I biri i piktorit të ndjerë, Sali Shijakut, zbulon 2 fjalët e fundit të mjeshtrit të pikturës

Dritë dhe ngjyra, janë 2 fjalët e fundit të mjeshtrit Sali Shijaku para se të vdiste, dy fjalë që e kanë përkufizuar atë si artist, mirëpo ai i jepte një tjetër kuptim, meshkujt i ka cilësuar ngjyra, ndërsa nënat shqiptare drita… 

Të afërm, miq e dashamirës të artit të tij unik dhe të veçantë patën mundësi që të nderojnë artistin e talentuar në ceremoninë e homazheve që u mbajtën të dje në hollin Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

I biri i tij, Orges Shijaku ka zbuluar se amaneti i tij ka qenë kujdesi për Shqipërinë.

“I kam qëndruar aty deri në momentet e fundit, për artin shqiptar unë besoj që është një humbje e madhe, gjithë jetën ia ka kushtuar, Shqipërisë, flamurit tonë kombëtar dhe nëse do e shohim nga njëra anë, është një shenjë e tij, te muze kemi afreskun e tij, Galeria e Arteve ka 99 vepra të tij, ai nuk ka dashur dekorata, familjarisht nuk e prisnim gjithë këtë që po bëjnë mediat, shokët e vet, apo edhe nga vetë qytetarët.

Në të gjitha aspektet, nuk po them nga ana e qeverisë apo e shtetit, mendoj se Sali Shijaku ka arritur që të marrë të gjitha meritat dhe dekoratat. Ka bërë telefonatat e fundit me shokët e vet. Bota është krijuar nga 2 gjëra, nga drita dhe ngjyrat, ne meshkujt jemi ngjyrat, ndërsa nënat shqiptare janë dritat”, ka zbuluar i biri.

Homazhet në nder të artistit të njohur janë organizuar nga Bashkia e Tiranës, teksa kryetari Erion Veliaj, e cilësoi si një “shërbëtor të qytetit”.

“Sot qyteti mori një pauzë për të reflektuar që sot iku një njeri i mirë që i bëri mirë këtij vendi që bashkoi njerëzit, nuk i përçau, që u investua tek e mira. Të gjithë ne kemi parë një shërbëtor që nuk e bënte se paguhej por i shërbente qytetit me dashuri, me talent e duke investuar gjithë familjen e asetet e veta”, tha Veliaj.

“Preku të gjitha sferat, krijoi një shkollë të tij, vepra në çdo ekspozitë pritej me kërshëri puna e Sali Shijakut, ai kishte dhe një potencial të madh intelektual që shtrihet edhe në zgjuarsinë dhe intuitën e tij, sepse veprat e tij sot janë më të rëndësishmet, që zënë vend të rëndësishëm, figura kryesore e pikturës shqiptare, humbja është e madhe sepse na iku oxhaku i vjetër i një shtëpie, do na marrë malli, ju ka thënë fëmijëve, unë nuk kam ikur nga ju, ju do më shihni”, tha miku i tij, Abaz Hado, transmeton ‘shqiptarja.com’.

Në homazhe në nder të piktori, pavarësisht ngushëllimeve të bëra në rrjetet sociale, nuk ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Nju Jork, as presidenti Bajram Begaj apo figura të tjera nga politika.

Sali Shijaku ishte një nga mjeshtërit e rrallë të pikturës. Një artist ekspresionist që u bëri sfidë edhe metodave të ngurta të realizmit socialist gjatë periudhës së komunizmit. Ai mbeti artisti i ngjyrave origjinale dhe trumfator i lirisë krijuese në art.

Vokacioni i artistit është të ndriçojë thellësitë e shpirtit njerëzor me dritë dhe sot mjeshtri i madh i pikturës shqiptare Sali Shijaku ndriçohet nga drita e parajsës. Shijaku është cilësuar nga studiuesit si një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Ai krijoi vlera artistike që ndikuan në modernizimin e pikturës shqiptare të viteve 1965 -1980. Shijaku ishte piktor kolorist, dekorativ dhe krijuesi i kompozimeve, një figurë shembull në artin piktorik shqiptar të çerekut të fundit të shekullit XX.

Mjeshtri i madh i pikturës shqiptare Sali Shijaku u shua në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit në moshën 89-vjeçare, pasi prej disa ditësh ishte në gjendje kome.

https://youtu.be/AVhVHRwzaO8

Lexo edhe:

NDAHET NGA JETA PIKTORI I NJOHUR, SALI SHIJAKU

ObserverKult