Historia e këngës së famshme “Light my fire” të “The Doors”, pse Jim Morrison e urrente Robby Kriegerin

Historia e këngës “Light my fire”

E shtunë, 5 gusht 1967. Kënga më e bukur e verës “Light my fire”, nis javën e dytë si Nr.1 në renditjen e Billboard në SHBA. Një moment i madh jo vetëm për “The Doors”, grupi me katër pjesëtarë që sillte kinemanë dhe poezinë në muzikën Rock, por edhe për historinë e fundshekullit 20.

Të tjera këngë në 10-shen më të mirë të atyre ditëve? “All You Need Is Love”, “A Whiter Shade Of Pale” dhe “White Rabbit”.

Por “The Doors” nuk këndonin për verën e dashurisë. “The Doors” këndonin për të ashtuquajturin apokalips të Rock-ut. “Come on baby light my fire / try to set the night on … Fire ” (Eja e dashur, ndizma zjarrin / përpiqu t’i vësh natës… Flakën), këndonte Jim Morrison.

“Light my fire” ishte më pak një këngë e verës së dashurisë, dhe më shumë e dimrit në ferr. Origjinën e kishte një vit më herët, kur “The Doors” ishin një grup që këndonin në lokale për 40 dollarë nata.

Skena në klubin “Fog”, ku ata jepnin shfaqje në Sunset Boulevard, ishte ngritur mbi një kabinë të drunjtë, që shërbente si tualet.

Duke kënduar pesë këngë çdo natë, katër netë në javë përballë sallave të boshatisura, grupi nisi të eksperimentojë. Në fillim krijuan një “xhingël” me emrin “The End”, që tani është tranformuar në një sagë indiane Rock-u acid.

Pastaj i erdhi radha “Light my Fire”, të cilën kitaristi Robby Krieger e kishte krijuar, pasi Morrison e kishte qortuar pse nuk shkruante më shumë.

Që tek “The Fog” ata e kishin tashmë ritmin e tipit bossa nova, hyrjen e këngës si një kaskadë e Bachut, si dhe pjesën e zgjatur alla Fantazma e Operës, me Jim Morrisonin që këndonte nën zë, si një adhurues vampirësh, përpara se e gjitha të shpërthente në një “ngatërresë” gotike, midis Dritës dhe Errësirës.

Kështu iu duk Jim Morrisonit dhe Ray Manzarekut. I pari madje do të thoshte: “Muzika jonë i çon njerëzit në një lloj orgazme emocionale. Për mua është trazuese, ndjell kënaqësi…”.

Në albumin e “The Doors” me të njëjtin emër, që doli në janar 1967, “Light my Fire” ishte diçka më shumë se 7 minuta e gjatë.

Fillimisht nuk e pranuan të transmetohet në radio. Dhe teksa grupi doli në turne, “Light my fire” u bë dalëngadalë e kërkuar nga të gjitha radiot, AM dhe FM.

Dhe kur themeluesi i Elektra Records Jac Holzman përgatiti versionin 2 minuta e 52 sekonda të këngës, albumi po shiste 10 mijë kopje në muaj.

Krejt papritur, vërshuan seancat e fotografive, intervistat, paratë. “Befas, nisëm të ndjejmë se mund të bënim gjithçka”, thoshte Manzarek.

Ky ishte 23-vjeçari Morrison, me pamjen e tij prej “luani të ri”: pantallona lëkurë të zezë, flokët të gjatë, ikona më e re e popit, me duart e hapura në pozicion kryqëzimi.

Një martir i muzës, që shqyente dyert e perceptimit me çdo mënyrë që mundej: acid, alkool, mariuanë, e më pas kokainë dhe heroinë. E gjitha ndërsa varej nga ballkonet e hoteleve dhe recitonte poezi të pavdekshme.

Siç thoshe bateristi John Densmore: “Vetëshkatërrimi dhe kreativiteti nuk kanë pse vijnë në një paketë…

Por në rastin e Jimit ato vinin bashkë dhe na u desh t’i pranonim”. Apo siç e thoshte Krieger: “Do të kish qenë gjithçka më e lehtë, nëse Jim Morrison do të kish qenë një gjeni normal”.

Në korrik, kur u shfaqën për herë të parë në televizion, drejtuesi Dick Clark do të thoshte: “Grupi më i madh, më fantastik dhe më i suksesshëm i vitit që po vjen – The Doors!”

Megjithatë, errësira nuk ishte asnjëherë larg.

Morrison e urrente Kriegerin që kishte shkruar “Light my Fire”.

Kudo ku shkonte Morrison, njerëzit e përgëzonin për krijimin e një kënge, për të cilën ishte lodhur aq shumë t’i mësonte fjalët. Deri në shtator, Light my Fire dhe “The Doors” ishin në krye të renditjeve.

Në shfaqjet e tyre, shumicë ishin tashmë vajzat adoleshente, dhe jo tipat e çuditshëm.15 ditë më vonë,” The Doors” shkuan të këndojnë “Light my Fire” tek The Ed Sullivan Show.

Morrison e shkeli premtimin që i kishte dhënë Sullivanit, për të mos e kënduar vargun “Girl we couldn’t get much higher” (E dashur, më të bërë – me drogë – se kaq, nuk mund të ishim).

Sullivani u tërbua duke bërtitur se “The Doors” nuk do të ftoheshin më kurrë në shfaqjen e tij. Morrison ia preu duke ngritur supet, “Hej lali, ne sapo e bëmë shfaqjen tënde”.

Sullivan nuk ishte i vetmi “sulltan” i showbiz-it që kishte vënë në shënjestër Morrisonin pas daljes së këngës “Light my Fire”.

Dy prej këngëve më të bukura të Frank Sinatrës në vitin 1966 – “Strangers in the night” dhe “That’s life” – e kishin mrekulluar Morrisonin, prej mënyrës se si Sinatra kalonte aq kollaj nga “çjerrja” seksi tek zëri i butë me një intimitet të pabesueshëm.

Dhe kështu, Morrison nisi të imitojë disi serenatën e Sinatrës, dhe kjo ishte më e dukshme tek “Light my Fire”.

Kur Sinatra, një këngëtar i famshëm për lidhjet me mafian italiane dëgjoi “Light my Fire”, ai ishte i bindur që Jim Morrison “e kishte vjedhur”, dhe deklaroi: “Duhet ta lejojmë atë djalë që të pësojë një aksident”.

Shumë vonë. Për The Doors, “Light my fire” kishte ndryshuar gjithçka. Deri në fund të vitit 1967, secili prej pjesëtarëve të grupit kishte futur në xhep 50 mijë dollarë (afro 450 mijë me vlerën e sotme).

Ka dhe të tjera episode. Kur “Light my fire” u ngjit në vendin e parë, Holzman i ftoi që të zgjidhnin secili nga një dhuratë që dëshironte, për të festuar.

Krieger dhe Manzarek zgjodhën magnetofonë të fundit, Densmore mori një kalë rrace.

Jim Morrison, ai shpirt i lirë dhe vagabond, kërkoi dhe mori një Ford Mustang Shelby GT 500, me sedilje lëkurë të zezë. I hipi menjëherë dhe nxitoi përgjatë Sunset Boulevard. I vendosur, si gjithmonë, që t’i vinte flakën natës. / bota.al

ObserverKult

Këngën mund ta dëgjoni duke klikuar KËTU:


Lexo edhe:

EZRA POUND: PO VDES PAK NGA PAK…

Nga Ezra Pound

En robe de parade
Samain.

Si shkulm mëndafshi shprishur, plasur pas një muri
Ajo ecën gjatë kangjellash buzë rrugës në Kensington Gardens,
E po vdes pak nga pak
nga një lloj anemie emocionale.

Aty rrotull vërtiten
Bijtë e ndyrë, kokëshkretë, të pavdekshëm, të varfrish,
Tokën do kenë trashëgim.

Ajo është qëllimi i mbramë i riprodhimit
Mërzia e saj është e shijshme tej mase.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


YEHUDA AMICHAI: PROVO TË MBASH MEND DISA HOLLËSI…

Poezi nga Yehuda Amichai

Provo të mbash mend disa hollësi. Mos harro veshjet
e asaj që ti e do
kështu që në ditën e ndarjes të mund të thuash: herën e fundit
kishte veshur filan xhaketë ngjyrë kafe, mbante kapele të bardhë.
Provo të mbash mend disa hollësi. Sepse ato nuk kanë fytyrë
dhe shpirti i tyre është i fshehur dhe të qarat e tyre
janë të njëjta me të qeshurat e tyre,
dhe heshtja e tyre dhe britmat e tyre ngrihen në një lartësi
dhe temperatura e trupit të tyre është ndërmjet 98 dhe 104 gradë
dhe ato nuk kanë jetë jashtë kësaj hapësire të ngushtë
dhe ato nuk kanë asnjë imazh të gdhendur, asnjë ngjashmëri, asnjë kujtesë
dhe ato kanë gota prej letre ditën e gëzimit të tyre
dhe gota letre që përdoren vetëm një herë.

Provo të mbash mend disa hollësi. Sepse bota
është e mbushur me njerëz që ishin dërmuar nga gjumi

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult