Gurakuq Dobruna, artisti idealist me ndërgjegje qytetare

Fuqia thumbuese e artit e kishte bërë prej vitesh pjesë të përditshmërisë virtuale për mijëra përcjellës. Përherë aktiv në politikë, pa qenë pjesë e saj, Gurakuq Dobruna -“Kuqi” ishte zëri që përcillte mesazhe e gjykime të mprehta për zhvillimet në hapësirën shqiptare. Në moshën 53-vjeçare, në mbrëmjen e së enjtes, ai ka vdekur pas hospitalizimit prej gjashtë ditësh.

Kumtin e ka ndarë për miqtë miku i tij, gazetari Rilind Gërvalla. Në 8 vjetët e fundit ai ka dizajnuar posterët e teatrit “Hadi Shehu”, në Gjakovë.

“Na la edhe Gurakuq Dobruna, me zemër të copëtuar ju shpreh ngushëllime familjes atdhetare Dobruna”, ka shkruar Gërvalla teksa ka evokuar edhe njohjen me të. Ka thënë se së fundmi kishte folur me Dobrunën se si UÇK-ja kishte pasur në radhët e saj edhe artistë e rockerë dhe se kjo gjë duhej të promovohej.

Gazetën “Lirindja”, ka vijuar Gërvalla, Dobruna e kishte bërë gazetë thumbuese politike, ku përmes sarkazmit godiste fenomenet e këqija në shoqëri.

“I mbrehtë, i dashur, i respektueshëm, atdhetar. Kush nuk do të kishte lakmi për një integritet të tillë”, ka shkruar Gërvalla.

Edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, e ka cilësuar si lajm të hidhur vdekjen e hershme të Dobrunës. Ka thënë se ai ishte aktivist shumëdimensional, veteran i UÇK-së dhe së fundmi edhe kryetar i degës së subjektit politik “Alternativa” në Gjakovë.

“Si kontributdhënës i palodhshëm në shëndetësi, art, politikë e shumë sfera të tjera, humbja e Gurakuqit është një humbje e madhe, jo vetëm për familjen dhe shoqërinë e tij, por për tërë Komunën e Gjakovës. Shembulli dhe kontributi i tij do të jetojnë gjatë në Gjakovë, qytetin të cilit ai i dha shumë”, ka shkruar Gjini në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.

Edhe deputetja nga Gjakova, Mimoza Kusari, ka thënë se krijimet e Dobrunës sfiduan imagjinatën dhe thumbuan ata që kishin nevojë për një dozë realiteti.

Sipas saj, “Lirindja” portretizoi shpirtin e tij kreativ dhe ndërgjegjen e lartë qytetare.
“Ai ishte idealisti që besoi se vendi meriton më mirë dhe mbështeti secilën ide që i shtonte vlerë Kosovës dhe shqiptarisë. Njeri me virtyte dhe vlera të rralla! Edhe pse afër politikës, Gurakuqi veproi dhe kurrë asgjë nuk i kërkoi politikës dhe kurrë asgjë nuk i mori vendit”, ka shkruar Kusari.

Deputetja e Vetëvendosjes, po ashtu, ka nënvizuar se Dobruna i ishte bashkuar luftës së UÇK-së bashkë me dy vëllezërit e tij.

“Pas çlirimit ata ishin qytetarët e devotshëm me shpirtin paqësor dhe punën e zellshme. Sonte Gurakuqi u nda fizikisht nga ne, por ai do të vazhdojë të jetojë në mesin tonë përmes veprës dhe idealit të tij”, ka shkruar Kusari.

Tifo-grupi “Tifozat Kuq e Zi” – pjesë e të cilit ishte për shumë vite në përkrahjen për Kombëtaren shqiptare – ka afishuar një fotografi të të ndjerit, në sfond të të cilit duket shkaba dykrenore.

“Pusho i qetë Gurakuqi jonë”, është mbishkrimi që shoqëron fotografinë.

Teksa ngushëllime të pafundme kanë vërshuar rrjetet sociale, edhe kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka thënë se “Kuqi” do të mbetet në kujtimet e shumë njerëzve.

“Kuqi e humbi betejën me jetën. Por ai e ka fituar kaherë një luftë që çdo njeri do të donte ta fitonte, luftën për të mbetur në kujtimet e të gjithë atyre që e njohën për shkak të njerzillëkut të tij dhe dashurisë së pafundme për atdheun, familjen e tij, shoqërinë, shqiptarët e çdo njeri të mirë të kësaj bote”, ka shkruar Murati.

Me punën e tij si disenjator grafik, Gurakuq Dobruna u ka dhënë jetë dhjetëra numrave të gazetës “Lirindja” të cilën e publikonte vetëm si kopertinë.

Në edicionet e shumta të saj, ai do të përcillte artistikisht zhvillimet në botën shqiptare.

Në një dizajn, që kishte marrë pëlqime të shumta, kishte vendosur edhe figurat e Majlinda Kelmendit, Dua Lipës, Rita Orës dhe Bebe Rexhës, duke pasur në qendër nënën refugjate, që ishte bërë ikonë gjatë luftës së fundit në Kosovë.