Elegante, sportive, me flokët e kapura pas dhe pothuajse fare pa truk. Është në kafenenë pranë punës dhe i duhet rreth e rrotull të përshëndesë shumë njerëz. Por kjo s’përbën ndonjë problem.
Të paktën asnjëri syresh nuk është ai kureshtari që i ngul sytë me ngulm, me idenë për ta fiksuar në kujtesë duke thënë me vete: Ah, kjo qenka gruaja e Ndriçim Xhepës?!
Është kjo Bardha Xhepa. Ndihet mirë me mbiemrin e ri, e për më tepër si pjesëtare e familjes së vogël me tre vetë, që është shndërruar sa hap e mbyll sytë në qendrën e universit të saj.
Tek fillon të rrëfejë për familjen e vet, duket e çliruar dhe pa kurrfarë kompleksi. E madje edhe miqësore.
Nëse i bën të ditur se kishte menduar ndryshe për të, se e kishte përfytyruar të egër, të pakomunikueshme dhe të distancuar, nuk tregon aspak habi. Në të vërtetë, e pranon edhe vetë: ky është impakti i parë që krijon me këdo që takohet rishtas.
E po aq mirë e di, se ky është vetëm një fillim që kapërcehet menjëherë. I ka ndodhur gjithnjë kështu. Kohë më parë, kur sapo kishte kapërcyer pragun e universitetit, e ndjeu se bashkëstudentët e shihnin disi vëngër. Ama, zgjati fare pak.
S’kaluan veç disa javë, kur dëgjoi shoqet e klasës t’i thoshin: në fillim, menduan se si do ta bëjmë me këtë njeri kaq të ftohtë për katër vite në të njëjtën klasë. Akulli ishte thyer sakaq.
Kurse historia është përsëritur në sa e sa fillime të reja. Bardha Xhepa, në të vërtetë është miqësore, e përkushtuar në marrëdhënie, e hapur, sigurisht nëse edhe ajo vetë preferon të krijojë një marrëdhënie miqësore.
Por, le të qëndrojmë te historia e saj me aktorin më tërheqës dhe një nga profesionistët më të spikatur të teatrit dhe filmit shqiptar. Si u njohën?
Si funksionon marrëdhënia? Çfarë do të thotë të jetosh me një yll kinemaje. Dhe Bardha rrëfen…
Si jeni njohur me Çim Xhepën?
Njohja jonë është e hershme, qysh në vitet kur unë isha gjimnaziste. Ishte një njohje në distancë në të vërtetë. Përshëndeteshim në rrugë, sa herë përballeshim.
Gjimnaziste, padyshim duhet të keni qenë e dashuruar, edhe pse së largu me aktorin aq shumë të suksesshëm qysh prej fillimeve të tij profesionale.
Jo, nuk mund ta them një gjë e tillë. Ishte një lloj frike që nuk më lejonte të bija në dashuri qoftë edhe virtualisht me të. Ajo çfarë mbizotëronte tek unë ishte një përfytyrim aspak miklues: thosha me vete se të lidhesh me një njeri të tillë është e rrezikshme. Ishte, sipas meje, një mjedis i rrezikshëm, mjedisi i tij, siç janë mjediset e artit, i adhuruar nga qindra sy vajzash. Kur e shihja në rrugë, e përshëndesja dhe merrja një përshëndetje. Ajo që më shkonte ndërmend ishte ideja: “S’është i imi”. Kaq. Dhe nuk më mundonte më shumë mendimi.
Jeni natyrë posesive?
Gjimnaziste, them se po, kam qenë e tillë. Por jo më tani. Mosha më ka bërë më të ekuilibruar.
Le të kthehemi te njohja me Çimin, si vijoi ajo?
Më kujtohet, ka qenë viti aq i vështirë `97. Unë kisha vendosur të largohesha nga Shqipëria. I takon asaj kohe një takim i radhës, në rrugë si gjithnjë, u përshëndetëm. Dhe kaq, pastaj…
Do t’ju ndërpres. Kujtoni detaje të tilla, përshëndetje të rastësishme në rrugë. Kjo më bën të mendoj se nuk keni qenë shpërfillëse sa thoni.
Nuk thashë shpërfillëse. S’mund të isha shpërfillëse. Bëhej fjalë për një personazh shumë të adhuruar nga të gjithë, aq tërheqës. Sidoqoftë, gjithçka që më kujtohet mendoj se ishte diçka që kishte mbetur brenda vetes pa u zhvilluar. Nëse nuk do të ishim bërë një familje me Çimin, të gjitha këto detaje që po ju tregoj do të më ishin fshirë. Ishin ngjarjet e mëpasme që i nxorën sërish në sipërfaqe.
Po pres vazhdimin e historisë…
Siç thashë, unë u largova në vitin 1997, dhe kthehesha në Shqipëri për vizita të shkurtra. Dhe në një nga këto vizita ndodhi takimi im dhe njohja më e thellë me Çimin.
Rastësi?
Jo krejt e tillë. Unë kisha mikeshë një vajzë tezeje të Çimit. E në një nga këto vizita të miat në Shqipëri, ishte viti 2004, tek pija një kafe me të te “Piazza”, kalon Çimi. Shkëmbyem përshëndetjet e zakonshme. Duhet të ketë qenë kjo përshëndetje, që i provokoi idenë mikeshës sime dhe kushërirës së Çimit, që ne të njiheshim më shumë. S’kisha asnjë arsye për të kundërshtuar. Ndaj dhe u ndodhëm në një darkë të përbashkët. Ishte darka e njohjes sonë të vërtetë, e cila u pasua me shkëmbimin e numrave të telefonit dhe takime të mëpasme.
Ju e latë Italinë? U rikthyet përfundimisht?
Ende jo. Fillimi i lidhjes sonë ishte një marrëdhënie në distancë. Por po bëhej gjithnjë e më e fortë dëshira për të qëndruar së bashku. Shumë shpejt fillova të mendoj rikthimin tim.
Arsyeja ishte Çimi?
Një pjesë e fortë e arsyes, edhe pse në të vërtetë rikthimin tim në Tiranë kisha filluar ta mendoja, pavarësisht njohjes sonë.
Thatë që kur ishit fare e re, Çimi ishte një personazh që e mbanit larg. Ç’ju bëri që filluat të mendonit ndryshe? Çfarë ishte ai tipar i Çimit që po e griste perden e “frikës” për t’u afruar me të?
Tashmë unë s’isha më ajo gjimnazistja posesive. Mendoja ndryshe. Jeta më kishte bërë më të ekuilibruar. E kisha humbur tiparin posesiv. E pastaj Çimi, më duhet ta them kishte plot tipare që më bënë për vete. I pari nga të gjithë, natyra e tij e sinqertë. Unë nuk i dua njerëzit e shtirur. Dhe po vija re se Çimi gjithashtu kishte të njëjtën “alergji” nga maskat, nga fasadat e panevojshme. Pra, çfarë vlerësova së pari ishte vërtetësia e tij.
Dhe filluat të mendonit për lidhjen e vërtetë, përfundimtaren?
Pikërisht kjo ishte çfarë nuk mendova. Së paku, jo që në fillim. Me ndërgjegje nuk doja ta mendoja këtë. Përgjithësisht nuk më pëlqen t’i cys gjërat, t’i bëj me detyrim, nuk e dua imponimin. Gjithçka, sidomos në një lidhje, është më mirë të vijë në mënyrë të natyrshme. Koha di vetë t’i vendosë gjërat në vendin e vet. Ashtu ndodhi edhe në lidhjen tonë. Erdhi vetvetiu gjithçka, pa u sforcuar. U ndodhëm duke u afruar me njëri-tjetrin si pa e kuptuar as vetë.
Çimi ishte sërish pjesë e të njëjtit mjedis “të rrezikshëm”. Frika juaj e dikurshme ishte fashitur tërësisht?
Nuk ishte krejt e fashitur frika ime e dikurshme. Edhe pse me përmasa të tjera, e ndjeja të më shfaqej herë pas here, sidomos në fillim të lidhjes. Ndodhte që ne ishim bashkë me Çimin në një kafene, dhe vinin vajza të panjohura për mua. I drejtoheshin vetëm Çimit, a thua se unë isha e padukshme. Më nervozonte kjo gjë. Ndjeja fije të vogla xhelozie. Por e mbaja përbrenda, e kontrolloja. Ndonjëherë reagoja me ndonjë shprehje ironike. Por, për hir të së vërtetës, nuk është se Çimit i pëlqente kjo mënyrë e imja e shprehjes së pakënaqësisë. Por, në fund më jepte të drejtë. Sa për mua, ajo që më bëri të ndihem përfundimisht e qetë, ishte njohja e Çimit. Shumë shpejt fillova të besoja tek ai. Ishte koha kur ai po kërkonte me këmbëngulje që ne të kishim fëmijën tonë.
E kërkonte ai? Po ju?
Ishte një ide mikluese, sigurisht. Më joshte. E cila grua nuk e ëndërron një fëmijë. Por më shoqëronte një ndjenjë frike. Kësaj here, nga e panjohura. Ishte një frikë e bukur, gjithsesi… Dhe fati desh që të na e sillte Martinin.
Kur filloi bashkëjetesa juaj?
Unë u transferova në shtëpinë e Çimit në kohën e shtatzënisë. Më parë shkoja herë pas here, fundjavave.
E mendoni idenë e një fëmije tjetër?
Çimi më shumë është treguar këmbëngulës. Por unë kam shfaqur anën racionale. Kushtet janë të tilla. Unë nuk do të doja ta lija punën. Por edhe mosha ka efektin e vet. Sidoqoftë, nëse Zoti do të mendonte për një motër apo vëlla për Martinin, do ta mirëprisja. Martini më kërkon shpesh: “Pse s’ma bën një motër ose vëlla që të luaj me të?”, më thotë.
Si ndryshoi marrëdhënia juaj me Çimin pas mbërritjes së Martinit?
Gjithnjë kam menduar se një grua e mençur di të jetë e vëmendshme për burrin e saj, të tërheqë në çdo çast vëmendjen e tij, të jetë në dispozicion të tij pavarësisht impenjimeve të tjera. Sado që e dija një gjë të tillë, kur lindi Martini vëmendja ime kaloi tërësisht tek ai. E pastaj unë jam disi maniake, ndoshta të gjitha nënat janë kështu. Sidoqoftë, në një farë mënyre, Çimi u spostua nga qendra e vëmendjes sime. Ishte një periudhë kalimtare, nuk mund të them se ishte problematike. Çimi edhe pse mund ta ketë ndjerë që qendra e vëmendjes sime ishte djali, nuk ka reaguar. S’u ankua kurrë. Ndoshta sepse, edhe për të qendra e vëmendjes u bë Martini. Jeta jonë ndryshoi në përgjithësi: më parë ishim një çift i lirë. Tashmë jemi një çift i impenjuar.
Djalë apo vajzë? E mendonit këtë gjë ndërsa akoma nuk e dinit?
Për mua s’qe ndonjëherë e rëndësishme. Çimi ëndërronte vajzë. Ndoshta ngaqë ishte rritur mes vëllezërish. Por mendonte edhe se vajzat janë më ledhatare dhe kjo i pëlqente. Dhe unë, ndoshta për kënaqësinë e Çimit, mund të kem nanurisur ndonjëherë idenë e vajzës. Por tani Martini është magjepsja ime. Merret me mend.
Si reagoni në rastet e sjelljeve emocionale të Çimit?
Tashmë e njoh mirë. E dalloj nëse diçka nuk shkon për të sapo e shoh në derë. Përpiqem që, në raste të tilla, t’i krijoj një mjedis të qetë. Të mos i shtoj ngarkesa ekstra në këto raste. Ndodh shpesh, për shembull, para premierave.
Çfarë prodhon konflikt mes jush?
Tashmë e njohim njëri-tjetrin, aq mirë sa dimë të hapim rrugë sa herë duhet për të mos shkuar pikërisht te konflikti. Edhe Çimi, pavarësisht natyrës së tij emocionale, di mirë të vendosë ekuilibrat, sa herë unë demonstroj një pakënaqësi…
Si ju bën të ndiheni fakti që jeni gruaja e Ndriçim Xhepës?
(buzëqesh) Mua, të qenit gruaja e Çim Xhepës, më krijon ndonjë privilegj. E pastaj, ai është natyrë shumë e thjeshtë. Nuk ecën mbi re.
Thuhet, për artistët, se janë pak narcizistë, duan të jenë të adhuruar…
Edhe nëse është kështu, unë nuk e shoh të tillë Çimin, së paku në marrëdhënien mes nesh. Ai nuk është aspak narcizist me mua.
Ju bezdisin njerëzit në rrugë?
S’mund të them bezdi. Ose ndoshta tani jam mësuar. Por çfarë më ka krijuar një ndjesi të çuditshme, ndoshta habie, ishte në fillimet e lidhjes sonë (edhe tani, po në një shkallë shumë më të vogël) kureshtja e njerëzve. Të njohur ose të panjohur të Çimit, kur na shinin bashkë, përqendroheshin tek unë. Dhe unë sikur ia ndjeja pyetjen, edhe pse të pashprehur me zë të lartë: kush është kjo që ka marrë?! Sidoqoftë, duhet ta pranoj se ndihem disi e përkëdhelur nga fakti që jam në krah të Çimit. Jo se ai është një person i njohur, por sepse është dikush, një njeri që ka bërë diçka, të cilën edhe unë vetë e vlerësoj.
Thatë se burri juaj nuk është narcizist. E megjithatë, sa e vështirë është të jetosh me të? E kam fjalën për teka të mundshme, me të cilat rëndom artistët përfytyrohen?
Përgjigja e parë që më vjen ndërmend: është e thjeshtë të jetosh me Ndriçim Xhepën. Çimi nuk ka teka. Është shumë komod. E thashë, është natyrë emocionale dhe shpesh mërzitet për gjëra që një tip tjetër do t’i kalonte me lehtësi. Shpesh ka nevojë për mbështetje, e unë përpiqem t’ia jap. Shpesh është i papritur. Në mënyrë të paparashikuar të bën të qeshësh, është shumë gazmor, e tjetër herë i mbyllur dhe i inatosur me diçka që nuk i ka shkuar siç duhet. I pëlqen të jetë i lirë dhe unë nuk e trysnoj, duke e marrë në telefon në çdo çast. Por në asnjë çast nuk mund të thuhet se është i vështirë. Rëndësi ka që është natyrë familjare. Shpesh më ndihmon. Por edhe kur nuk e bën këtë gjë, pranon me lehtësi diçka që unë mund ta kem lënë pas dore në detyrat e mia si zonjë shtëpie.
Meqë jemi këtu: Cila jeni ju si zonjë shtëpie?
Besoj që gatuaj mirë. Kuzhinën italiane e njoh në mënyrë të përsosur. Por, sidoqoftë, avantazhi im është që jetoj me një burrë që të vëzhgon në çdo çast për të të vënë notë si zonjë shtëpie.
Kush është ministri i financave në shtëpinë tuaj?
(qesh) Portofolin e familjes e mbaj unë.
Ka edhe një detaj që nuk dua ta shpërfillim: jeni gruaja e Ndriçim Xhepës, por edhe nusja e Margarita Xhepës. Ç’marrëdhënie keni me vjehrrën?
Një marrëdhënie të ekuilibruar. Fakti që jetojmë në shtëpi të ndryshme është në favorin e marrëdhënies sonë. Çdo të diel jemi të ftuar për drekë në shtëpinë e sime vjehrre. Është një rit që e respektojmë rregullisht. E përveç kësaj, Martini çdo ditë pas kopshtit kthehet tek ajo, derisa unë vij nga puna. Ndonjëherë bën edhe ndonjë prapësi. E unë e kërcënoj: po bëre sërish gabim, nuk do të shkosh te nëna. Por ai prapë shkon atje (qesh).
Si e thërrisni vjehrrën tuaj?
Mami. E vura re shumë shpejt që Çimit i pëlqente ta thërrisja kështu. E atëherë, pse jo?
Çfarë kujtoni nga fillimet e marrëdhënies nuse-vjehrrë?
Më kujtohet kur prisja të lindte Martini. Shpesh, flisja me time vjehrrë duke i shprehur frikërat e mia, dhe ajo ma kthente: “Ji e qetë, do të bësh një djalë shumë të bukur”. Dhe ndodhi siç thoshte ajo.
Nuk ju shoh shpesh të dilni, të shfaqeni…
Është natyra ime kështu. Preferoj më shumë të jem në shtëpi, në familje. Nuk e dua zhurmën, daljet, mbrëmjet gala. Më duket sikur në mjediset mondane jam jashtë vetes. Preferoj më shumë një gotë birrë me miq të afërt./Artistët shqiptarë
ObserverKult
Lexo edhe:
EVA ALIKAJ: NDRIÇIM XHEPA ISHTE DASHURIA E JETËS SIME!
Rebelizmin e aktores Eva Alikaj, ende pa u afirmuar si e tillë, e njihnin të gjithë në Akademinë e Arteve, kur ishte studente.
Ishte bërë disa herë problem për pantallonat e ngushta, fustanet ca më të shkurtër se norma dhe tualetin që i pëlqente ta bënte gjithnjë, më të dukshëm se shoqet.
Ishte e bindur se, nuk kishte asgjë të keqe në të bërit e gjërave, siç i pëlqen.
ObserverKult