“I detyroi” francezët të këndonin shqip/ Red Radoja flet edhe për të atin e ndjerë, aktorin e njohur Guljelm Radojën

Kompozitori e pianisti, Red Radoja, mban në ‘Opera’ një koncert recital në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Frankofonisë.

Artisti rrëfen jetën në Francë, ku promovon dhe muzikën shqiptare, familjen dhe mungesën e të atit, aktorit Guljelm Radojës.

Rikthimet e pianistit e kompozitorit Red Radoja në vendlindje janë gjithnjë e më të shpeshta… Në Ditën Ndërkombëtare të Frankofonisë, pas Korçës e Durrësit, mbajti një koncert recital në ‘Opera’.

Nga Franca ku jeton prej më shumë se dy dekadash, sjell veprat e 6 kompozitorëve, duke mbërritur deri tek pjesët e tij.

“Është një repertor që shkon në periudha të ndryshme, nga muzika baroke e shek. XVIII deri në shek.XXI. Janë 6 autorë francezë dhe i fundit si mercenar shqiptar në Francë jam unë”, thotë artisti Red Radoja.

Radoja është pedagog i pianos në Shkollën e Muzikës së Luneville, si dhe kompozon.

“Prej disa vitesh merrem me promovimin e veprave të mia por edhe me promovimin e veprave të kompozitorëve të krahinës ku jetoj. Dhe ky është edhe qëllimi i këtij minikoncerti”, shprehet ai.

Ka drejtuar projekte të ndryshme muzikore, ku ka bërë pjesë edhe polifoninë e disa vendeve, përfshirë atë shqiptaren.

“Ishte një projekt tre vjeçar që bëhej nga Kështjella Historike e Qytetit ku jetoj ishin disa atelie të polifonisë tradicionale.

Sigurisht që këtu flitej jo vetëm për polifoni shqiptare por edhe për polifoni të Korsikës, Sardenjës, Kaukazit etj. Por mbi të gjitha futa atë që ishte shqiptare…”, shprehet më tej kompozitori.

Tregon se si ishte të dëgjoje francezët teksa këndonin polifoninë shqiptare.

“Shumë interesante, sepse krijohet një lloj theksi i çuditshëm, i një muzike që për ne është e njohur, por me një dialekt tjetër”, thotë më tej.

Ka sjellë në kohë pjesë muzikore të traditës. Pjesë si “Fuqia e Mujit” apo “Kalërimi”, të cilat i ka interpretuar edhe para publikut të huaj.

“Në synimet e mia në fushën e muzikës është edhe etnomuzikologjia. Merrem me përpunimin e një materiali që e kam incizuar në terren.

Por sigurisht në krijimtarinë time është gjithmonë ky ndikimi i traditës dhe i Eposit të Kreshnikëve për të cilën e ndiej veten disi më të specializuar”, thotë më tej.

Teksa luan dhe promovon kompozitorë të huaj, thotë se krahasimi i muzikës shqiptare me këto pjesë është i pashmangshëm.

“Muzika shqiptare është në vazhdën e një muzike klasike evropiano-perëndimore, por që bazat merren nga tradita, të paktën pjesa më e madhe e kompozitorëve shqiptar”, tregon Radoja.

Nga dy fëmijët, ndonëse ende tepër i vogël, i biri ka shfaqur një vesh të mirë muzikor.

“Vajza ime që është 17-vjeçe, megjithëse e kishte prirje nuk pranoi t’i hynte muzikës. Kam një djalë që është shumë i vogël, vetëm tre vjeç, ai ka një vesh shumë të mirë dhe këndon gjatë gjithë kohës në shtëpi pjesët e mia.

Ka një vesh që më befason. Ndoshta ai do të bëjë zgjedhjen që dëshiroj unë, por do ti mbetet atij në dorë”, shprehet më tej artisti.

Mes të afërmve, këtë mbrëmje e përcolli edhe nëna e tij, ndërsa mungesa e babait, aktorit Gulielm Radoja ndihet.

“Është e vështirë sepse babai nuk është më. Megjithatë nuk e di pse kam ndjesinë sikur ka dalë dhe do të kthehet përsëri.

Ende nuk pajtohem me idenë se ai ka ikur për të mos u kthyer më…”, thotë Radoja./shqiptarja.com

ObserverKult


Lexo edhe:

REDI RADOJA RRËFEN BISEDAT E FUNDIT ME TË ATIN: KEMI FOLUR MË SHUMË ME SY

Në një lidhje për “Shqipëria Live”, Redi Radoja tha se aktori i njohur u dorëzua sepse ishte shumë i lodhur nga lufta me Covid-19, pavarësisht se filloi të ushqehej.

Ndër të tjera shtoi se besonin se do të ndodhte mrekulli, por fatkeqësisht morën lajmin e hidhur se i ati kishte ndërruar jetë vetëm 2 ditë pasi e kishin shtruar tek “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.

Babi ishte shumë i lodhur nga ana e frymëmarrje dhe mundohesha që të fliste sa më pak. Më shumë i flisja unë, i jepja kurajo dhe e shtyja të merrte frymë se ishte e vështirë për të që edhe të kujtohej të merrte frymë.

Më tepër kemi folur me sy se me fjalë. Ne të gjithë kishim shpresë deri në minutën e fundit se mbase do të ndodhte një mrekulli.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult