Humb jetën nga Covid-19 regjisori i njohur, Kadri Metohu

COVID-19 ka marrë një tjetër figurë të rëndësishme të ekranit shqiptar.
Është ndarë nga jeta në moshën 90-vjeçare regjisori dhe skenaristi Kadri Metohu. Ai prej disa ditësh ishte i infektuar me koronavirus, teksa së fundmi gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar.

Lajmin e vdekjes së tij e ka bërë më dije përmes një postimi në rrjete sociale gazetari Dhimitër Gjoka, i cili e mbyll mesazhin e gjatë me fjalët “I paharruar kujtimi i vjehrrit tim Kadri Metohu”.

Në të gjithë karrierën e tij krijuese ai u bë i njohur jo vetëm ne dhjetra spektakle televizive, dokumentarë, telereportazhe e radiodrama por edhe në veprat skenike si regjisor i disa veprave operistike.

Metohu studioi për regjisurë në Pragë të Cekosllavakisë nga ku pruri një eksperiencë të madhe bashkëkohore duke dhënë kontributin e tij të vyer në fushën e regjisë televizive, radiofonike dhe skenike.

 Pas specializimit në Rai të Italise ai kontribuoi në ngritjen e Televizionit Shqiptar mbi baza profesionale. Është krijues i emisioneve të sukseshme radiofonike si “Heroizmi i popullit tonë në shekuj” si dhe “Teatri në mikrofon”. Për kontributin e tij të çmuar ai është nderuar me çmime të shumta kombëtare.