“I vetmi shpëtim i njeriut është dashuria…”, me këtë nuk pajtohen ata që kurrë s’kanë dashuruar

Emil Cioran
Emil Mihai Cioran (8 prill 1911 – 20 qershor 1995)

I lindur në Răşinari, një fshat i vogël në malet Karpate të Rumanisë, Emil Cioran u rrit nën “sundimin” e një babai që ishte prift ortodoks rumun dhe një nëne e prirur ndaj depresionit.

Filozofi dhe eseisti rumun u bë i famshëm për esetë dhe aforizmat e tij që trajtonin tjetërsimin, mërzinë, kotësinë dhe prishjen e qytetërimit. Veprat e tij e bën një nga filozofët më të mëdhenj të shekullit të 20-të.

Duke vuajtur nga pagjumësia që në vitet e adoleshencës në Sibiu, i riu Cioran studioi filozofi në “Parisin e vogël” të Bukureshtit.

Më vonë në librin e tij “Lot dhe Shenjtorë” Cioran do të shkruante:

“Gjatë netëve pa gjumë, duke u kthyer mbrapsht në rrjedhën e kohës, ne përjetojmë tmerret dhe gëzimet katragjyshore, ngjarje para historisë dhe kujtimeve tona. Pagjumësitë na kthejnë tek origjinat dhe ne na çojnë tek agimi i qënieve. Ato na largojnë nga përkohshmëria dhe na shtrëngojnë të dëgjojmë kujtimet fare më të hershme, që janë gjithashtu edhe më të parat. Në këtë shpërbërje muzikale të pagjumësisë, ne i ezaurojmë paraardhësit dhe e shterim të kaluarën tonë. A s’kemi atëherë ndjesinë se kemi vdekur së bashku me kohën?”

Emil M. Cioran

Në vazhdim ObserverKult ua sjellë disa thënie të zgjedhura të Emil M. Cioran:

– Në gjykimin e fundit do të peshohen vetëm lotët.

– Nuk ka asgjë që e justifikon faktin e të jetuarit.

– Kufiri i çdo dhimbjeje është një dhimbje më e madhe.

– Fillimi i çdo ideje përkon me një vuajtje.

– Fakti se jeta nuk ka kuptim është një arsye për të jetuar.

– Hyjnia bëhet e rreme në çastin kur askush nuk denjohet më të vdesë për të.

– Letërsia, filozofia, feja, të gjitha i japin tepër rëndësi njeriut.

– Funksioni i vetëm i kujtesës është të na ndihmojë të kemi pendesa.

– E keqja, ndryshe nga e mira, ka privilegjin e dyfishtë të të qenit tërheqëse dhe ngjitëse.

– I vetmi shpëtim i njeriut është dashuria. E nëse disa e kanë banalizuar këtë pohim, është sepse ata nuk kanë dashuruar kurrë.

Emil Cioran- Në vitin 1933 botoi librin e tij të parë me titull “Mbi majat e dëshpërimit”, i cili fitoi çmimin e Akademisë Mbretërore për shkrimtarë të rinj. Ishte i pari nga dy çmimet letrare që Cioran nuk e refuzoi

Përgatiti: A. S.- ObserverKult

————————-

Lexo edhe:

DUMAS: KURRË MOS I BESONI NJË ARMIKU QË JU BËNË DHURATA!