Gregory Corso: Ty më së shumti të kam dashur në jetë… ama…

Nga Gregory Corso

Ngjita gjashtë palë shkallë
deri te dhoma ime e vockël e mobiluar
hapa dritaren
dhe zura t’i flakja përjashta
gjërat më të rëndësishme në jetë.

Gjëja e parë, e Vërteta, kuiste si hafije:
“Mos! Do të them gjëra të tmerrshme për ty!”
“Oh, vërtet? Epo, unë s’kam gjë për të fshehur… Jashtë!”
Pastaj radhën e kishte Zoti, duke më shikuar me inat dhe i qaravitur në habi:
“Nuk është faji im! Unë nuk jam shkaku i gjithë këtyre vakive!” “Jashtë!”
Pastaj Dashuria, duke gugatur me mitë:
“Kurrë as që do të të shkoj mendja në impotencë!
Të gjitha vashat nga ballinat e Vogue, do të jenë tuat!”
Ia shtyra prapanicën e saj të trashë përjashta dhe bërtita:
“Ti gjithmonë përfundon në zhgënjim!”
E kapa Besnikërinë Shpresën Shpirtbutësinë
që të trija kacavirreshin së bashku:
“Pa ne ti me siguri do të vdesësh!”
“Me ju do të çmendem! Lamtumirë!”

Pastaj Bukuria… ah, Bukuria –
Derisa e çoja te dritarja
I thashë: “Ty më së shumti të kam dashur në jetë
…ama ti je vrasëse; Bukuria vret!”
Nuk e kisha bash përnjëmend ta flakja
Menjëherë zbrita shkallët
për të arritur në kohën e duhur për ta zënë
“Më shpëtove!” bërtiti ajo
e lëshova poshtë dhe i thashë: “Baje bishtin.”

Ngjita prapë ato gjashtë palë shkallë
shkova te paratë
nuk kishte para për t’i flakur jashtë.
E vetmja gjë që kishte mbetur në dhomë ishte Vdekja
që fshehej përfundi sqollit të kuzhinës:
“Nuk jam e vërtetë!” bërtiti
“Unë jam sall thashetheme e përhapur nga jeta…”
Duke qeshur e hodha jashtë, bashkë me sqollin e kuzhinës
dhe befas e hetova se sall Humori
kishte mbetur –
E gjitha që mund të bëja me Humor ishte t’i them:
“Dil jashtë nëpër dritare bashkë me dritare!”

*Titulli i origjinalit: “Lesh e li… pothuajse”

Përktheu: Fadil Bajraj

ObserverKult


Lexo edhe:

GREGORY CORSO: E SHKRUAR NË PRAG TË DITËLINDJES SIME TË 32-TË

Një poezi e ngadalshme e kuptimplote spontane

Jam 32 vjeçar
dhe më në fund po e shikoj moshën time, nëse asgjë më tepër.
Është fytyrë e mirë ajo që më nuk është fytyrë çuni?
Duket më e mbushur. Dhe flokët e mi,
më nuk janë kaçurrela. A e kam hundën të madhe?
Buzët janë të njëjta.
Dhe sytë, ah sytë gjithnjë po më bëhen më të mirë.
32 vjeçar dhe pa grua, pa fëmijë; pa lëndime fëmijësh,
ama ende ka kohë.
Më nuk sillem hajvançe.
Dhe për shkak të kësaj më duhet të dëgjoj nga të ashtuquajturit miqtë e mi:
“Ke ndryshuar. Ke qenë aq i krisur aq madhështor.”
Ata nuk e ndien veten mirë kur jam serioz.
Le të shkojnë në Radio City Music Hall.
32; e kam parë gjithë Europën, kam takuar miliona njerëz;
kam qenë i mrekullueshëm për disa, i tmerrshëm për tjerët.
Më kujtohet ditëlindja e 31-të kur pata bërtitur:
“Sall për të kujtuar se do t’më duhet t’i jetoj edhe 31 vite tjera!”
Nuk e ndiej veten asisoj në këtë ditëlindje.
Po ndihem se dua të jem i urtë me flokë të thinjura 

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult