Historia e tiranit që ndaloi të qeshurën


(Rrëfenjë kolumbiane)

Kjo është historia e tiranit që ndaloi të qeshurën, shërim i fuqishëm për të ripërtërirë jetën.
Tregojnë se në atë vend sundonte trishtimi, zymtësia dhe hidhërimi. Njerëzit vdisnin nga trishtimi. Vdisnin burrat dhe gratë, pleqtë, të rinjtë dhe fëmijët. Të gjithë vdisnin në atë vend që sundonte një tiran shpirtzi.
Por një ditë, një burrë që kishte të vizatuar buzëqeshjen në fytyrë, takoi një grua e cila edhe ajo buzëqeshte. Dhe të dy shkuan në pyll, ku hungërinin jaguarët natën me hënë të plotë.
Kur pylli, për herë të parë, i pushoi zhurmat e tij, atyre u lindi një fëmijë, i cili u rrit pa e njohur urdhrin e tiranit. Dhe një ditë ky fëmijë, aty në pyll, ia dha gazit.

Qeshi me gjithë shpirt dhe qeshi me të madhe e me aq forcë sa fëmijët e tjerë, të cilët ende rrinin në atë vend të zymtë, me të dëgjuar atë të qeshur, u duk sikur në kujtesën e tyre u kthyen përsëri jehonat dhe nuk e përmbajtën dot veten e ia dhanë të qeshurit.
Dhe të qeshurën e fëmijëve e dëgjuan të rinjtë, të cilët ndien sikur diçka po i guduliste brenda universit të tyre. Atëherë, edhe ata s’u përmbajtën dot dhe nisën të qeshin me të madhe.
Qeshja e të rinjve u dëgjua nga burrat dhe gratë që ende qëndronin në mbretërinë e trishtimit. Për pasojë, edhe këta kujtuan rininë e tyre, kujtuan fushat dhe lumenjtë, peshqit që kapnin, lulet dhe puthjet, prandaj, i pushtoi gëzimi, kënaqësia, dhe filluan të qeshnin.

As pleqtë nuk e mbajtën dot të qeshurën, kur dëgjuan se të gjithë po qeshnin. E qeshura, që dukej në buzë dhe në gojë, shpërthente së thelli, nga zemra.


Qeshnin të gjithë, pleqtë, burrat, gratë, të rinjtë dhe fëmijët. Ishte një shpërthim gazi që u përhap si një valë e fuqishme dhe shkoi e u përplas te pallati i tiranit.
Dhe e qeshura e të gjithëve e shembi dhe e bëri copë-copë pallatin dhe zemrën e gurtë të tiranit.

Në shqip: Bajram Karabolli

ObserverKult

Lexo edhe :

KUSH DO TË NA E MBROJË SHQIPEN NGA KËTA “MODERN” BARBARË?!, NGA BAJRAM KARABOLLI

Të vrasësh gjuhën e nënës është një ndër krimet më të shëmtuara, më të neveritshme. Dhe e keqja është se tek ne nuk ka ligj për t’i ndëshkuar këta derdimenë që masakrojnë dhe e marrin nëpër këmbë gjuhën tonë të bukur.

Ata vrasin fjalën shqip dhe në vend të saj vënë një fjalë të huaj. Dhe janë pikërisht ata që pushtojnë ekranet dhe mediat tona. Janë gazetarët dhe politikanët

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU: