
Përgatiti: Dr.Yllka FILIPI
Të Dielën e Pashkëve Ortodokse më 12 Prill 2026, Në Bronx, Nju Jork, në ambientet e sallës së Maestro’s Caterers, ora 12:00 -17:00 nën moton: 25-vjet “Letërsi, Kulturë dhe Identitet Shqiptar”, u mbajt ceremonia mbi 25- vjetorin e Themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, e cila nisi me Himnin e Flamurit kënduar në shqip dhe anglisht nga Dea Elazaj dhe Valbona Peraj.
Fjala e hapjes u mbajt nga Dr. Yllka FILIPI, e cila pasi falenderoi të gjithë pjesëmarrësit e ardhur edhe nga distancat më të largëta të të kontinentit amerikan si Kalifornia, e Kanadaja, u shpreh: Të dashur miq të fjalës! Sot, në New York, fjala shqipe hap një faqe të re drite, për t’u ndalur mbi kujtesën e saj dhe për të festuar rrugëtimin e gjatë të shpirtit krijues për një çerek shekulli. Numërohen rreth 200 pena krijuese, ndër 25-vjet, të anëtarësuar dhe solidarizuar në këtë strehëz arti, ku zëri i ndjeshëm i ndërgjegjes kombëtare bëhet urë mes brezave që kanë shkruar, ëndërruar dhe ecur nën gjurmët shekullore të Nolit dhe Konicës. Kjo ditë është më shumë se përvjetor; është një frymëmarrje e përbashkët, në falënderimin e heshtur për fjalën që na bashkon, e gjurmën që nuk shuhet. Rëndësia filozofike e aktit të bashkimit në strehën ku mblidhet Shoqata e Shkrimtarëve, nuk është thjesht një aspekt historik; është një domosdoshmëri ontologjike e qenies dhe kombit. Shkrimtari, në thelbin e tij, kërkon lexuesin për të plotësuar ciklin letrar, rrjedhimisht , bashkimi është kapërcimi i ndarjes, në lëvizjen nga “unë” drejt “ne”, duke tejkaluar vetminë dhe duke u bërë pjesë e një vërtete më të madhe. Ky transformim nuk është vetëm gjuhësor, por esencial, pasi ai shënon kalimin nga individualiteti i izoluar (procesi i shkrimit), në një identitet kolektiv që mbart kujtesë, vlera dhe qëllim duke u bëre histori e gjallë, kujtesë kombëtare! Në këtë akt, shkrimtari lartësohet, sepse bëhet pjesë e diçkaje më të madhe se vetja! Sipas Hegel: “Vetëdija e vetes realizohet vetëm përmes tjetrit.” Në këtë qasje krijohet harmonia e shumë zërave që krijojnë një kuptim më të madh i cili ushqehet nga besimi. Jean-Jacques Rousseau qëllimisht thekson se: “Forca e përbashkët lind nga bashkimi i vullneteve.” Dhe nëse i refrohemi Platonit: “Tërësia është më e madhe se shuma e pjesëve të saj.” Kjo është fuqia e shkrimtarëve, zëri i perspektivës! Nderim për themeluesin: Dr. Gjekë Marinaj!
Më pas e mori fjalën Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, z.Adnan Mehmeti i cili ndër të tjera evidentoi: “Një shtëpi për fjalën Shqipe në Amerikë!” Një dritë e vogël, që nuk u shua as në largësi, ka udhëtuar me ne ndër vite. Ajo na mblodhi, na mbajti dhe na solli deri këtu. Ky udhëtim na ka bashkuar në pasion, vizion dhe përkushtim ndaj botës së letërsisë. Le të vazhdojë kjo dritë të na udhëheqë edhe në vitet që vijnë.Si një nga anëtarët që prej themelimit, kam pasur privilegjin ta shoh nga afër se si një ide e vogël u shndërrua në një vatër të rëndësishme të mendimit dhe krijimtarisë në atdheun tonë të dytë. Për shumë prej nesh, kjo Shoqatë ka qenë më tepër se një organizatë: një shtëpi e përbashkët, ku gjuha jonë jeton, ku lindin miqësi krijuese dhe ku dialogu pulson si një jetë e përbashkët. Dhe pikërisht nga kjo përvojë lind një e vërtetë e thjeshtë, por e përjetshme: fjala jeton përtej nesh. Ajo udhëton në kohë, kapërcen kufijtë dhe mbart me vete shpirtin e një populli. Përmes saj, në mënyrë të pandalshme, jetojmë edhe ne. Kjo Shoqatë lindi nga besimi në fuqinë e letërsisë për të bashkuar shkrimtarët, edhe kur ata jetojnë larg vendit të origjinës. Në një vend të madh si Shtetet e Bashkuara, domosdoshmeria për një lidhje ku gjuha dhe kultura jonë të kultivoheshin, ishte e natyrshme. Pikërisht për këtë arsye ajo është kthyer në një vend takimi për krijuesit dhe një pikë referimi për fjalën shqipe jashtë atdheut.
Një moment shumë emocionues ishte leximi i fjalës së Dr. Gjekë Marinaj “Letër” (Përgatitur për lexim publik), me titull: “Letërsia nuk është luks i qytetërimit: Ajo i përket formimit të njeriut.”Me respekt të thellë dhe me mirënjohje të sinqertë ju drejtohem në këtë 25-vjetor të themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë! Më 25 shkurt 2026 mora nga zoti Adnan Mehmeti ftesën për të qenë sot mes jush, një ftesë që përfshinte me bujari edhe bashkëshorten time, Dusita. Por, më 17 janar 2026 kisha marrë një angazhim të rëndësishëm akademik në Kinë, të lidhur me përgatitje të gjata dhe me detyrime që nuk mund të shtyheshin, ndaj sot nuk jam fizikisht në këtë sallë. Sot nuk dua vetëm t’ju përgëzoj. Dua t’ju ftoj të mendoni për madhështinë e kësaj dite dhe për peshën e misionit që ajo na kujton. (…) Shikoni përreth me qetësi dhe mendoni për ata poetë, shkrimtarë e miq të fjalës që kanë qenë pjesë e këtij udhëtimi, por sot nuk janë në këtë sallë. Disa i ka marrë koha. Disa i ka larguar jeta. Disa i ka shpërndarë mërgimi. Letërsia nuk është luks i qytetërimit. Ajo i përket vetë formimit të njeriut. Prandaj një shoqatë e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë nuk është vetëm bashkim autorësh. Ajo është urë ndërmjet atdheut dhe botës, ndërmjet kujtesës dhe së ardhmes, dhe diaspora fiton një shtëpi shpirtërore ku mund të njihet me vetveten, pa u mbyllur ndaj botës. Ju nuk jeni kujdestarë të një stine; ju jeni ndërmjetës midis të vdekurve që na lanë trashëgiminë dhe të palindurve që do ta marrin prej nesh. Letërsia që mbetet, është ajo që ndriçon më gjatë! Diaspora shqiptare, e cila jeton mes dy botëve ka nevojë për institucione serioze që ta mbajnë të gjallë trashëgiminë, pa e mbyllur ndaj së ardhmes. Sot, unë nuk dua vetëm t’ju përgëzoj për atë që keni arritur! Dua t’ju falënderoj për atë që keni ruajtur për një çerek shekulli. Është provë se një grup njerëzish të mbledhur rreth vlerës së fjalës mund t’i japin kohës së tyre diçka që i reziston harresës. Ju keni mbajtur gjallë një vatër të rëndësishme të kulturës shqiptare në Amerikë! Për këtë ju nderoj me gjithë zemër! Le të jetë ky jubile një ditë ripërtëritjeje.(…) Ju uroj një 25-vjetor të ndritur!
Midis duartrokitjeve të shumta që pasuan këto momente tepër domethënëse e mori fjalën Dr. Suela Janina, Ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, e cila midis të tjerash nënvijëzoi: Për mua është hera e dytë që unë kam nderin të jem e ftuar në një aktivitet kulturor të këtyre përmasave dhe ju falenderoj e përgëzoj jashtëzakonisht shumë në misionin e ruajtjes së fjalës shqipe të ngritur në nivel artistik, në punën e palodhur për ruajtjen e identitetit kombëtar, në besimin dhe mallin për krijimin e lidhjes shpirtërore me atdheun, në emigracion. Nënë Tereza thoshte: “Nëse nuk mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, dhe ju jeni një shembull i denjë për këtë mision. Ndaj ky mision dëshmon dashurinë për gjuhën, traditën dhe artin shqiptar. Meqë kjo ditë përkon me një festë të shenjtë, krahas urimit tim“Gëzuar 25-vjetorin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë!”, për të gjithë besimtarët ortodoksë, uroj gjithashtu “Gëzuar Pashkët Ortodokse!”
Do të vijonte fjalën përshëndetëse Arjeta Ferlushkaj Kotrri në rolin e nënkryetares së shoqatës, e cila vuri në dukje: Sot me mirënjohje të thellë, përulemi para atyre që e themeluan këtë shoqatë dhe para atyre që për 25 vite e mbajtën gjallë, e ushqyen, e mbrojtën dhe e zhvilluan. Ata mbollën farën, e ruajtën me durim dhe përkushtim. Falë tyre, ne sot nuk jemi thjesht individë që shkruajmë, por jemi një komunitet. Të bashkosh personalitete të tilla, në shtete të ndryshme, breza të ndryshëm dhe me vizione të ndryshme krijuese, kërkon më shumë se organizim, kërkon respekt, pjekuri dhe mbi të gjitha mision. Ndërsa festojmë 25 vite, ne duhet të nderojmë të kaluarën, por edhe të shohim përpara. Misioni ynë sot është të vazhdojmë të sjellim zëra të rinj në këtë shoqatë. Të hapim dyert për brezin e ri, për shkrimtarët dygjuhësh, për ata që po kërkojnë ende zërin e tyre. Në të njëjtën kohë, duhet të kuptojmë diçka thelbësore. Dallimet në stil, në mendim apo në qasje letrare janë pasuri. Letërsia lind nga larmia e mendimeve, e rritet nga uniteti i misionit. Le të mos jetë ky 25-vjetor vetëm një festë e asaj që kemi arritur, por një premtim për atë që do të bëhemi.
Kastriot Fetahu, përshëndeti të gjithë të pranishmit me fjalën e tij vijuese, ku ndër të tjera theksoi: “Dhe vdekja s’do të ketë pushtet”, shkruan poeti nga Uellsi, Dilan Tomas, në një poezi të njohur të tij. Dhe që vdekja mos të ketë pushtet, u ngrit kjo shoqatë, sepse zëri dhe fjala nuk janë kurrë nën pushtetin e vdekjes; zëri dhe fjala ngelen si dëshmi ekzistenciale, si rezistencë ndaj harresës e njerëzve në çdo cep të botës, duke përfaqësuar vendlindjen si shënimin e pandryshueshëm në kulturën e tyre. Misioni i shkrimtarëve dhe poetëve në dhe të huaj është jo vetëm kënga e mallit dhe lartësimi i vendlindjes, por edhe të përshkruajnë jetën në të dy vendet për të vënë në dukje kontrastet shoqërore dhe kulturore për t’i shërbyer të ardhmes së kombit. Poeti nuk është rol por formë e përcjelljes së individualizmit për publikun. Arti duhet të jetë eksplorim. Përthithja e artit është procesi i akumulimit të vetëdijes në gjithë spektrin e saj. “Të shkruash është sport i përgjakshëm”,- shprehej Heminguej. Le t’i japim ngjyrat e flamurit krijimtarisë me fjalën shqipe. Le të tregojmë dhe shkruajmë historinë tonë që bota ta njohë, ta mësojë e ta kuptojë atë.
Më pas gazetarja dhe poetja Kozeta Zylo u shpreh: Kam pasur nderin te jem sekretare për shtypin dhe informacionin pranë kësaj shoqate. 25-vjet jetë me penë nga shkrimtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, janë një udhë drite, një udhë e gjatë, e lashtë, e gdhendur në gurët e kohës, ku çdo hap është një betejë dhe çdo fjalë një shpate që çan mjegullat e botës. Ata lindin në heshtje, por rriten në stuhi, në zjarret e shpirtit, në thirrjen e brendshme që nuk mund te shuhet. Dhe kur ngrihen ama, nëse ngrihen, ngrihen si malet: të patundur, të pashuar, të përjetshëm. Këtë privilegj e kanë vetëm shkrimtaret e mëdhenj në botë, që janë të rrallë. Shoqata jonë ka pasur privilegjin të krijohet nga Gjekë Marinaj, kandidat për çmimin “Nobel”, i cili hyri në botën e madhe të letrave me një poezi të vetme titulluar “Kuajt”, të brishtë , të ndjeshme, por të mjaftueshme për të çarë errësiren dhe muret e ftohta të kohës. Nga ajo poezi u ngrit shkrimtari, djaloshi gjimnazist, si Prometheu, si një zjarr i parë, në prag të rënies së diktaturës. Metaforikisht, ne ecim nëpër humnera, nëpër ëndrra, e nëpër plagë të vjetra që ende kullojnë. Dhe kjo dritë e pashuar vazhdon te ndriçojë.
E ftuara speciale, e nderuar me disa Çmime Ndërkombëtare, poetja Luljeta Leshanaku, u shpall Anëtarë Nderi e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë. Në këtë moment tepër domethënës, ajo u shpreh: Shkrimtarët “Shqiptaro- Amerikanë” përfaqësojnë një realitet gati 100 -vjeçar, duke filluar nga Konica dhe Noli, për të vazhduar me figura po kaq të respektuara shkrimtarësh dhe njerëzish të letrave që ia dolën të arratiseshin nga regjimi i Enver Hoxhës (njëri prej të cilëve vetë zoti Sami Repishti, i cili ka qenë edhe Anëtar Nderi i kësaj Shoqate), apo nga shtypja serbe në Ish-Jugosllavi, vepra e të cilëve i tejkalonte limitet e ambicjes së një shkrimtari, në atë të dëshmuesit dhe denoncuesit, e deri tek shkrimtarët të cilët emigruan vitet e fundit ky bëj pjesë edhe unë. Pavarësisht shkakut, emigrimi është traumatik për gjithkënd, por shumë herë më traumatik për shkrimtarët të cilët si medium kanë gjuhën dhe si lëndë të parë realitetin në të cilin janë krijuar. “Brenga dhe madhështia e mërgimit” e cilëson këtë dramë shkrimtari polak Józef Wittlin në një ese në vitin 1957, duke nënkuptuar një përvojë të dyfishtë, ku dhimbja e madhe e ndarjes nga çdo gjë me të cilën idenifikoheshe më parë, balancohet me mundësinë unike për të dëshmuar, kujtuar dhe formësuar kulturën… Rrethi i përfshirjes në këtë Shoqatë është mjaft i gjërë, me studiues, akademikë, gazetarë, përkthyes, poetë, shkrimtarë, dhe është ndoshta edhe më i madh se ata në Shqipëri, e ky numër, për arsye të ndryshme, sa vjen edhe shtohet dita- ditës. Pra, kemi të bëjmë me një komunitet në rritje, i cili natyrshëm kërkon një strehë me të ngjashmit e vet, që ndjen nevojë për klimë krijuese, bashkëveprim, promovim dhe afirmim, që mund ta ofrojë pikërisht një shoqatë e tillë e cila mund të vërë në lëvizje mekanizma nxitës, inkurajues, kordinues, që i shtyjnë gjërat përpara!
Dr. Bexhet Asani, në detyrën e Sekretarit të Shoqatës së Shkrimtarëve, nderoi me fjalën e tij të pranishmit:Në Nju Jork, shënohet sot viti jubilar i 25-vjetorit të themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë. Promotor i këtij përvjetori presidenti i Shoqatës Adnan Mehmeti, në bashkëpunim me Kryesinë e Shoqatës: nderojnë me mirënjohje personalitete dhe figura të shquara të letërsisë, artit dhe kulturës shqiptare, të cilët jetojnë, punojnë dhe veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë, mundohen me mish e me shpirt, të mbajnë të gjallë frymën kombëtare dhe të atdhedashurisë te brezi i ri në Amerikë. Revista periodike “Pena” e cila botohet në kuadër të Shoqatës së Shkrimtarëve është vazhdimësi e periodikut të gazetave dhe revistave, të Rilindjes Sonë Kombëtare këtu në Amerikë, të cilat i botonin korifejtë e gazetarisë dhe kulturës shqiptare Fan Noli, Faik Konica, Parashqevi Qiriazi etj. Kjo revistë do të mbetet përgjithmonë një gur i çmuar në kalanë e kulturës shqiptare në përgjithësi dhe në kalanë e kulturës shqiptare në Amerikë në veçanti. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro -Amerikanë kremtoftë edhe shumë përvjetorë të tjerë!
Në pjesën e dytë të kësaj ceremonie solemne, u ndanë Çmimet letrare, New York 2026:
Visar Zhiti – Çmimi “Bilal Xhaferri”; Gjekë Marinaj – Çmimi “Peter Prifti”; Thanas Gjika – Çmimi “Fan Noli”; Kastriot Fetahu – Çmimi “Faik Konica”; Merita McCormack – Çmimi “Naum Prifti”; Laura Konda -Çmimi “Isuf Luzaj”; Reshida Çoba – Çmimi “Rozi Theohari”; Pal Ndrecaj – çmimi “Sami Repishti”; Aurel Naqi- Çmimi “Gjon Mili; Eva Dori – Çmimi “Agron Fico””Monda Hamitaj- Çmimi “Arshi Pipa”; Valbona Ahmeti – Çmimi “Agim Dëshnica”; Arjana Fetahu Gaba -Çmimi “Luigj Çekaj”; Ibadete Humolli Tetaj – Çmimi “Salaudin Velaj”; Suzana Vangjeli- Çmimi “Sotir Andoni; “Premisa Kerthi -Çmimi “Guri Stefani”Age Ivezaj- Çmimi “Prenk Gruda”; ; Sami Mulaj – Çmimi ” Valtër Lazëri”
Mirënjohje: Adnan Mehmeti; Dr. Gjekë Marinaj; Dr.Yllka Filipi; Mhill Velaj; Raimonda Moisiu; Dalan Luzaj; Ramiz Gjini; Naum Prifti; Arjeta Ferlushkaj Kotrri; Dr.Bexhet Asani.
U vijua me emra të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të madh në artin e fjalës: Julia Gjika, Ani Gjika, Kozeta Zylo, Rita Saliu, Vlashi Fili, Dedë Elezaj, Eduard Dilo, Gjeto Turmalaj, Hys Hasa, Idriz Çelaj, Luigj Çekaj, Luz Thaqi, Margita Markaj, Ramiz Mujaj, Sabije Dervishi Veseli, Shaqir Salihu, Bora Balaj, Llazar Vero, Fjorela Forde, Liliana Lico, Merita Prenga, Shpresa Paloja, Prend Ndoja, Lutfi Brami, Xhemi Nokshiqi Muzai.
Çmimet mbi Sponsorët e Aktivitetit: Dodë Prenka; Albana Murati; Mhill Gjuraj; Abip Veseli, Adi Veseli dhe Agim Kelmendi.
Në pamundësi për të qenë i pranishëm në jubileun festiv letrar, shkrimtari Visar Zhiti, kur mësoi mbi çmimin dedikuar penës, punës dhe mbështetjes që i ka dhënë Shoqatës së Shkrimtarëve, u shpreh në letrën e tij: SI NJË SHTRËNGIM DORE ÇMIMI “BILAL XHAFERRI”…
Si një shtrëngim dore nga vetë shkrimtari Bilal Xhaferri e ndjeva çmimin me emrin e tij, që më dha Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në 25 vjetorin e themelimit. Faleminderit! E dua këtë shkrimtar dhe më dhimbet… Jeta e tij është dhe histori e përndjekjes shqiptare. Ia kam lexuar librat që gjimnazist, kur ia ndalonin dhe ia çonin në fabrikën e letrës për t’u bërë prapë letër. E bardhë si harrimi, kam thënë. Dhe ai u arratis për t’i shpëtuar burgut, babanë ia kishin pushkatuar fitimtarët si kundërshtar me të mbaruar Lufta II Botërore, kur vendosën diktaturën më të egër në Europë.n Dhe unë me bashkëvuajtësin tim, Kason, do të shkoja të shikoja vendet ku kishte qenë Bilal Xhaferri në Chicago, shtëpinë, bibliotekën, parkun dhe Kishën me mencën e të varfërve, ndërsa redaksinë ku nxirrte i vetëm gazetën e tij “Krahu i Shqiponjës”, edhe flinte aty, ia dogjën bashkë me dorëshkrimet të gjitha, poezi, tregime, skenarë, romane… “Kjo është vdekja ime e vërtetë” – do t’i thoshte mikut të tij, Kasos. Po kush e dogji redaksinë e tij? Kthetra e Sigurimit …, – më tregon Kasoja,… kur po shkonte në Festën e 28 Nëntorit, ku do të mbante dhe fjalën. Ata ishin që dhe në spital i hoqën prizat e oksigjenit dhe mjeku i tij ishte serb. Iku para kohë një talent i lindur… Dhe çmimin letrar me emrin e Bilal Xhaferrit, që ma dhuroi Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë – e përsëris çiltërsisht, – si dora e tij prej ere, që unë dua t’ia shtrëngoj fort, fort!
Ceremonia u mbyll me pranimin e 6- anëtarëve të rinj në radhët e Shoqatës së Shkrimtarëve: Lutfi Brami, Shpresa Paloja, Liliana Lico, Valbona Ahmeti, Shpresa Paloja dhe Xhemi Nokshiqi Muzai. Kur fjala ndaloi, tingulli u bë fjalë. Deri në orët e vona të mesditës muzika dhe letërsia u puqën si dy forma të thella arti të cilat edhe pse demonstruan mjete të ndryshme, promovuan të njëjtin mision: “Të shërojmë shpirtin dhe të përjetësojmë përvojën njerëzore”.
Të Dielën e Shenjtë të Pashkëve Ortodokse, në New York, u hap “Sipari drejt përmbushjes së Dekadës së Tretë të Gjurmëve të Artit të Fjalës Shqipe në Amerikë”, ceremoni letrare e moderuar nga Dr. Yllka FILIPI.













