Historia interesante e këngës më të vjetër shkodrane, “Krisi topi”

Kjo është historia e këngës më të vjetër shkodrane, “Krisi topi”

Ishte fillimi i prillit të vitit 1769. Oborri i plakut të Bushatllinjve ishte tronditur shumë, nga lufta e 31 marsit. Nuk dinin t’i gëzoheshin fitores mbi Hysen Beun e Lezhës, pronarit të të gjitha tokave të Zadrimës. Ishin vrarë shumë shkodranë (rreth 40 vetë) dhe pak tokë kishin marrë nga fushat pjellore të Zadrimës, duke mos i kënaqur dëshirat e vezirit plak. Kalonin ditët dhe lajmet që vinin plotësoheshin mē mirë.

Hysen Dobraçi i ndiqte këto lajme me një interesim të veçantë.
Rrinte gjatë me një nga luftëtarët e kësaj ndeshjeje dhe përpinte çdo fjalë të tij: “Ishte trim i fortë ai Ibrahim Gjoci”, – i thoshte ky duke i përshkruar krejt ngjarjen.
– Nga ishte? – e pyet me kureshtje Hyseni.
– Nga Lezha, thanë, – i përgjigjej trimi – kishte zënë vend në shtëpinë e pistullores me gjithë trimat e vet – vazhdoi ai, i zellshëm për të treguar edhe më shumë hollësi nga ngjarja e përmendur.

Hysen Dobraçi ngacmohej shumë nga këto hollësira, nxitej në dëshirën për të shprehur në këngë trimërinë e djaloshit Ibrahim Gjoci.
Populli gjithnjë u kishte kënduar trimave dhe kishte përjetësuar në këngët e veta bëmat e tyre. Edhe vetë Hyseni, në ahengjet që bënte, shpesh herë këndonte këngë trimërie.
Prandaj nuk e zgjati:

Krisi topi, gjëmoi deti, /thonë se doli Molla Begu, kah po dilte prej Balldreni, /në Zadrimë na u çil Seferi.

Kishte marrë sazen në dorë dhe, duke i rënë e duke kënduar, e përsëriti disa herë këtë strofë. Vargjet i mësoi përmendësh dhe u përqendrua krejtësisht te melodia. Sa bukur i kishte dalë kënga “Buzën kuq si maragjyli” apo “Ti oj mbreti i bukurisë”?

Kjo ishte e treta këngë që po krijonte. Që nga strofa e parë ishte i kënaqur, mori zemër më shumë dhe të tjerat i rrodhën një pas një.

Prandaj:
Molla Begu po çon fjalë, /del Brahim në daç me dalë, se të çoj atin me shalë, /në Balldre e marr për djalë.

Pastaj:
More i biri i pistullores, /kaq e trim ti kah na dole, Me Brahimin ç’u rrethove, kullen pa gjak nuk e lëshove.

e kështu me radhë, duke vlerësuar herë Molla Begun (djalin e vezirit plak) e herë trimin e rrallë Ibrahim Gjoci, e herë “djalin e pistullores” në shtëpinë e të cilit ishte bërë përleshja. Hysen Dobraçi, i kënaqur nga krijimi i tij, e këndoi përpara të tjerëve.
Dhe kënga pak nga pak mori dhenë…/shkodrazone.com

 Shkëputur nga libri “Në Shkodër të gjithë këndojnë” (Isa Alibali)

ObserverKult


Lexo edhe:

HISTORIA E KËNGËS SË NJOHUR “ALO ALO ALO…”: KËTË GJË QË FSHIHET BRENDA TEKSTIT TË SAJ PAK KUSH E DINË

HISTORIA E KËNGËS “NË PIJETORE JAM ULUR”- E KËNDONIN TË BURGOSURIT E SPAÇIT