Pyetësori i Prustit: Ibrahim Kadriu

 

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Ibrahim Kadriu. 

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
-Vetëm i marri mund të ketë lumturi të përkryer.

Cila është frika juaj më e madhe?
-T’i besoj imazhit për vetveten.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Atë që shikon punët e veta.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Me asnjë nuk do të dëshiroja të identifikohesha, sepse barra historike është aq e rëndë, nuk do të mund ta bartja.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Dashuria e vetvetës, vetëkënaqësia.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Injoranca.

Në cilat gjëra e teproni?
-Duke mos ua thënë njerëzve në sy për gënjeshtrat kur i thonë dhe nuk skuqen.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-Nuk kam pasur përvojë të tillë, kur të më ndodh arsyeja për gënjeshtër do përgjigjem.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Në “Gërmi” për çdo mëngjes, tash e tetëmbëdhjetë vjet më parë.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-A jemi normal? Kjo pyetje qëndron para çdo veprimi anormal, që nuk përkon me rezonimin e shëndoshë. A jemi normal kur i dëgjoj parlamentarët, veprimet e politikanëve… A jemi normal, kur dëgjoj të flitet në Tv, kur vërej titujt e emisioneve në gjuhë të huaja; a jemi normal them kur dëgjoj për marrjen e titujve akademikë përmes telefonit, etj.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Që nuk i kma besuar me kohë asaj thënies emblematike të Ramë Bllacës: atij që nuk i kam dhënë bukë nuk më vret!

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Puna, moshumbja e vullnetit për punë.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-Për fat ende nuk më ka zënë pisk skleroza, pavarësisht moshës dhe pensionimit. Po përpiqem të qëndroj zgjuar.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-Do të ndryshoja qëndrimin ndaj individëve  të cilët (siç e kam kuptuar vonë) para meje e kanë preferuar aktrimin.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Që nuk kam pasur etje për politikë.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-Konsideratën njerëzore; shtytjet organizative në fushën e artit dhe të kulturës.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Në përvojën e tashme. Nuk kam menduar për ndonjë kthim.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
-Familja.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Shpirtvogëlsinë, rrahgjoksin, injorancën…

Ku do të dëshironit të jetonit?
-Në Sarandë.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
-Dinjitetin.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
-Mençurinë.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
-Lorka.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Ende nuk ka lindur. Këtë e them duke u mbështetur në njollat e heronjve që i kemi.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Jam mësuar me këtë që e kam, vështir do të adaptohesha në ndonjë tjetër.

Si do të dëshironit të vdisnit?
-Në këmbë.

Cila është motoja juaj?
-Baudelaire thoshte: E vetmja mënyrë për ta harruar kohën është ta shfrytëzosh atë. Kjo është motoja ime – shfrytëzimi i kohës në mënyrë të pandërprerë./Gazeta Observer