Gustavo Adolfo Bécquer: Dhe do të zgjohet zemra jote, por…

Kthehen dallëndyshet në pranverë
në ballkonin tënd të bëjnë foletë
n’dritare me flatra trokasin një herë
të lodroni tok, si lodronit vjet
por ato, që me zor fluturonin,
hirin tënd dhe gazin tim vështronin,
ne ato…më nuk do t’i shohim!

Dorëzonjat më dëndur do të çelen
në mur të kopshtit tënd do t’kacacjerren,
gjithnjë më të bukura çdo mbrëmje,
lulet e tyre të hapin plot ëndje;
por ato stolisur me pikla vese,
që dridheshin kur i shihnim mëngjezeve
dhe binin, pikonin si lot…
ato…nuk do t’i shohim dot!

Veshët e tu drejt dashurisë do të vinë
fjalë të zjarrta ndër ta do t’tringëllijnë;
zemrën tënde nga i thelli gjumë
ndoshta them, edhe mundet ta zgjojnë;
por heshtur, përhumbur e në gjunjë,
ashtu si të kam dashuruar unë,
si vetë Zotin në altar adhuroj,
kështu jo, sa të gënjen mendja kot:
si unë, askush s’mund të të dojë dot!

© shqipëroi Maksim Rakipaj