Imazh i vitit 1930, gruan e vetmuar në Shqipëri nuk e ngacmonte kush

Nga Ilir Ikonomi

Në këtë imazh krejt të rrallë të vitit 1930, duket një grua shqiptare me xhubletë duke kaluar Cemin.

Është një foto dramatike që flet sa për një milion fjalë. Është nxjerrë nga një arkiv.

Me hap të drejtë dhe me duart e lidhura prapa, gruaja ecën stoike mbi urën prej druri që duket sikur do të vithiset në çdo çast në shtratin e thatë të lumit.

Nuk kuptohet se si qëndrojnë bashkë dy pjesët e urës që ka qenë shembur një herë, por malësores nuk duket se i bën ndonjë përshtypje.

Në mes të këtij peizazhi të frikshëm por të magjishëm me kreshpa, shkëmbinj dhe urë gjysmë të këputur, ecja e saj e sigurt na kujton epokën kur gruan e vetmuar në Shqipëri nuk e ngacmonte kush. Ishte një zakon që habiste të huajt dhe që e vlen të risillet në mendje.

“Një grua që udhëton e vetme është e sigurt kudo në Shqipëri,” shkruante gazeta Washington Post e 6 marsit 1932. Fjalët ishin të ambasadorit amerikan në Shqipëri, Herman Bernstein.

Një epokë e shkuar e gruas mbi Cem – një porosi për të sotmen!

ObserverKult