Grua, mos lejo askënd që të shkarkojë rrufetë e zemërimit mbi ty!

mimoza çobo Guxoj të puth rrënjët e shpirtit, se të dua, dua fuqinë legjendare, që rrezaton si burrë, guxoj të admiroj nurin e bukurive të tua, nurin e thjeshtësisë, që nuk vyshket kurrë.

Nga Mimoza Çobo

Kam shkruar qindra vargje poetike për gruan, shkrime eseistike për dhunën psikologjike dhe fizike  që ushtrohet barbarisht ndaj saj, por duke parë se fenomene të tilla ende ekzistojnë, madje po trondisin themelet e familjes dhe po egërsojnë dallgëzimet e jetës, pena ime do të vazhdojë të shkruajë, për të mbrojtur me stoicizëm të drejtat themelore dhe liritë e cunguara të grave edhe për aq kohë sa vetë gruaja, familja dhe shoqëria të edukohen me normat e shoqërisë moderne, të ndërgjegjësohen duke pastruar gjakun dhe trurin nga atavizmat e së kaluarës.
Ti, grua, je krijesë me zemër vigane, me shpirt të butë, zotëron fuqi hyjnore për të dhënë e për të marrë dashuri, prandaj Zoti të ka dhënë misionin më të rëndësishëm në tokë: të lindësh krijesat e vazhdimësisë së jetës, t’i ushqesh me limfën e gjirit, t’i edukosh dhe t’u tregosh si të bëhen zotë të vetes.
Por, që të përmbushësh qëllimin e misionit tënd hyjnor, duhet të hedhësh hapa të sigurt, të mos frikësohesh nga realiteti dhe vështirësitë e kohës, të mos gjunjëzohesh nga diktati i burrave me muskuj të fuqishëm, por me tru mjeran.
Që të jesh e denjë për misionin që të ka dhënë Zoti, krijo brenda vetes siguri, demonstro vetëbesim, përcill besueshmëri tek njerëzit që të rrethojnë, çimento me zgjuarsi vlerat dhe pasqyrat e krenarisë femërore, lufto për të arritur qëllimet e synimet e tua duke përdorur arsenalin e armëve më të fuqishme të kulturës dhe dijeve që disponon.
Vetëm kështu, Ti do të arrish të krijosh kurorën e madhështisë së emrit tënd të mirë, si në familje dhe në shoqëri. As unë dhe as ti, nuk e dimë se si do të jetë e ardhmja, por për një gjë jemi të sigurta: fara e dashurisë, e përkushtimit dhe e mirësisë që kemi hedhur në shpirtin e burrit dhe të bijve tanë, do të japin fryte të mira.
Unë  gjithmonë kam besuar se një fjalë e ngrohtë e thënë në kohën, vendin dhe tek njerëzit e duhur, është si trëndafili diellor në gdhendje argjendi.
Prandaj ti, grua me zërin tënd të ëmbël mbushe me cicërima dashurie shpirtin e burrit ,dhuroi ngrohtësi, gjallëri dhe jetë familjes, ushqe me oksigjen mushkritë e dashurisë dhe të universit, sepse vetëm kështu përmbush qëllimin e misionit tënd hyjnor në tokë.
Kam arritur të kuptoj,se një gruaja e mençur i ka sytë në ballë dhe di të shkelë me zgjuarsi jo vetëm në udhët që kanë dritë, por dhe të çajë me inteligjencë shtigjet e errëta, në kërkim të dritës.
Por kam njohur shumë gra, të cilat thyhen moralisht dhe heqin dorë nga vepra e bërë  nga mendja dhe gishtërinjtë e tyre, duke bërë që ëndrrat e tyre t’i mbulojë përgjithmonë pluhuri i harresës.
Një grua e mençur nuk duhet të hedh vështrimin tek gjërat e vogla dhe pa rëndësi, por tek gjërat, të cilat i japin epërsi madhështisë së emrit të saj ,që t’i jap fund fodullëkut dhe kryelartësisë së burrit.
Ti, grua ke qenë përherë fashuese plagësh  për burrin, për bijtë e tu, fisin dhe shoqërinë, por kur të tjerët brutalisht të kanë shkaktuar plagë, askush nuk e ka bërë rolin tënd prej martire, por i kanë lënë plagët e tua të rrjedhin e kullojnë gjak.
Dhe nëse në jetë ,për hir të fëmijëve, të duhet të falësh mëkatet e burrit, dije se ti fisnikërohesh si grua dhe atij i lë të kuptojë, se kur burri thyen shkëmbinj në trupin e gruas, duhet t’i thërrasë mendjes, se një ditë do të plagoset për vdekje dhe nuk do gjejë ngushëllim, as te Zoti.
Dëgjojeni ulërimën korale të grave rozafa të murosura me thikë në zemër , që vjen nga thellësitë e tokës, është mesazhi më i fuqishëm që trondit themelet e kombit dhe thërrmon qiejt e ndërgjegjjes njerëzore.
Prandaj, ty, o grua që je gjallë, të them: Mos lejo askënd që të shkarkojë rrufetë e zemërimit mbi ty, mos lejo që emri yt të vetmojë, si qyqet mbi muranën e djerrët, mbuluar nga pluhuri dhe balta e ndëshkimit !
Duaje veten, lufto, bëhu e fortë, shtrëngoje jetën me dhëmbë, ngushëlloje vetë veten tënde, kur të tjerët nuk të ngushëllojnë, hidhi në erë dhimbjet e shpirtit,si hidhet drithi për t’u pastruar, që era t’i shpërndajë tek njerëzit që arrijnë të kuptojnë dhe ndiejnë dhimbjen tënde.
Vetëm kështu do të nderojnë dhe do çmojnë vlerën e vërtetë të ekzistencës tënde, si krijesa më e përsosur, që rrit farën e jetës në prushin e trupit, që i jep energji embrionit të shpërthejë, që e ushqen me gjak dhe kur vjen koha e përshtatshme, përshkon me hapa vetëtime Luginën e Vdekjes, për të sjellë krijesën njerëzore në planetin Tokë.
Unë dëshmoj energjitë e pashtershme dhe genin e misionit hyjnor që kemi ti dhe unë, besoj se përderisa arrijmë të sfidojmë Luginën e Vdekjes, me guxim e dashuri, mund të sfidojmë të këqijat e shpirtit njerëzor dhe të zbusim egërsinë e kësaj bote.

ObserverKult

=====================

Lexo edhe:

MKRS: KA PËRFUNDUAR FAZA E PARË RESTAURUESE NË HAMAMIN E GAZI MEHMED PASHËS