Historia e dhimbshme e këngës së njohur shkodrane: E donin shumë njëri-tjetrin por i ati i vajzës…

Foto ilustrim

Nga Isa Alibali

Shiroka gjithmonë është quajtur lagje e Shkodrës. Si e tillë edhe ahengun e ka bërë si qyteti ynë. Prej këtu kanë dalë shumë këngëtarë dhe instrumentistë popullorë që janë bërë të njohur edhe në Shkodër. Ndër ta edhe Jonuz Shiroka e Gjon Kraja peshkatarë për nga profesioni por edhe ahenxhij të njohur. Të dy shokë të pandarë e këngëtarë. Në vitin 1890 së bashku me Lukë Markun, violinist e Temo Manin me dajre krijojnë grupin e parë në Shirokë.

“Jam në merak të madh. S’di si do të veprojë i ati?”- i tha një ditë Gjoni shokut të tij të ngushtë. Jonuzi ia dinte hallin. Donte një vajzë, e kishte kërkuar te i ati dhe priste me ankth përgjigjen e tij. Atë moment kur do t’i thonin se vajzën tek e ke e na qoftë për hajër, po vononte. E mbante kjo shpresë joshëse, por shpresa shpesh herë edhe të gënjen. U tremb nga një mendim që papritmas e pushtoi të tërin. Nuk ndenji pa ia thënë Jonuzit: “Po sikur të mos ma japin?”

Jonuzi përpiqej që t’i jepte zemër e shpresë. Por i ati i vajzës kishte mendime të tjera. Kot sa e mundoi djaloshin e shkretë. E dha vajzën në Shkodër, prirje e përgjithshme e shirokasve. Prandaj erdhi shpejt dita kur Gjonin e ngratë e kapi dëshpërimi. Ditët filluan t’i rrëshqasin pa forcë, pajetë. Ai Gjoni i shkathët e energjik, që ishte lezeti i ahengut nëpër dasma, filloi ta vështrojë ndryshe jetën. Rrinte në breg të liqenit deri vonë. Edhe dielli i dukej i lodhur, ndërsa perëndimi i tij i zymtë. E ndiente veten të dërrmuar nga pritja e gjatë dhe të lodhur duke e dashuruar atë vajzë.

Jonuzi i rrinte afër e një ditë i tha: “Dëgjo nuk ke rruge tjetër. Bëj një kenge e shfryj gjithçka ndien në shpirt.”
Gjonit i pëlqeu ky mendim. Por nuk e ndiente veten të gatshëm. Ta bëjme bashkë i tha Jonuzi. Ditë për ditë takoheshin. Dhe përpiqeshin të shprehnin atë gjendje që Gjoni po e vuante gjithnjë. Dhe ndiente lehtësim. Ai kishte pasur edhe herë të tjera ndjenja të tilla të turbullta, por kurrë kaq të rrëmbyeshme e të fuqishme. Dhembja filloj t’i arratisej:

Iptida du me fillue
Çila sytë për me të pa
Po vijnë shoqet me ëe kallxue
Ahti jem moj ka me të vra

Dhe kënga e tyre mori dhënë. Të 11 strofat e saj shprehin me forcë ndjenjat e tij të fuqishme deri aty sa në fund shpërthen në një premtim solemn. “Mbas kësaj kënge nuk dua të bëj të tjera.”

Dhe mbeti me të vërtetë e vetmja këngë e tyne, si një kujtim i bukur i shoqërisë së ngushtë të Gjonit e të Jonuzit dhe si një dëshmi e dashurisë së pastër por të parealizuar.

*Shkëputur nga “Shkodra qyteti im: Këngët shkodrane dhe historia e tyre”

ObserverKult


Lexo edhe:

“MOJ E VOGLA SI FLORINI”, JA CILA ËSHTË HISTORIA E BUKUR E DASHURISË QË FSHIHET PAS KËNGËS