Hajriz Sejdiu: Letër nate nga një vend që nuk fle

hajriz sejdiu

Poezi nga Hajriz Sejdiu

Sonte,
kur ngricat e shpirtit kacavirren
si stalaktite argjendi
nëpër tavane të ftohta kujtese,
(Ne kemi ftohtë nga brenda, jo nga dimri)
dhe bota debaton për moralizime
që as vetë si besojnë në veten e tyre –
parimore ose thjesht të kamufluara mirë –
(fjalë që kërcejnë si gurë mbi ujë – s’zhyten kurrë).
Unë hesht.
Me një lugë druri të varur në mur
e kujt i duhet më ora?
(Koha ka fjetur e shtrirë si qeni në këmbët tona)
pres tingullin e parë të gjumit,
atë që vjen si fllad nga një ëndërr
që nuk është ndarë ende mes meje dhe askujt.
Nata ime
qoftë e mbushur me ëndrra poetike,
me frymëzime të buta
si hapat mbi gjethe vjeshte,
ose si letrat që askush s’i hap më,
por që ruajnë erëmimin e kurmit të nënës.
(Ka ende kujtime që nuk kanë qarë mjaftueshëm).
Ti, që ndoshta je përtej qetësisë
ose përbrenda ndonjë dhome ku librat flenë hapur,
(dhomat pa zë janë më të zhurmshme se bota jashtë)
nata jote le të ndizet
nga një zjarr i vogël shprese,
ai që s’ngroh trupin,
por i thotë shpirtit: “Edhe nesër ka mundësi.”
Nëse je vetëm – kujto:
se stinët nganjëherë ecin vetëm.
(Edhe vjeshta ka ditët e saj pa gjethe).
Nëse ke frikë – kujto:
nën çdo gjethe të rënë fle një pranverë e heshtur.
(Pritja është një stinë më vete).
Nëse ndihesh bosh –
kujto Korbin e Bardhë,
atë shpend – ogur që ecën midis dy botëve,
pa e ditur as vetë në cilën beson.
(Ne të gjithë kemi fluturuar pa e ditur nga jemi nisur)
Dhe mos harro:
Nëse paqja vjen,
nuk do të bëjë zhurmë.
Do të vijë si një fjalë që s’është thënë kurrë – por që e kemi pritur të gjithë.
(Paqja është një erë që nuk fryn, por që na i lëviz flokët)
Natën e mirë,
poet i ndjeshëm i hapësirave të thyera.
Nata jote
qoftë një çarje drite në murin e botës.
Qoftë shkundje pluhuri
mbi kornizën e një shpirti që guxon të kujtojë.
(Kujtesa është shpresa e mbetur pezull në ajër ajo që nuk shtrihet, por ngjitet brenda nesh).

ObserverKult


Lexo edhe:

HAJRIZ SEJDIU: KOHA E PAPJEKUN