Gunter Grass: Zjarri

S’më mbetet gjë tjetër veçse të përsëris atë që shënova edhe në procesverbal. Nuk kam qenë e dashura e tij. Në çdo rast, e besuara e tij, nëse ekziston një term i tillë. E ashtuquajtura jonë besueshmëri, për të cilën do të pyes pareshtur, përkufizohej në profesionalizëm. Kjo do të thotë: nga profesori de Groot mësova më tepër unë se zonjusha Manthey, të cilës i ishte dhënë leje nga muzeu Kassler, ashtu si dhe mua nga muzeu Wallraf-Richartz, sepse që të dyja duhet të përfundonim studimet me një kursrestaurimi gjysmëvjeçar në Amsterdam.
Profesori de Groot ishte një gjeni i shquar ndërkombëtar. Gjithë nxënësit si dhe zonjusha Manthey, e cila u shpreh se ishte ndier e shpërfillur, u janë mirënjohës mësimeve të tij. Vetëm dy herë më është dhënë mundësia ta ndihmoj profesor de Groot për përzgjedhjen e sfondit të pikturës në studion e tij private. Pjesën tjetër të kohës, ashtu siç pohoi dr. Janku, punonim të gjithë së bashku, në sallën e restaurimit. Gjithsesi, është plotësisht e vërtetë që nga të gjithë nxënësit, profesori de Groot më merrte vetëm mua kur aparati i tij fliste për rënie zjarri në qendër të qytetit. Për fatin tim, jo gjithmonë këto shëtitje më shkëputnin nga puna, të cilën e ndiqja me mjaft interes. Kolegët e mi mund të vërtetojnë se sa më nevrikosnin këto parapëlqime, por, për këtë gjë nuk mund të mërziteshe hapur me profesorin de Groot.
Siç është e njohur gjithkund, edhe mësuesi ynë, kur ulej të punonte, dëgjonte vazhdimisht stacionin e njoftimeve policeske. Për këtë veçanësi të tij, kisha dëgjuar të flitej e të tregohej në Këln. Atje thoshin: “I zoti, por tekanjoz”.
Aksidentet automobilistik, zënkat e të shtunës, po edhe vetë vjedhjet në dyqanet e argjendarive, kurrë nuk e linin profesorin de Groot të ngrinte vështrimin nga puna. Sidoqoftë, atë e shkëpusnin komentaret me sarkazëm që ne i përqeshnim, puna delikate e tij nuk mund të shkëputej nga ajo sallatë gjuhësore që vijonte e që na ishte bërë zakon. Dr. John e kuptoi që ne e parodizonim atë, padisnim djegien e një dërrase të çatisë. Ende e shoh profesorin de Groot duke rrëmuar në xhepin e xhaketës dhe duke tringëlluar çelësin e makinës: “Do të vini zonjusha Schimmelpfeng?”
Gjatë një gjysme viti pashë 4 zjarre të mëdhenj – 2 në Heeren Gracht, një në Dirnen pranë kishës së vjetër dhe një në Waterloo Plein – krahas këtyre edhe një dyzinë zjarresh të mesëm, sepse në Amsterdam bie shpesh zjarr. Profesori de Groot i shihte këto zjarre qetësisht dhe me gjakftohtësi, shpeshherë disi i zhgënjyer, por përherë i interesuar shkencërisht, siç e mësova gjatë punës në sallën e restaurimit.
Këto zjarre – kjo është thënë dhe, nëse dëshironi, është shënuar edhe në procesverbal – shpesh kundër dëshirës sime, më shqetësonin, madje, më nevrikosnin aq shumë, sa shpeshherë më ngacmonte ideja e pamotivuar se profesori de Groot e vazhdonte këtë lojë me mua për një qëllim të caktuar. Me vendosmëri vërtetoj: kjo gjë përjashtohet plotësisht.
Unë dështova kryekëput. E papjekur dhe pa shumë qëndresë, lashë të më shkiste nga duart çdo disiplinë shkencore. Profesorin de Groot, me vetëpërmbajtjen e tij të theksuar mund ta kisha shembull: kur luftohej me zjarrin, ai zakonisht heshtte. Dhe nëse fliste, biseda vërtitej gjithmonë rreth piktorit të tij të preferuar Turner, veçanërisht për pasionin e zjarrit, pikturuar më 1835, djegia e parlamentit, ose djegia e Romës, pra, për çdo pikturë pikturuar nga Turner i frymëzuar nga djegia e parlamentit, që e kishte parë me sytë e tij. Për këtë, dhe vetëm për këtë gjë thashë, po, kur në maj të një viti më parë, profesori de Groot pati mirësinë të më ftonte për një ekskursion tre ditor në Londër. Shumë kohë qëndruam në galeri. Në të famshmin libër skicash të Turnerit, gjetëm shumë herë e rastësisht të sipërpërmendurën djegie të parlamentit dhe u ndalëm gjatë tek ajo. Nëse tani do të them se mësuesi im, profesori de Groot u miqësua me mua gjatë atyre ditëve të shkurtra dhe të lumtura për të dy, vetëm mund të shpresoj se me këtë thënie, jo çdo dyshim përtërihet dhe është i gatshëm për gjykatën e lartë. Nuk e dija që, edhe në shtëpi, profesori de Groot dëgjonte stacionin me lajme policore. Për shtëpinë, ai fliste përgjithësisht rrallë, kurse në Londër nuk foli kurrë për të. Vjet u ftova dy herë për darkë nga e shoqja në shtëpinë e tij, një të diel qershori dhe një të diel të fillimkorrikut. Gruaja e profesorit de Groot më krijoi një përshtypje të ndrojtur, të ngurtë – më dukej e lodhur, e dërrmuar – por kurrë nuk do të më kishte shkuar ndër mend se radioja, vesi i zakonshëm i çdo nxënësi, kishte varrosur shëndetin e saj, sepse profesori de Groot – sipas mendimit tim – çdo natë e linte ndezur aparatin me të gjithë volumin e zërit dhe ndërkohë që ai flinte, e shoqja mezi vinte gjumë në sy.
Kështu që ashtu sapo e mora vesh njoftimet për rënie zjarri, të gjitha njoftimet për rënie zjarri e zgjonin menjëherë dhe e shoqja, shpesh pa dëshirë, ishte detyruar të vishej dhe ta shoqëronte atë në vendet ku njoftohej për zjarr. Sa më shumë e gjykoj këtë gjëegjëzë, aq më tepër e bëj të vlefshëm vërtetimin se vetëm interesat profesionale, pra ato shkencore – si parësore, studimet e lartpërmendura të Turnerit – i ofruan profesorit de Groot këtë sjellje të pazakontë. Sot, kur e di se si u dogj në shtëpinë e vet mësuesi im, Henk de Groot, kur duhet të pranoj se ai ka dëgjuar në radio për zjarrin në shtëpinë e tij, kur përfytyroj pareshtur se si është përpjekur të shpëtojë vetë dhe dorëshkrimet nga dhoma e gjumit të katit të sipërm për në papafingon e shtëpisë, e cila si gjithë shtëpitë e vjetra të qytetit digjet nga poshtë lart, sot, kur nuk mund ta shfajësoj dot gruan e profesorit de Groot, e cila paditet për vëniezjarri me paramendim për qëllim vrasjeje – sepse më kujtohet vazhdimisht vërejtja gjatë darkës, afërsisht “Ndonjë ditë do të djegësh gishtat…”, sot e kësaj dite qortoj veten që nuk u përpoqa të ndikoj me maturi tek mësuesi im aq më tepër që isha e sigurtë për besimin e tij, edhe pse kurrë nuk kam qenë e dashura e tij, siç hamendësohet, as edhe në Londër gjatë ekskursionit të shkurtër treditor. Së fundmi, alibia ime tregon qartë që gjatë natës së zjarrit, unë me kolegen time, zonjushën Manthey, ishim në kinema, në një shfaqje të orëve të vona.

Përktheu: Ornela Canaj