
Të enjten, në ambientet e Librarisë Dukagjini në Prishtinë, u mbajt promovimi i librit më të ri me poezi “Grue prej zjermi”, të poetes dhe studiueses Donika Dabishevci.
Mbrëmja u moderua nga publicisti Elvin Blakaj, ndërsa për librin foli shkrimtari dhe studiuesi Ag Apolloni, autor edhe i parathënies së veprës.
Në hapje të aktivitetit, Elvin Blakaj e vendosi krijimtarinë e Donika Dabishevcit në kontekstin e poezisë bashkëkohore shqipe, duke theksuar se autorja ka ndërtuar prej vitesh një zë të konsoliduar poetik, ku ndërthuren përvoja krijuese, njohja e thellë e letërsisë dhe një ndjeshmëri e veçantë artistike.

“Donika nuk është një emër që vjen rastësisht në poezinë shqipe. Si poete, studiuese e letërsisë dhe njohëse e traditës poetike, ajo ka ndërtuar prej vitesh një zë të veçantë, ku erudicioni nuk e mbyt ndjenjën dhe ndjenja nuk sakrifikon kurrë artin. Kjo përvojë ndihet në çdo faqe të këtij libri; asnjë varg nuk është i rastësishëm dhe asnjë metaforë nuk është vetëm zbukurim”, u shpreh Blakaj.
Ai u ndal edhe te vetë titulli i librit, duke e cilësuar atë si pikën e parë të interpretimit estetik.
Sipas tij, zjarri në këtë vepër nuk paraqitet vetëm si metaforë e pasionit, por bart një kuptim shumë më të gjerë, duke u shndërruar në figurë të kujtesës, plagës, shkrumbit dhe rilindjes.

“Është elementi që shkatërron, por edhe ai që farkëton”, tha Blakaj, duke shtuar se “Grue prej zjermi” nuk është vetëm një përmbledhje poezish, por një univers poetik me koherencë të plotë, ku secili tekst ndërton dialog me tjetrin dhe kërkon një lexim të ngadalshëm e të përqendruar.
Më pas, fjalën e mori profesori dhe shkrimtari Ag Apolloni, i cili është edhe autor i parathënies së librit. Ai sqaroi se nuk dëshironte të rikthehej te ajo që kishte shkruar në hyrjen e veprës, pasi libri ofron shumë më tepër mundësi interpretimi.
“Sot po e promovojmë një libër për të cilin e kam shkruar parathënien. Nëse i them ato që kam shkruar, ju mund ta keni lexuar parathënien dhe i bie ta përsëris veten, por gjithsesi mendoj që për librin mund të flitet shumë më shumë se aq sa kam shkruar aty dhe për poezinë në përgjithësi mund të flitet dhe duhet të flitet më shumë”, u shpreh Apolloni.
Në vijim ai analizoi disa prej shtyllave themelore të poetikës së librit, duke u ndalur te mënyra se si ndërtohet subjekti femëror, te raporti ndërmjet trupit dhe identitetit, si dhe te dimensioni filozofik e estetik i dashnisë në këtë vepër. Ai theksoi se libri e trajton trupin si hapësirë të kujtesës, të lirisë dhe të vetëdijes, ndërsa zëri poetik i autores e vendos gruan në pozitën e subjektit që zgjedh, kërkon, dashuron dhe e ndërton vetë fatin e saj.
Në fjalën e saj, autorja theksoi se me botimin e “Grue prej zjermi” e ndien se e ka përmbyllë një rrugëtim poetik që e kam përshku për vite me radhë, pasi tri vëllimet e fundit nuk kanë qenë tri ndalesa të saja të rastit.
“Kanë qenë tri etapa të së njëjtës kërkesë poetike, tri mënyra me iu afrue të njëjtës temë: dashnisë”, theksoi ajo.

“Te “Kam me ardhë si deka” dashnia shprehet në trajtën e pasionit, aty ku njeriu digjet për me e jetue tjetrin. “E gjithkohshmja Andërr” e trajton dashninë për jetën. Edhe në ato çastet ma të randa, ma te errëta, ma të mynxyrshme. Në luftë e përballë mizorive t’saj. Ndërsa Grue prej zjermi e kthen vështrimin kah vetë qenia njerëzore. Aty ku dashnia nuk asht vetëm marrëdhënie mes dy njerëzve, por mënyrë me e kuptue vetveten, trupin, lirinë, mungesën, kohën dhe tjetrin”, tha Dabishevci.
Sipas saj, në shumicën e poezive dashnia shfaqet si synim jetësor, si përjetim dhe si mënyra më e thellë për të legjitimuar vetë jetën.
“Kam besu gjithmonë se dashnia asht ajo që e çon njeriun drejt thelbit t’qenies, aty ku trupi, mendimi e shpirti flasin t’njajtën gjuhë”, u shpreh autorja.
Ajo shtoi se libri i kushtohet gruas që dashuron me trup, mendje e shpirt, gruas që bart brenda vetes mall, epsh, dhembshuri, rebelim e butësi, por njëherësh edhe njeriut që kërkon thellësi e kuptim në një kohë të shpejtë dhe të konsumit të pandërprerë.
Në fund të fjalës së saj, Dabishevci theksoi se pas botimit një libër fillon jetën e vet të pavarur dhe se çdo lexues ndërton marrëdhënien personale me tekstin.
“Unë nuk dua të flas më shumë për librin. Besoj se, në çastin kur një libër botohet, ai pushon së qeni i autorit. Ai nis një jetë tjetër, që ndërtohet në mendjen dhe ndjeshmërinë e çdo lexuesi”, tha ajo.

Autorja ndau me të pranishmit edhe një reflektim personal mbi procesin e leximit të poezive të veta, duke treguar se, ashtu si me librin “E gjithkohshmja Andërr”, edhe në “Grue prej zjermi” ka poezi që ende e emocionojnë thellësisht.
Në këtë frymë, ajo zgjodhi të lexojë poezinë “Na ishim ndryshe, syni jem”, të cilën e cilësoi si një poezi kushtuar një brezi që u rrit mes luftërash, shembjesh dhe transformimesh historike, një brez që sot shpesh ndien se i përket një kohe tjetër përballë realitetit të epokës digjitale.
Pas leximit të poezisë, mbrëmja vijoi me interpretimin e disa poezive të tjera nga libri, si dhe me diskutime që u pritën me interes nga publiku.

ObserverKult
lexo edhe :
Ag Apolloni: Revolucioni i trupit, parathënia e librit “Grue prej zjermi”
“Grue prej zjermi” nga Donika Dabishevci, një himn poetik për gruan, dashninë e lirinë






