Historia 2000-vjeçare e monedhave në Shqipëri- ja cila është monedha më e vjetër

Brenda ndërtesës simbol të sheshit kryesor të kryeqytetit të Shqipërisë, selisë 82-vjeçare të Bankës Qendrore, Muzeu i Bankës së Shqipërisë u përurua më 30 tetor 2015, me funksione të integruara numizmatike, historike dhe edukative.

I konceptuar si një ndërthurje midis muzeales dhe didaktikes, midis të prekshmes dhe virtuales, midis prehistorikes dhe teknologjisë, Muzeu i Bankës së Shqipërisë, synon të informojë publikun mbi të gjitha aspektet e parasë, si dhe fijet e dukshme dhe të padukshme me të cilat ajo ndikon, mbi të gjitha, jetën tonë të përditshme.

Muzeu erdhi me synimin për të informuar publikun mbi historikun e monedhave të shtypura dhe të qarkulluara në vendin tonë dhe viset e tij historike, si dhe të qartësojë fijet e dukshme dhe të padukshme me të cilat ajo ndikon, mbi të gjitha, jetën tonë të përditshme.

Historiku i qarkullimit monetar

Falë objekteve dhe një pjese të koleksionit të periudhës së prehistorisë ofruar nga Instituti i Arkeologjisë, ekspozita e Muzeut të BSH fillon me “Thesarin e Torovicës”, ku shohim disa nga 124 sëpatat e shekullit të 10-të para erës sonë, të gjetura në Torovicë të Lezhës. Ato dëshmojnë për një periudhë paramonetare, ku këmbimi bazohej në vlerën e metalit. Ky thesar përbëhet nga sëpata të mëdha të tipit shqiptaro-dalmat, si dhe sëpata më vogla që kishin për rrjedhojë dhe vlerë më të vogël.

Të ekspozuara bukur janë koleksionet e monedhave nga shekulli i 5-të para erës sonë, deri në shekullin e 20-të. Monedha më e vjetër e koleksionit është një stater i ishullit të Eginës, i shekullit të 5-të para erës tonë.

Në koleksion gjejmë gjithashtu monedhën e parë të prerë nga një mbret ilir, një stater argjendi të prerë gjatë kohës së mbretit Monun (shekulli i 3-të para erës sonë), apo edhe monedha të periudhës së mbretit Gent, Aleksandrit të Madh, Filipit të Dytë të Maqedonisë etj.

Nga monedhat ilire, e të tjera antike si ato romake, kalojmë tek monedhat e periudhës bizantine si solidët, histamenët apo hyperperat. Ajo që bien në sy është evoluimi i monedhave në disa aspekte, si formë, përbërje, legjenda apo simbolikë. Ato bëhen më të lugëta që të jenë më rezistente , por edhe në pamje vërehet ndryshimi, pasi perandorët nisin e shfaqen jo më në profil, por në pamje ballore, transmeton ‘konica.al’.

Koleksioni vazhdon më tej me monedhat e Perandorisë Osmane, nga shekulli i XV-XX. Përveç ndryshimeve të tjera, nuk paraqiten më portrete njerëzish në monedhë, pasi në islam vetëm figura e Zotit mund të adhurohet. Vendin e imazheve njerëzore e zëvendësojnë shkrimet apo vula e sulltanit.

Në katin e parë, sa hapet dera është një glob i veshur me monedha euro. Në këtë kat, ofrohet informacion për botën fizike të parasë, ajo pjesë e saj që është e prekshme për vizitorin, në një trajektore ekspozitorësh që arrin kulmin në Dhomën e Thesarit ose siç njihet ndryshe Rotondo (dhoma rrethore kasafortë e ndërfutur në një dhomë pesëkëndore projektit origjinal të Morpurgos)

Falë mbështetjes së Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Institutit të Arkeologjisë, koleksioni i këtij muzeu prezanton objekte unikale dhe mbresëlënëse, si 4 sëpata bronzi, pjesë e Thesarit të Torovicës, që i përkasin shekullit të X p.e.s dhe dëshmojnë mbi këmbimin paramonetar në territoret historike të vendit.

Në katin e dytë, shihet ana tjetër e këmbimit të parave, forma dixhitale. Në këtë pjesë prezantohet historia e institucionit të bankës qendrore në Shqipëri, roli i saj në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe garantimin e stabilitetit financiar të vendit, funksionet e saj kushtetuese për hartimin dhe zbatimin e politikës monetare, për emetimin e parasë, për administrimin e rezervës valutore, për ofrimin e sistemeve të pagesave, e kështu me radhë.

Po ashtu, muzeu përmban edhe Dhomën e Hologramit, ku shfaqet për vizitorët një rrëfenjë monedhash antike, të projektuar në hapësirë, në 3 dimensione 360 gradë, si pjesë e gjuhës më të sofistikuar të procesit të dixhitalizimit.

Dhoma e thesarit

Kjo dhomë, e ndërtuar në vitin 1938 në formë 6-këndore, është prej çeliku dhe betoni, krejtësisht e blinduar dhe ka një derë me trashësi 50 cm në çelik. Gjithçka është prodhuar në Parma të Italisë dhe është montuar që në fillim të hapjes së bankës. Dhoma e thesarit nuk ka qenë hapur kurrë, ndësa aktualisht është muze. Brenda saj, është ekspozuar një lingotë ari me peshë 12,4 kilogramë, me vlerë afro 500 mijë euro, si dhe të gjitha llojet e monedhave të floririt që kanë qarkulluar në Shqipëri, në 200 vitet e fundit. Kjo është dhoma-kasafortë më e madhe që ka ekzistuar në Shqipëri. Në rast rreziku, në pjesën e pasme të saj, është dera rezervë e pajisur me shkallë, transmeton ‘konica.al’.

Në Dhomën e Thesarit paraqitet pamja maksimale e parasë, përmes ekspozimit të një Lingote të Artë. Ekspozita e përhershme e katit të parë, prezanton koleksione të monedhave që kanë qarkulluar në territoret e vendit tonë në këto dy mijë vjet. Ato janë pjesë e koleksionit numizmatik të Bankës së Shqipërisë dhe Institutit të Arkeologjisë dhe janë përzgjedhur e studiuar me një kujdes të veçantë përmes një bashkëpunimi të gjatë me arkeologë, numizmatë, historianë e etnografë të mirënjohur të vendit.

LEXO EDHE: Si krijuan shqiptarët para 100 vitesh kartmonedhat secili për vete