Lulet, bebet dhe poezitë e Xhevdet Bajrajt e bâjnë jetën të durueshme
(Nji ese për poezinë e Xhevdet Bajrajt – ripostim me sebep, shkuemjen në përjetësi të poetit)
1.
Bota poetike e Bajrajt vibron ndërmjet poetikës emocionale, por me metafora të ngrohta të jugut si Podrimja, e herë na e rikujton Transtromerin dhe pasazhin/peizazhin e tina të ftohtë të veriut.
Mirëpo, në thelb, Bajraj e bân diferencën përmes sarkastikës, për me metë unik në pikëpamjen e tij mbi botën.
2.
Poezia e Xhevdet Bajrajt, këtij gurbetçari modern, âsht e vërtetë dhe e sinqertë. Në të nuk ka shtirje dhe poza mondane, të rrymës… Lexuesi pasionant krejt në fund e kupton se poeti kosovar, e matë vetminë e tij me atë të nji qielli të huej, për me shpërthye: Yeah…I’m driving right to my home!
Ç’është kjo forcë centrifugale, kjo magji që tërheq shpirtnat dhe trupat drejt atdheut si forcë rëndese?
/Në Mexico/harabelat janë të njëjtë me ato të atdheut tim/poashtu dielli dhe vetmia/
…dhe per koinçidencë, në spanjisht dielli dhe vetmia tingëllojnë njisoj: …el sol y la soledad!
3.
Lulet, pllumat, mollat dhe vargjet në vargun e Bajrajt janë kryesisht të egra dhe të zeza. Ato diftojnë vdekje (mort) në vendlindjen e tij, që lufta e dhuna s’i shqiten nga faqet e historisë, tokës dhe njerëzve…
Ekonomist i vargut, metaforist i ngjeshun, Bajraj nuk shpjegon. Ai vetëm gjân dhe e le vetë lexuesin me u kredhë në menime, me e kuptimësue gjetjen simas shijes estetike e rendit etik: Pse?
Sepse ândrra jonë e keqe gjithmonë munet me qenë zhgjândërr e tjetrit.
4.
Kjo asht poezi e vërtetë edhe kur âsht protestë, në rastin ma të mirë.
Si në poezinë Trëndafili, ku ai jep një tablo si në pikturat e Van Gog, pastaj vijnë breza lexuesish e thonë: Vallë si e bâni Bajraj trendafilin me u mbrojtun nga njeriu!?
/Jam goxha i sigurt se/kur për herë të parë/është takuar me njeriun/trëndafilit i kanë dalë gjembat./
Dhe shih magjinë, se si ngjitet në ‘murin e ditës’ dhe lulëzon, si te poezia Të jetuarit.
Përse trendafilit i duelën gjemba kur pikasi njeriun, kurrfar shpjegimi nuk jepet nga poeti, ai vjen nga kundrimi i vet mrekullisë së natyrës.
/I armatosur me gjemba/si lule e egër ngjitem në majën e lartë të murit të ditës/dhe/lulëzoj nga tmerri./
5.
Bajraj nuk âsht nji talent, ose poet me perspektivë, i brezit të mesëm siç munet me u hasë i portretuem në kritikën letrare kosovare.
Ai âsht nji poet i madh, universalist, që i ka tejkalue tashmâ kufijtë e poezisë shqipe dhe kosovare, tue qenë ndër poetët ma të dashtun spanjishtfolës në Meksikë, prandej nuk âsht rastësi që ky vëllim poetik botohet dygjuhësh shqip dhe spanjisht!
Bajraj shkruen për gruen lule, për gruen diell, për gruen det e lum po edhe të bukur e të marrë…
Ose në spanjisht: ella la bella y loca…
Poeti i këndon nji odë dashtunisë, kësaj të vërtete absolute e t’zhveshun nga tepria si Zoti Nji!
Apo siç shprehet poeti: Zë në thua nëpër puthjet nga të cilat lindën fëmijët tonë.
Për të cilin: Sa e dhimbshme kish me qenë me u jetue nji jetë e tânë dhe nji herë, të paktën nji here të mos i përkushtohet nji poezi nji grueje…
Sepse, për Bajrajn poezia asht kult, ajo asht hajmali që e bajmë me i trem shpirtnat e ligj.
6.
Më këtë rast, due me u nalë vetëm te një poezi e Bajrajt, që provon diçka: faktin se ende dhe këtu, në Kosovë shkruhet poezia!
Me ja hedhun nji vështrim, pra me e lexue me za, apo me e nie në heshtje atë kërcitje, atë thyemje eshtnash dhe dinjiteti, vetëm dhe me publik, poezinë “Djali i kishte gjashtë vjet, vajza tetë dhe qanin”, që na doket emblematike për këtë lloj poezie, ndër ma t’bukurat poezi lufte, në të cilën të dridh toni i përleshjes së njeriut me satanën, me bishat eternale; storie e gdhendun në fotografinë evokuese:
/djali i kishte gjashtë vjet vajza tetë/ dhe klithnin deri në kupë të qiellit/;
ku të ngrin skenografia, ku shquhen xhelatët në nji anë dhe viktimat në tjetrën, ndërkaq që rekuizitat: “shkopinjtë e zi mbetën në ajër si degë të shtrira të vdekjes”; për me mbrri në finalen biblike të flijimit, apo nji flijim instinktiv:
/atëherë djali hapi portën dhe vrapoi/ nëpër fëmijërinë e tij të vrarë ra mbi babanë/,
dhe përmes storjes së flijimit, për solidarizimin njerëzor, apo për mbrotjen instinktive të prindit, të dashtunit, nashta edhe llojit përgjithësisht, me nji figurë të fuqishme, autori nxjerr në pah, përmes fëmijnisë, aktivizimin e parimit etik dhe biologjik, të fjetun apo të mbytun nga dhuna, nervin e të reaguemit në këso situatash të skajshme:
/kalimtarët e rastit zunë të afrohen ngadalë/.
Pas kësaj pamje poetike, publiku përjeton një katarsis, për ma tepër një zgjuemje nervash dhe mobilizim shpirtnor.
A u desht që të flijohet nji fëmijë, tue u hedhun mbi të atin e mbërthyem nga demonë të kësobotshëm, që me u aktivizue ky parim biologjik, i mbrojtjes së llojit dhe etik, i mbrojtjes së njeriut t’pafajshëm e të dobët?
Bajraj me këtë poezi që doket ashiqare (që nuk lexohet por shihet dhe përjetohet), si nji spot, që ka fabulen, sfondin, skenografinë, rekuizitat, personazhet, parimin e ndeshjës arketipore të së mirës – të pafajshmës (fëmijët që qajnë) dhe të së keqës, (policët vrasës), me nji prolog që mbruan pafajësinë e viktimës dhe nji epilog që shfaq botën e brishtë të pafajësisë: lotët!
/policët pështynë dhe ikën duke sharë në gjuhën e tyre/djali kishte gjashtë vjet vajza tetë/nëna e tyre njëzetetetë dhe të gjithë qanin./
Kjo poezi, që e kisha lexue shumëherë ma përpara, që nga botimi i saj premierë, në revistën MM, e vendosun në këtë vëllim, leximi i shpeshtë i të cilës, ma zbuloi një brilant të fshehun, të cilit duhet me ju kthye ma shpesh, sikur brilantinëve që i ruejm në kutinë e thesareve.
7.
Poezia që analizuem por edhe përgjithësisht poezia e Bajrajt ka për bazë ideore dhe tematike përleshjen arketipore të së pafajshmës me mëkatnoren. Hoelderlin ka thanë për krijimtarinë poetike: “Ajo asht nga më të pafajshmet nga të gjitha zanatet.” (Citue simas Martin Heidegger: ‘Misljenje i pevanje’ (fq.129);
Shkurt e shqip, kjo asht nji poezi tjetërfare, e mirë, antologjike. Etike!
Poezinë e Bajrajt “Djali i kishte gjashtë vjet vajza tetë dhe qanin” e shquan fryma e revoltës së heshtun, e cila përmes kodit “të fshehtë” të dhunës së zhveshun mëton ndreqjen e botës, përmes artit (kemi artin për mos me dekë nga e vërteta, Nietzsche) që ironizon prodhuesit e shamisë së zezë të pushkatimit, pra vetë idenë e mbylljes së syve dhe, me të mbyllun sytë (mos me e pa, vështrue krimin) hapet një dritare e vagullt ose nji portë e fshehtë, ajo e fëmijnisë nëpër të cilën personazhi fluturon larg në të kaluemën (në gjithëkohësi) dhe sakaq rri këtu, në ngjarje – në spot.
Nji fëmijë që i hedhet babës përmbi, me e mbrojtë me forcën e pafajësisë nga dhuna, asht piknisht ikonë poetike e Bajrajt. Paul Ricoeur tue folun për ikonën dhe fotografinë, thotë se lidhja mes “fjalëve” dhe “me pa sikur…” asht psikolinguistike.
Çasti i ndjeshmënisë së metaforës tek Aristoteli paraqitej si karakteri i gjallë i metaforës, si fuqi e saj “që ta qet para syve”. Ricoeur thotë se bash sikur ikona në kultin bizantin, ikona verbale përbahet nga shkrimja e kuptimit dhe ndjeshmënisë.
8.
Akti i leximit vërteton se kuptimësia e gjuhës poetike nuk asht shkrimje e kuptimit dhe e zanit, porse shkrimje e kuptimësisë në nji mori fotografish të evokueme ose të nxituna dhe mu kjo shkrimje krijon “kuptimësinë ikonike.”
I lakmoj Xhevdetit në këto vargje që më kënaqin dhe më bajnë t’përvuejtun pse nuk i kam shkrue unë dhe i thom: Bravisimo Maestro!
Mos me bâ asnji luftë nuk â humbje, mos me e lexue këtë poezi âsht…
Prill, 2015, në Dardani
ObserverKult
Lexo edhe: