Hana s’asht vetëm e poetëve, poezia që fitoi Çmimin Letrar “Agim Spahiu 2021”

Nga Zaide Noka


Hanë e dashtun,
Krejt fjalët m’i kanë zanë poetët,
Ç’të them ma tepër për ty?

Poetët luajnë lirshëm me fjalët e tyne
E ti prap fort e hijshme.

Elegancë prej drite e harkueme
Gjysm’pamje trishtimi
Plotni verbuese
Lozonjare
Tekanjoze
Ledhatuese
Dremitëse
Me dritë edhe përtej dritës.

Herë shfaqesh
Herë zhdukesh
E ne t’andrrojmë
Edhe kur mshelesh në zemrën e qiellit.

Reve u ve kunorë drite
U shuan zemërimin për hirshmërinë tënde.

Sy dhe zemër të njerëzimit
I ndrin, i dridhëron:
Ndoshta në lindjen e dashnisë apo humbjen e saj,
Në harlisjen e trupit vajznor
Në hovin rinor
Në miqësinë e përjetshme.
Vetëm me ty
Hanë e dashtun!

Hanë e dashtun,
Të gjitha fjalët m’i kanë zanë poetët,
Por ti je me plot hapësinë.
Shikimet tona në dritën tande
Në andrrimin tonë
Janë vetëm fjalë t’amla për ty.

Hanë, jo vetëm e poetëve:
Prej teje jetuen fjalët
E krejt rruzullimit…

ObserverKult


Lexo edhe:

PETRIT PALUSHI: LEGJENDA T’RRËFYEME, PËRROI I ANDRRËS