Herman Çuka: I dashuri im…

I dashuri im

“përballë dritares time,
është një bar,
ku mbrëmjeve këndohet
e kërcehet
herë xhaz e herë blus
dhe herë rock
një bar
me emrin Cassiopea”

netëve mbyll sytë, ndjej
tingujt,
vij tek ti ëndërrimtari
im i bukur si zjarri,
në atë vjeshtë të purpurt
kur numëronim yjet,
dhe ti më tregoje legjendat e tyre

“më ke çmëndur vetminë,
të dalë në dritare”
të rrëshqiti,duke më puthur
nuk e di seç ishte, ajo natë e dehur,
apo ti që në ndarje,
më dhe emrin Cassiopea!

kur zgjohem nga ëndrra,
në dritare nuk shihet as bar
as muzikë nuk ndihet,
vetëm;
një grua e një burrë të vjetër
që tymojnë në të njëjtën llullë
marihuanë,
i buzëqeshin njëri-tjetrit të lumtur,
e puthen në buzë, çuditur me mua
që i kam humbur… !