Hesapet e pambyllura në të kaluarën na e gjejnë derën… herët a vonë

Foto ilustrim


Nga Silvana Kola-Loka

Për aq sa di, për sa kam lexuar dhe për sa e kam njohur njeriun, diçka mund ta them me siguri: hesapet e pambyllura në të kaluarën na e gjejnë gjithnjë derën, herët a vonë.
Dhe çfarë kemi lënë varur, të pazgjidhur, të pashkoqitur, të lënë në mes. Ajo na vjen një ditë, kur e presim më pak, dhe na kujton se asgjë e pambyllur nuk mund të anashkalohet: qoftë kjo një marrëdhënie, një premtim i pambajtur, një fjalë e pathënë apo një gabim, të cilit nuk i kemi dalë për zot.

E keqja është se, ajo çfarë kemi lënë të pambyllur (me shpresën se koha do t’i çojë vetë gjërat në vendin e tyre) nuk troket me mirësjellje në portë, nuk pret me durim derisa ti të kesh kohën dhe humorin e duhur për t’u marrë me të.

Jo! Ajo vjen në kohën më të papërshtatshme, atëherë kur e presim më pak, atëherë kur jemi plotësisht të bindur se ‘e kemi hedhur festen mbi sy’.

Atëherë, pikërisht atëherë kur mendojmë se e ardhmja është jona, e kaluara na tërheq fort nga krahu, na përplaset në fytyrë sa të na nxjerrë xixa nga sytë, na e sjell mendjen vërdallë dhe na pëshpërit në vesh:
“Ej! Mos pandehe se është kaq e lehtë t’i ikësh vetes? Kishe kaq kohë për t’i mbyllur hesapet e lëna hapur, por ty të ishte mbushur mendja se mjafton të mos e zgjosh djallin që fle dhe gjithçka do ishte mirë.

Më vjen keq për lajmin që po të jap! Brenda teje nuk ka as Zot dhe as Djall! Brenda teje je ti dhe vetëm ti. Dhe vetes, nuk i ikën dot!

Prandaj, hapi ato letra nga e kaluara dhe sigurohu t’i lexosh shkronjë më shkronjë. Dhe, pasi t’i kesh lexuar mirë e mirë, fol me veten me zemër të hapur.

Pranoji të gjitha: budallallëkun, kryeneçërinë, zilinë. Egoizmin, dritëshkurtësinë apo çfarëdo tjetër ke ndjerë, që ta ka bërë të pamundur në atë kohë mbylljen e asaj pune.

Dhe, kur ta kesh mbaruar këtë punë, kërkoji vetes ndjesë që e ke lënë peng për një kohë kaq të gjatë. Pastaj jepi vetes një përqafim të gjatë dhe vazhdo ditën tënde! Ja kështu! Hë! Fillo nga puna! Mjaft e le veten peng të së kaluarës!

ObserverKult

Nga Silvana Kola-Loka
Silvana Kola-Loka

Lexo edhe:

SILVANA KOLA-LOKA: KËTO JANË KOHË TË VËSHTIRA PËR DASHURINË!