Buqetë me poezi të Hida Halimit: M’u thaftë dora Prishtinë


Ju ftojmë të lexoni këtë cikël të zgjedhur poezish të Hida Halimit , titulluar nga autorja
M’U THAFTË DORA PRISHTINË

Ti pas meje n’Atlantikun 99

Të kundroj tek kërcas gishtërinjtë,
N’skaj bote, nga një kënd i një farë shtëpie,
Që prej se të lashë Prishtinë.
Ku jam e ç’kohë bën, për mua s’lëviz gjë.
Sa herë zgjohem nga ky shtrat mërgate që Zoti e di
sa veta gërhinë në të,
e lyp pamjen që e lashë po s’më braktisi.
Të shoh ty:
Pas terrasës me trëndafilë të ngrirë,
Shtresë e hollë bore që gdhinë në qytetin ku cicërojnë fëmijët,
Ku shahen për një çamçakëz,
Ndarë padrejtësisht me dhëmbë…

Dhe krejt vetëm unë e ti

Ku e thyen qafën miqtë e mirë,
Orë e heshtjes i shitoi, s’flet kush
për “Bukurinë e zezë”
për poetët që i vramë,
Përse i zdritën netët e Bartolomeut Dardan
dreqi e rroftë! Kemi frikë.
Ne s’i duam profetët mëkatarë,
Diku u këndon epitafe një bariton i shqyer
Kujt akordi s’i pengon.
Borë marsi, prilli e maji 99 n’këtë pranverë
Dhe fëmijë që hahen si gjelat
Për ndihma humanitare
Pampers, tambël druni dhe… pak dashuri.

Prapë ti Prishtinë

Mesditë është dhe rrugët janë shterur,
Çfarë telefoni idiot!
Askush s’përgjigjet n’të.
Memecëri e ndytë në gjithë këtë qytet.
Ç’u bë ai det njerëzish?!
T’ëmën e s’ëmës! Askujt buza n’gaz s’i shkon,
kush s’e di një barcoletë të mirë!
Sa për një mahi t’idhët në këtë pikë t’qetësisë,
Vetëm pranverë 9,9,9 dhe 9
Ku era hedh qese najloni e fryn pantallona uniformash
Me folklor të Shumadisë.

Dikush më dha shenjë me buzëqeshje, dje n’varrim.
I dashur m`u duk se ishe ti; edhe pse e di se nuk vjen aty
Ku të gjallët e rrejnë një kufomë
Dikush preku n’gaz, krejt si ti, m’dërgoi puthje me dorë…
U çart edhe poeti i mbramë në këtë qytet!
Çfarë arrogance pash Zotin, sikur s’kemi të tjera punë,
I kalojmë ditët në ceremoni varrimi
Mbi arkivole prekim shikimin
Dokrra, shpirti im, llafe.
Kush tha se gazi u shua?
Përse u çnjerëzua një poet!
Jo, aspak
Se jemi njerëz, gëzohemi si çdo kafshë e butë:
Aty kur blejmë supë me kiste,
Kur e mashtrojmë patrullën, me t’u shtirur serbë…
Si the?!
Sa para i ka fytyra pa leqe, nderi e…
Prano.
S’e vlejnë një bukë fabrike, një birrë Peje, jo se jo.

Shih çfarë të bëra Prishtinë

M’u thaftë dora, e Mira ime,
S’ta shkrova një fjalë të mirë,
Përherë një dorë ethesh më dridh
Gjithë kjo borë në gji!
M’u marrtë goja, s’ta thashë asnjë varg,
Për erë bliri në verë, udhët e zëna me nektar e njerëz
Që pështyjnë tri herë Orët e Liga n’gji,
Sa shqip!
Belbëzimet që t’i qesin njëmijë vargje n’ditë,
Gjithë këta poetë të këqij!
Por s’kanë si të duan ndryshe, Prishtinë.
Më plaçin sytë.
S’ta thura një pikturë, aso që laikët i shesin në rrugë, krejt lirë.
Për me të marrë me të mirë.
Me t’rrejtë se s’na vjen era mut, kur shohim pika gjaku.
Se… se… deshëm diçka në ty.
Ç’e do këngën time verdh si lakra!?
Për këta fëmijë nervoz, që grrithen, ngrehen për flokësh
Kur zihen për politikë
Apo për këta etër që aktrojnë qetësi
Dehen me coca-cola
Teren në tym duhani Ballkanik
Me ambalazh “Marlboro”.
E di! S’ke pse më ndien mua gjakhumburën,
Por, zë besë Kosovë
Se aty ku të gjallët e rrejnë një kufomë
Buzëqeshi i mbrami poet. Vetë miku im.

Tash të shprishin bombat Kosovë,
E këtu, gjë nuk ndodh, pak kush bën kryq,

E lëkundin dallgët Atlantikun.

 Cognace, Francë, korrik ‘99

ObserverKult

Lexo edhe:

BUQETË POETIKE NGA EDI SHUKRIU: FATI QË NUK ISHIM ZOGJ…