Ibrahim Kadriu: Të shkruarit ma mban disponimin për jetë!

*

Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtari, Ibrahim Kadriu.

Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

-Takimi i parë ishte i largët, në fillim të viteve të gjashtëdhjeta, aso kohe kur isha nxënës i Normales dhe kur, me atë entuziazmin rinor, organizonim takime letrare dhe e botonim (në formë shaptilografi) revistën “Normalisti”. Krijimet e para letrare, pra, i kisha të shpërndarë faqeve të asaj reviste që neve na dukej shumë e vlefshme. Në vitet e fundit të Normales, duke marrë guximin e një aderuesi të letërsisë, iu drejtova adresave të gazetave tona dhe, për gëzimin tim, hasa në përkrahje dhe m’u dha mundësia ta shihja ndonjë krijim timin në gazetë. E vërteta, në pranverën e vitit 1957, kur isha në Fillore, me sugjerimin e arsimtarit tim të atëhershëm (piktori i ardhshëm Adem Kastrati) merrja guximin të nxitesha të bëja vizatime. Ishin ato vizatime që pëlqeheshin, bile arsimtari Enver Gjinolli kur i shikoi punimet e mia, më propozoi që, ndonjë nga ato punime, t’i dërgoja në adresën e revistës “Zani i rinisë”. Arsimtari më solli tush që, punimet t’i bëja me ngjyrë të zezë tushi. Sipas insistimit të arsimtarit i cili ma siguroi edhe adresën e revistës – dy punime u botuan dhe, për ato dy punime, më erdhi një honorar që ishte në nivelin e një rroge të mësuesit… Edhe si nxënës i fillores bëja prova të shkrimit letrar, por më ndodhi dëshpërimi, pasi që tri vjersha ia dhashë arsimtarit të gjuhës shqipe dhe ai i mori dhe kurrë nuk m’i ktheu. Me atë rast e pata marrë vetën me të mirë: krijova bindjen se vjershat ishin të mira dhe si arsimtari ka mund t’i ndalte për veti! Nejse, në Normale, pra, vazhdova me shkrime letrare dhe, më 1962, vjershat e mia i pashë të botuara në revistën “Jeta e re” dhe, më pastaj, botimet i vazhdoja edhe në gazeta tjera…

Kur ratë në “grackën” e saj?

-Atëherë kur fitoja ndonjë lëvdatë nga ndonjë lexues dhe, në saje të atyre lëvdatave, e bindja veten se lexuesi mund të ishte i sinqertë. Kjo ishte ajo “gracka” e cila, shpesh, nuk më lente të merresha me punë tjera, bile shpesh ma largonte edhe gjumin… Por ishte një grackë e bukur e cila më mbajti aktiv tërë jetën, gjithnjë duke e bindur veten se ia vlente t’i përkushtohem tërësisht letërsisë. Në këtë drejtim, si grackë për të mbetur në letërsi, ishte edhe njoftimi me Azem Shkrelin i cili, e kishte pas pyetur Beqir Musliu se a njihte ndonjë shkrimtar të ri dhe Beqiri e kishte përmend emrin tim, kurse Azemi i kishte thënë të shkoja në zyrën e tij, që atëherë ishte sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. U ndjeva i entuziazmuar dhe, pa vonesë, shkova dhe u takova me Azemin. Ai m’i kërkoi poezitë që i kisha shkruar, dhe unë ia ofrova fletoren ku i kisha të renditura. Azemi bëri përzgjedhjen. Mandej atë përzgjedhje, pa e ditur unë, i kishte dërguar në gazetën “Flaka e Vëllazërimit” në Shkup e cila e botoi një faqe të tërë me poezitë e mia. Unë nuk e dija. Një shok imi e kishte marrë gazetën dhe më tregoi. Kjo ishte “kurtha” më e madhe e përkushtimit tim jetësor…

Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?

-Si maturant i Normales ndodhi një ngjarje e cila kishte efekte shumë negative në qarqet shoqërore. Në qershor të vitit 1964, brenda natës, siç flitej, policia burgosi një numër të konsiderueshëm intelektualësh shqiptarë, siç ishin: Adem Demaçi, Teki Dervishi, Beqir Musliu, Rexhep Elmazin, etj. Me Teki Dervishin, Beqir Musliu e Rexhep Elmazin, që të tre shkrimtar të mrekullueshëm, kishim shoqëri. Tekiu ishte Gjimnazist në Gjakovë, por ne mbanim lidhje përmes letërkëmbimit… Ademin e dënuan me shumë vjet, njësoj edhe Rexhep Elmazin, kurse Teki Dervishit ia “mbështetën” tre vjet burg, në burgun më famëkeq të Goli Otokut. Beqir Musliun e patën liruar pas gjashtë muajve. Për atë rast, që më dukej shumë tragjik, shkrova vjershën “Elegji ditës” e cila, pikërisht në atë qershor të atij viti, u botua në gazetë. Me atë rast të botimit vërtet e kam ndjerë vetën shkrimtar, sidomos atëherë kur më thoshin: “Si ke guxuar” të shkruaje ashtu?
Vjersha që iu kushtohej të burgosurve të asaj kohe me plot ngërçe, e shkruar në dialektin gegë, natyrisht, ishte:

ELEGJI DITËS
Do të kalojnë mbas kësaj dite edhe shumë ditë tjera
Në stihinë e t’cilave çdokujt do t’i mbetej diçka lakmuese,
Por kjo ditë, të cilën do ta gëlltisë humnera…
Kurrë nuk do të mundet të jetë harruese!

Do të vijnë mbas kësaj e kjo do t’ikë nga vjetërsia,
Tue mbajte në shpinë thesin e mbushun me mija rrëfime…
Të cilat ma vonë do t’i bluejë dhe ushqejë historia
Si ngjarje të randësishme të kësaj dite të shkrime.

Do të vijnë mbas kësaj, por kjo nuk do të përsëritet,
Do të mbetet e strukun tu’ i ruejt rrëfimet me t’cilat u pikturue,
Ndërsa në ditët e ardhshme, n’fjalë t’botës, kjo ditë do të rritet;
Do të marrë lloj-lloj gjykimesh, të cilat kanë me amshue.

Do të vijnë mbas kësaj edhe shumë ditë, javë, muej…
Që ndërkohë këtë bisedë tonë do ta bajnë të vjetër…
Megjithatë këto vargje, që tash në vetmi po i shkruej –
Do të mbesin pjellë e ditës së sotme, e jo e ndonji dite tjetër.
Qershor, 1964


Me këtë poezi e kam filluar librin e parë poetik “Netët e Karadakut”, i botuar më 1969. Ndërkaq, në antologjinë e parë poetike të shkrimtarëve të Kosovës, botuar nga “Naim Frashëri” i Tiranës, cikli i tetë poezive të mia ka filluar pikërisht me këtë poezi.

A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?

-Po, shumë here. Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje PEN qendra e Kosovës, vitin e kaluar me këtë pyetje m’u drejtua të shkoja në Gjilan të kontaktoja me lexuesit. Organizimi ndodhi në sallën e bibliotekës “Fan Noli”, para një publiku të zgjedhur. Ajo (po e quaj) ligjëratë u prit me interesim, ndërkaq pastaj zuri vend në disa portale, por u botua edhe në gazeta e dy revista. Shkrimi është i gjatë, kurse për këtë rast (të kësaj përgjigjeje) po sjell vështrimin e shkrimtarit dhe eseistit Timo Merkuri i cili, në një shkrim të gjatë, duke zbërthyer arsyen pse shkruaj unë, thotë, pos tjerash: “Një nga arsyet kryesore që Kadriu përmend arsyen është çlirimi shpirtëror. Ai e përjeton procesin e shkrimit si mënyrë për t’u çliruar nga barra e rëndë mendore dhe shpirtërore që e ndjek për ditë të tëra përpara se të arrijë të shkruajë. Pikërisht shkrimi i jep atij ndjenjën e çlirimit nga realiteti emocional i ngarkuar, të cilin ai e transformon në tekst letrar. Shkrimi për Kadriun është rrugëdalje nga tensionet shpirtërore, që lindin nga përjetimi i temave dhe motiveve që e preokupojnë…”. Pajtohem me Timon.

Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?

-Nuk hetoj ndonjë veçanti, meqë nuk dëshiroj të veçohem nga të tjerët, bile në raste as para të panjohurve as që prezantohem si shkrimtar. Në kohën e studimeve e kam pasur cimer një kimist nga Peja i cili, kur e kishte pyetur njëri se me kënd banon në Shtëpinë e studentëve dhe ai i tregon emrin dhe mbiemrin tim, ai i thotë “me shkrimtarin po banoje?” Kurse kimisti e kundërshton: – Ai nuk është shkrimtar, është student i Albanologjisë. Kur u kthye në Prishtinë, më tregoi se çka i kishte thënë ai shoku në Pejë. Mirë i ke thënë, – iu pata përgjigjur. Megjithëkëtë, të them se e veçanta si shkrimtar është përkushtimi pa ndërprerje që nga hapat e parë e tutje, si në kohë më të hershme, po ashtu edhe në kohën e sotme – pa ndalje, edhe në këtë moshë tetëdhjetëvjeçare.

Çka keni thënë me shkrimet tuaja?

-Atë që kam thënë përmes veprave të mia e dinë lexuesit. Nuk di sa i takon autorit të flasë mbi atë se çfarë është thënë. Sidoqoftë, kam thënë gjithë atë që ma ka marrë mendja se duhej t’i afrohej lexuesit, domethënë i jam përkushtuar temave që më janë dukur më interesante dhe i kam shtjelluar qoftë në poezi, apo në prozë.

Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?

-Shumëçka, sepse hapësira kohore është një konglomerat pa limit. Duke qenë i bindur për hapësirën e tillë e cila më rrethon, më duket se e pa thëna zë një vend kyç dhe, shih për këtë, vazhdoj të jem aktiv. Me këtë dua të them se “nëpër duar” kam tema në rrugën e shtjellimit dhe punoj vazhdimisht që t’i përfshi të pathënat të cilat, natyrisht, më imponohen derisa merrem me gjetjen e temave të përshtatshme që “do të marrin frymë” në formën letrare. Te pathënat janë të shumta, mbase vështirë të definohen. Duhet kohë që ato të definohen.

I besoni muzës apo përvuajtënisë së punës së pareshtur?

-Muza e ka vlerën e vet, prandaj kur e kuptoj me efekte të frymëzimit, i besoj. Në aspektin teorik thuhet se Muza është një koncept që lidhet me frymëzimin dhe krijimtarinë, zakonisht në kontekstin e artit, letërsisë ose muzikës. Në mitologjinë greke, muzat ishin hyjnesha të frymëzimit, dhe secila përfaqësonte një disiplinë artistike të caktuar, si poezia, muzika, historia, ose piktura. Ato shiheshin si udhëheqëse që ndihmonin artistët dhe krijuesit të shprehnin ide dhe ndjenja të thella. Në një kuptim më të gjerë, “muza” mund të referohet gjithashtu për çdo burim frymëzimi që ndihmon dikë në procesin e krijimtarisë. Por, megjithëkëtë, angazhimi i drejtpërdrejtë, puna në vazhdimësi është esenciale, sepse frymëzimi është një shtytje, ndërkaq kreativiteti me angazhim të përhershëm i ndihmon frymëzimit.

Sa jeni i kënaqur me punën që e bëni në letërsi?

-Me punën që e kam bërë dhe që e bëj në letërsi pjesërisht jam i kënaqur, e do të isha edhe më i kënaqur që pa përtesë t’iu bëj shërbim temave që më “sillen” në kokë. Mbi njëqind veprat e deritashme më japin vullnet të vazhdoj edhe më tutje. Njësoj më kanë sjellë kënaqësi mbi njëzet vepra të përkthyera në njëmbëdhjete gjuhë të huaja: frëngjisht (gjashtë romane), anglisht, serbisht, suedisht, italisht, greqisht, arabisht, turqisht, rumanisht, norvegjisht e malazeze. Po e quaj malazeze, sepse ata vetë dëshirojnë që gjuha e tyre të mos quhet gjuhë serbe…

Sikur t ‘fillonit nga e para, do t ‘bëheshit sërish shkrimtar apo jo?

-Sigurisht se po. Ky është profesioni i cili ma mban disponimin për jetë. Nuk di se si do të angazhohesha në ndonjë profesion tjetër

ObserverKult


Lexo edhe:

IBRAHIM KADRIU: PSE SHKRUAJ?

RRUSTEMI: IBRAHIM KADRIU, SHKRIMTARI MË I PËRKTHYER I KOSOVËS

PYETËSORI I PRUSTIT: IBRAHIM KADRIU