I kam të numëruara vitet, nuk kam kohë të duroj …

Mário de Andrade, poet brazilian (1893-1945)

Shpirti im e ka me ngut
I kam numëruar vitet e mia dhe kam ardhur në përfundim
Se më kanë mbetur më pak vite të jetoj nga ç’kam jetuar.
Ndihem si një fëmijë, i cili ka fituar një kuti me sheqerka:
Të parat ai i ha me kënaqësi,
Por kur e vëren se i kanë mbetur edhe pak,
Fillon e i shijon me thellësi.
Nuk kam kohë për konferenca të pafundme,
Gjatë së cilave diskutohen statute, rregulla, procedura dhe politika të brendshme
Duke e ditur se në fund asgjë nuk do të arrihet.
Nuk kam më kohë të duroj njerëz absurdë,
Të cilët, pavarësisht moshës së tyre, nuk kanë arritur të piqen.
Nuk kam kohë më të luftoj me mediokritetin.
Nuk dua më të marr pjesë në takime, ku egot e sëmura marshojnë prore.
Unë nuk i honeps dot manipulatorët dhe oportunistët.
Nervat m’i acarojnë xhelozët, të cilët përpiqen t’i diskreditojnë të aftët,
Që t’i përvetësojnë pozitat, talentet dhe sukseset e tyre.
Njerëzit, të cilët nuk i diskutojnë përmbajtjet, por vetëm titujt.
Koha ime është tepër e shkurtër për të diskutuar për titujt. Mëtoj thelbësoren,
Sepse shpirti im e ka me ngut. Pa shumë sheqerka në kuti.
Dua të jetoj mes njerëzisht, të cilët sillen njerëzishëm.
Mes njerëzish, të cilët qeshin me zë për gabimet dhe nuk krekosen për sukseset e tyre.
Madje as nuk e ekzagjerojnë pozitën dhe nuk ikin nga përgjegjësia e tyre.
Por, që e mbrojnë dinjitetin njerëzor dhe rreshtohen në anën e së drejtës dhe të vërtetës.
Kjo është ajo thelbësorja, që e bën të vlefshme jetën.
Dua të jem i rrethuar me njerëz, të cilët dinë t’i prekin zemrat e të tjerëve.
Me njerëz, të cilët kanë mësuar nga goditjet e jetës dhe janë rritur përmes prekjes së shpirtit.
Po, unë e kam me ngut.
E kam me ngut të jetoj me intensitetin, i cili mund të prodhojë vetëm pjekuri.
Përpiqem të mos i harxhoj kot sheqerkat e mbetura.
Jam i bindur se do të jenë më të shijshme nga ato, që i kam ngrënë më parë.
Qëllimi im është që fundin ta arrij i kënaqur: në paqe me veten, me jetën dhe ndërgjegjen time.
Ne kemi dy jetë dhe e dyta fillon, kur TI e kupton se ke vetëm një jetë.

Përkthimi dhe përshtatja nga Arbër Çeliku