin veten si burra) si relikte të zymta patriarkale? Ç’është ky vetëmohim absurd i gjinisë femërore në emër të të ashtuquajturës burrni? Mbase tema e këtillë ka qenë tepër intriguese edhe për letërsinë. Bie fjala, shkrimtarja nobeliste kanadeze Alise Munro ka shkruar romanin “Virgjëresha shqiptare”, duke risjellë para lexuesve të botës variantin e burrneshave shqiptare të ngjashëm me atë të amazonave mitologjike. Gjithsesi, si temë është shumë ekzotike për botën, por si realitet është tepër i shëmtuar. Deshëm apo s’deshëm ta pranojmë, ky është patriarkalizëm primitiv shqiptar i cili ende mbijeton si një bimë e keqe në jetën shoqërore. Në qoftë se nëpër botë ekzistojnë organizata feministe në kuptimin më ekstrem të kësaj fjale, të cilat promovojnë edhe heqjen e mitrës në emër të barazisë gjinore, te rasti i virgjëreshave shqiptare abstenimi biologjik ndodh në emër të burrnisë.

Sigurisht pyetjet janë të panumërta lidhur me paradokset e patriarkatit shqiptar. Pse burrat shqiptarë duhet të enden udhëve të botës si “Odise” homerikë, ndërkaq gratë shqiptare duhet t’i presin si “Penelopa” të mbyllura në shtëpi? Përse kur lind djalë, duhet të shtihet me armë për të dhënë lajmin, ndërkaq, kur lind vajzë duhet të thuhet: “Lindi goca, u nxi tavani”, ose “Lindi çika, po kajnë tratë e shpisë”?

Duke marrë parasysh këtë realitet kaq të shëmtuar mental e shoqëror, mund të thuhet gojaplotas se burrat shqiptarë kanë dështuar në të gjitha marrëdhëniet njerëzore me gratë. Prandaj, rrjedhimisht, të gjitha meritat u takojnë grave për shumë çështje ekzistenciale e shoqërore. Shikuar në përgjithësi, nga e gjithë kjo del qartë se qenien shqiptare e kanë shpëtuar gratë në të gjitha format e mundshme. Ta zëmë, arritjen më të madhe në bërjen e shtetit e ka shënuar mbretëresha Teutë e Ilirisë. Këtë nuk e ka bërë askush tjetër nga burrat e mëvonshëm, madje as Gjergj Kastrioti e as Ismail Qemali.

Botës shqiptare i mungojnë shumë gjëra të vogla për ta paraqitur madhështinë e gruas. Në qoftë se Leonardo da Vinçi ka piktururar në mënyrë gjeniale “Mona Lizën” e famshme, duke e lartësuar gruan në përmasa universale, te shqiptarët është shfaqur Kolë Idromeno me pikturën e tij “Motra Tone” e cila mezi shfaqet edhe brenda hapësirës shqiptare. Pra, të tjerët e kanë ngritur gruan në piedestalin më të lartë, duke krijuar metaforën universale të njerëzimit, ndërkaq, ne ende vuajmë nga bastardët që e shajnë dhe që e fyejnë figurën e humanistes së madhe shqiptare, Nënë Terëzës. Fatkeqësisht, te shqiptarët ende ekziston linçimi dhe dënimi kolektiv, sepse është fryma e egër patriarkale ajo që e përcakton kodin e ekzistencës. Këtij realiteti të mynxyrshëm më së miri i shkon ajo thënia e mbretit anglez, Henri VIII, i cili pat thënë: Gruaja ime e parë vdiq ngaqë hëngri kërpudha helmuese. Gruaja e dytë vdiq ngaqë po ashtu hëngri kërpudha helmuese. Të tretën e mbyta unë ngaqë nuk deshi të hante kërpudha”.

Përballë kësaj, bota mashkullore shqiptare ende nuk e kupton alarmin ekzistencial e shoqëror; burrat kurrë nuk do të jenë të lumtur me veten e tyre derisa t’i shpërfillin, t’i shtypin apo t’i vrasin gratë. Kurrë nuk do të jenë të lumtur derisa të mos mësohen të dashurojnë njerëzisht dhe jo të veprojnë kafshërisht.

Burra, më vjen keq që jeni njerëz! Gra, më vjen keq që na quani burra! Gra, sinqerisht më vjen turp që jam burrë!

ObserverKult