Hose Agustin Gojtisolo: Askush nuk është vetëm

Pikërisht këtë çast
ka një njeri që vuan,
një njeri që torturohet
vetëm ngaqë do lirinë.

Nuk e di
ku jeton ç’gjuhë flet
ç’ngjyrë e ka lëkurën,
si e ka emrin nuk e di
por pikërisht në këtë cast
kur sytë e tu lexojnë
poezinë time të vogël,
ai njeri ekziston, thërret,
mund t’ia dëgjosh të qarën
prej qenieje të përndjekur,
ndërsa kafshon buzët
për të mos kallëzuar shokët.

E dëgjon?

Një njëri i vetëm
këlthet duarlidhur
ekziston diku.

I vetëm thashë?

Nuk e ndien edhe, ti si unë,
dhimbjen e trupit të tij
në tëndin përsëritur?
Nuk të del dhe ty gjak
nën goditjet e verbëta?

Askush s’është vetëm. Tani,
pikërisht këtë çast,
edhe ty edhe mua
na kanë lidhur duart.

Shqipëroi: Aurel Plasari