Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poeti Halil Matoshi.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
– Nuk ekziston. Njeriu me vet faktin se âsht i destinuem me dekë nuk munet me qenë i lumtun. Po ka çaste qe ia dëftojnë lumtuninë e kullueme…
Cila është frika juaj më e madhe?
– Pushtimi. Ramja n’dorë t’anmikut dhe dhimta.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
– Akëcilin qe jep shumë dashuni & siguri. Janë do njerëz ngat të cilëve don me qenë sepse rrezatojnë siguri.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
– John F.Kenedy për vendime të vështira dhe Ibrahim Rugova për rezistencën në jodhunë.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
– Reaksioni emotiv.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
– Nënvetëdija raciste dhe përkulja për mbijetesë…
Në cilat gjëra e teproni?
– Insistimi në atë se kush ka të drejtë. Shfajësimi dhe ngulmimi me e bind tjetrin.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
– Me i thânë nji plaku t’metun a dikujt qe po heq shpirtë a nji t’pashpresi: ‘Qenke shumë mirë ose ka me u bâ mirë!’ Duke qenë se e di se nuk ka shpresë! Ajo nuk ekziston!? Përvoja shkatërruese e leximit të Arthur Schopenhauerit na dëshmon këtë.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
– Mramje buzë deti. Natje n’mal!
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
– A po kupton!?
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
– … dhe vjen një ditë kur do të pendohemi vetëm për gjânat qe nuk i kemi bâ!? Nuk di kush e tha i pari!?
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
– Pasioni për artin.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
– Intuitive, pak konfuze por e qëndrueshme.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
– Ndjeshmëninë e teprueme.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
– Kam qenë i mbajtun në nji Kamp serb Përqëndrimi. E kam ruejt ekuilibrin dhe kujtesën.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
– Kisha me jetu ma shpejt dhe intensivisht.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
– Me qenë dritë kandili që qartëson gjânat!
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
– Mendja.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
– Lëndimi i tjetres/tjetrit. Shfrymja raciste ndaj atyne qe mendojnë ndryshe ose doken të ndryshëm nga ne! Si qenie dhe mendësi.
Ku do të dëshironit të jetonit?
– Në Toscana në nji vneshtë ose në nji sh’pi druni e xhami skéj nji lumi…
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
– Dijen dhe zotnillëkun. Stilin. Shqiptarët thonë: ‘Me i pasë hije veni’…
Çfarë vlerësoni tek një femër?
– Forcën shpirtnore dhe bukurinë e mendjes, shoqnue me stil. Grue me hije!
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
– Albert Camus, H.L. Borges dhe J. M. Coetze
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
– Punëtorët dhe njerëzit që kujdesën për fëmijtë me smujë, dawn syndrom ose me autizëm.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
– Alpinizmin dhe pilotimin e avionëve supersonik.
Si do të dëshironit të vdisnit?
– Nga harresa.
Cila është motoja juaj?
“La vita e bella” – Jeta â e bukur! (Roberto Begnini) ose/dhe: “Me dashtë, asht mos me rrejtë mâ.” (Poezi e Anna de Noailles (1876-1933)./Gazeta Observer