Poezi nga Halil Matoshi
Sokaku mbushet fqinj. Si në festë.
Sapo rrezja ra mbi gurët
e sokakut vizlloi vazhdimësi
p’ej ergjendi dhe shteg i shënjuem me pështymë
asht drita nga do të vijnë pasardhësit Kryemyllë
që dalin në botën e dashurive të mëdha nga prapavija e shikimit tonë
Pështyma ngjallet nga riga shiu sa mshelë e çelë sytë
sa s’ke ku me shkelë
T’kanë ardhë plot fqinj në lagje
Gëzou që i sheh. Ke mujtë mos me qenë!
Fqinj me forma të qullta
si fetusë mbresëlënës që rritën shpejt e lëvizin ngadalë
në barkun e universit
Për nëntë minutë bâhen banorë të tokës
njifarë avansimi i shpejtësisë kozmike në raport me kohën tonë prej nand’muejve
Ata vijnë me e nda me ne
planetin
Pas nji ore secila nga ato qenie të buta nxjerr koracën
brinat e bâhet gati me u përballë
Në luftën për ekzistencë të llojeve. Secilit natyra i krijoi avantazhe.
Blinda antena radiovalësh radarë
sy të fshehun
Forma gjeometrike
që tue u zgjanu largohen
nga origjina. Bâhen qenie periferike
Sh’pi e tyne spirale e artë
dëfton se na jemi largu
ma shumë nga qendra.
Ata manifestojnë Shpërthimin e Madh. Bukur dhe padhunshëm. Sh’pia t’rrumullakta mbushet sokaku. Si shtimi i botës. Na bâjnë me kqyrë ku shkelim. Na bâjnë balerinë!
Qenie me shèj që bâjnë
në shpinë
grimcën e Zotit
ObserverKult
Lexo edhe: