Historia e përshëndetjes: Pse i shtrëngojmë duart me njëri-tjetrin?

Shtrëngimi i dorës është gjest universal që tregon përshëndetjen, por gjithashtu edhe arritjen e një marrëveshjeje, apo urimin e dikujt – bazuar në kontekstin në të cilin kryhet.

Është e mahnitshme të mendohet sesi shtrëngimi i duarve është gjest lehtësisht i interpretueshëm në të gjithë botën, i përsëritur të panumërta herë nga njerëz, nga kultura dhe qytetërime të largëta mes tyre.

Por, pse i shtrëngojmë duart me njëri-tjetrin?

Ky gjest daton që në kohët e lashta. Madje edhe atëherë ishte simbol i harmonisë universale. I gjejmë gjurmët e para arkeologjike të kësaj që në kohën e Babilonisë së lashtë, kur mbreti Shalmaneseri III i Asirisë (859-824 p.e.s.), takon mbretit babilonas Marduk-zakir-Shumi I (855-819 p.e.s.). Ngjarja është skalitur në historinë e fronit të Shalmaneserit të III-të, e ruhet në muzeun kombëtar të Bagdadit në Irak.

Në Perëndim kjo regjistrohet më vonë. Shtrëngimi i parë i duarve mes dy perëndeshave, si simbol i një marrëveshjeje të përtërirë, shihet në një reliev të shekullit V p.e.s., i cili ndodhet në Muzeun e Akropolit në Athinë.

Shtrëngimi i dorës i kapërceu kufijtë e Greqisë dhe arriti zonat përreth. Në poemat e lashta, shtrëngimi i duarve është përshkruar disa herë si shenjë e besimit.

Shtrëngimi i duarve midis të huajve ka qenë me gjasë i ndryshëm nga ai i treguar në shumë skulptura. Shumica e historianëve bien dakord me identifikimin e përshëndetjes “në stilin e gladiatorit”, si një shtrëngim duarsh në nivelin e parakrahut, një shenjë që do të tregonte ndër të tjera edhe mungesën e armëve të fshehura, dhe kjo lloj përshëndetje bëhej mes ushtarëve, por edhe në shoqërinë civile. Shtrëngimi i duarve në kohët moderne, do t’i atribuohet kultit të zotit Mitra në Perandorinë e madhe Romake.

Edhe pse ndoshta ka modele të ndryshme të shtrëngimit të duarve në epokat e mëvonshme, përdorimi universal i këtij gjesti në shoqërinë moderne me gjasë ka ndodhur më herët sesa në kohën e romakëve, grekëve dhe bizantinëve.

Kalorësit mesjetarë përshëndeteshin mes tyre me një përshëndetje moderne ushtarake, duke vënë dorën e tyre mbi ballë dhe duke hequr përkrenaren që kishin në kohë, gjest që është trashëguar deri në ditët tona. Siç shkruan bota.al, disa historianë besojnë se shtrëngimi i duarve u rikthye nga oborrtarët e shekullit XVII, të cilët e konsideronin shtrëngimin e dorës një alternativë të barabartë me gjunjëzimin apo heqjen e kapelës.

Përshëndetja më vonë u bë simbol i përbashkët dhe, në vitet 1800, manualet e etiketave të sjelljes, përfshinin shpesh udhëzime për teknikën e duhur të shtrëngimit të duarve. Një udhërrëfyes i vitit 1877, i këshillonte lexuesit që “një zotëri që shtyp brutalisht dorën që takon, ose e shtrëngon me forcë, nuk duhet të ketë kurrë mundësi ta përsërisë këtë gjest”.

ObserverKult


Lexo edhe:

ISMAIL KADARE: O JU KORBA QË MË HANI, SYTË E ZEZË TË MOS M’I NGANI!