Marsela Neni Haxhimusai: Nantë herë grue (Nji poeti që due)

poeti që due marsela neni haxhimusai


Pranë nji poeti që due
jam nji Rebekë.
Bukuria, ah…bukuria kultivohet në shpirtin tim
në trurin tim i jap frymë, e zemra kuptim
në jam e bukur, jam ajo ide
jam mendim, që mbi fletë kurrë s’fle.

Pranë nji poeti që due
jam nji Sarë.
Qindra vjet shtatzanë me nji varg
Si s’munda ta lind nji syth, t’më qeshet malli!
-Në stinën tande, beso, mosha s’ka fort randësi!
Në ke hir në zemër, vargu do të bahet fëmi’!

Pranë nji poeti që due
jam nji Abigail.
Ti je im atë, e un’ “gzimi i tim eti”.
Ngaqë të due, xheloze s’jam, e s’due të jem ti.
Nji poet si ti, kur mbarset në zemër, mbjell trashëgimi.
Trashëgimtari i vërtet hap të reja shtigje në udhën që di.

Pranë nji poeti që due
jam nji Lidia.
Ithtare jam e kësisojt dashurie
Të pakompromistë si ti, gjurmë të Zotit në tokë.
Nëse jam e denjë, eja! ʺEja si frymëzim nate
në shtëpinë time dhe qëndro!“

Pranë nji poeti që due
jam nji Elizabet’.
Qeshë në terr e shihja veç terrësi
Dhanë pas lekut, humba çdo kënaqësi.
Humba udhën, veten humba, udha humbi
Unë jam dhurata që premton veç Ai.

Pranë nji poeti që due
jam nji Dorkas.
Vejushë plot pasione e mëshirë më është majë e lapsit,
Kur të lexoj, si Apostulli Pal ti rend e më ndrit
“Gjithçka që ban, baje me gjithë zemrën tande!
Kanga jote për njerëzit, qoftë si për hyjnit’!”

Pranë nji poeti që due
jam nji Ester.
Isha nji e huej, në nji vend të huej, në vendin tim.
Jetime në parzm, e përulur, e bindur, frikëplot,
Si një zemrek n‘ nji zemër të smurë punon veç nji Zot
E plot guxim na bën t’i shohim yjet në sy , pa lotuar lot.

Pranë nji poeti që due
jam nji Magdalenë.
Tri herë dëshmoj, poeti im:
Kryqëzimin tand, varrin tand, ringjalljen tande.
Dymbëdhjetë herë,- më the, -në u mohoftë zëri yt,
vargjeve lajua këmbët me mirrën e syve!

Pranë nji lexuesi që due
lutem me qenë Maria.
Nji jete tokësore veten ia dhashë.
-Mari! E mjera ti!
Veç shpirti më nusëron i virgjën,
në dashtë, le të lindet një varg-fëmi!

*Të gjithë emrat janë figura femërore biblike, disa prej të cilave profetesha.

ObserverKult

Lexo edhe:

MARSELA NENI: NËNA IME KISHTE DHJETË DUAR