Historia e fotografisë së Ali Podrimjes, shkrepur nga Qerim Vrioni

Nga libri-album i sudiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë piktores Lumturi Blloshmi. 

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Emrin e Ali Podrimjes (Gjakovë, 28 gusht 1942 – Francë, 2012) e kisha hasur qysh para viteve ’90 nëpër faqet e gazetës së përjavëshme kulturore “Drita”, e cila atëherë botonte edhe letërsi nga Kosova. Nga leximet dhe biseda të ndryshme me miq të letrave kisha krijuar mendimin se ai i përkiste një brezi poetësh të talentuar dhe bashkëkohor.

Nga Qerim Vrioni

Dikur, pas vitit 1992, Ali Podrimja, krahas shumë krijuesve të tjerë, mori pjesë në një veprimtari për poezinë në qytetin e Vlorës, ku përveç recitimeve të krijimeve të tyre, të pranishmit folën edhe për artin e vjershërimit dhe botimin e përmbledhjeve të tyre poetike. Aty e takova së pari. Ishte me temperament të gjallë dhe komunikues.

Ndërkohë, krijimtarinë e tij poetike nisa ta kërkoja dhe lexoja me më tepër kënaqësi.
Krijimtaria letrare e Podrimjes nis qysh në moshën rinore me librin e parë poetik me titull “Thirrje”, të botuar në vitin 1961, përmbledhje e cila u ribotua më 1973 edhe në Tiranë edhe me poezi të tjera. Ai doli para lexuesve me vëllimet: “Shamijat e përshëndetjeve” (1963), “Sampo” (1969) etj, duke mbërritur tek vepra madhore e tij “Lum, Lumi” (1982).

Më vonë, vazhdoi të botojë me sukses vëllime të tjera poetike që u përkthyen edhe në mjaft gjuhë të huaja. Ali Podrimja ka shkruar edhe në prozë, si p.sh. “Burgu i hapur” (1998), “Harakiri” (1999) etj..

Në shtator 2009, paraqita në Prishtinë, i ftuar nga Galeria e Arteve të Kosovës, botimin e librit tim “150 vjet Fotografi Shqiptare”. Midis të ftuarve të institucionit, ndër të parët ishin Rexhep Ferri dhe Ali Podrimja, i pari poet dhe piktor, ndërsa i dyti poet i mirënjohur. Me të dy, para fillimit të veprimtarisë, pimë një kafe, ndërkohë që Podrimjes i përmenda, ndër të tjera, se 5-6 vite më herët e kisha fotografuar te kangjellat e Galerisë së Tiranës me poetin Sadik Bejko, por edhe vetëm.

Prej atëherë, nuk e takova më Ali Podrimjen, madje ndoqa me ankth të madh humbjen për disa ditë e më pas gjetjen e trupit të tij të pajetë në një pyll në Francë.
Për fat, më kujtohen mirë çastet kur e fotografova, duke folur me Bejkon, që kjo foto do të m’i sjelli përherë para syve bashkë me figurën e dashur të poetit.

Ishte viti 2003.

ObserverKult


Lexo edhe:

QERIM VRIONI: E PAHARRUARA LUME BLLOSHMI