Hamdi Reqica: Edhe mund të ndodhë gjithçka

në qytetin pa gazeta
thikë e shqyen qiellin një rrokaqiell i sapombirë
e rrëzë këmbëve të tij
e shtrirë një dorë e turpëruar lypsari

një dallëndyshe e trishtuar
kreh flatrat për shtegtim
e një burrë lumturisht emigron me kokën në thes

një bari qeleshebardhë
i qeshur kthen delet nga stanet
e një e konvertuar pa zbardhur dita bëhet yll bote

një melodi monotone
stërpërsëritur nga saksofonisti i rrugës
përzihet me kambana e me ezan

një pensionist dëshpërueshëm mat drutë e paluara që e mashtrojnë metrin
e një artiste cijatshëm veshet me kostumet e teatrit të rrugëve

dikush vajton për një shami në shkolla publike
e një thinjosh vdes nga ekstaza
në një motel luksoz

dikush shkrihet për një mesazh në celular
për atë takimin e ëndërrt në parkun e shëmtuar
e dikujt i firohet një dashuri

një fëmije
xixat e syve ia shuajnë lotët e urisë

gjersa shiu s‘ndalet në këtë të premte të bekuar
në kryeqytetin me mushkëri të sëmura
edhe mund të ndodhë ajo që nuk ta pret mendja.

ObserverKult


Lexo edhe:

HAMDI REQICA: MALL