Ibrahim Rugova: Ja çka është refuzimi…

Fahredin Spahija: Ibrahim Rugova

Ibrahim Rugova i përket brezit të 68-tës, dhe më tej Qarkut Kulturor të Prishtinës. Në fund të viteve gjashtëdhjetë të shekullit njëzet Prishtina u bë qytet universitar duke u prirë nga një lëvizje e fuqishme studentore e kulturore, që mblidhte për të parën herë të rinjtë e tokave shqiptare: në Kosovë e rreth Kosovës.

Kjo lëvizje kulturore e intelektuale, krejt natyrshëm e bëri qendrën në Universitetin e Prishtinës, për ta shpërndarë ndikimin e vet çlirues edhe në shtresa të tjera të shoqërisë. Fuqia e kësaj lëvizjeje u përqendrua në kulturë e krijimtari, me artikulim më të fuqishëm në letërsi, me shenjën e fuqishme nacionale e autentike dhe me shenjën e modernitetit përnjëherësh, shkruan Sabri Hamiti.

Sipas tij, njëri nga më përfaqësuesit e kësaj lëvizje është Ibrahim Rugova, me përcaktim kritik letrar e studiues i letërsisë dhe i kulturës shqiptare.

“Qerthulli kulturor i Prishtinës, që më vonë do të zhvillohet edhe në një kulturë letrare, në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit njëzet kishte përqafuar një program letrar e kulturor, qoftë pa e afishuar: të hyhet sa më thellë në njohjen e trashëgimisë shpirtërore nacionale e në të njëjtën kohë të ketë një hapje ndaj kulturave të tjera perëndimore, sidomos të modernitetit të tyre.

Ibrahim Rugova si krijues e kritik nuk u është larguar asnjëherë këtyre dy kërkesave të qerthullit kulturor të Prishtinës, për dy decenie të plota të krijimtarisë letrare kritike”, tha Hamiti.

Rreth librit “Refuzimi estetik”

Sipas akademik Sabri Hamiti “Refuzimi estetik”, është libri i fundit kritik i Ibrahim Rugovës, ndërsa në trajtën e ndërtimit formal duket të jetë vazhdim i librit të mëhershëm Strategjia e kuptimit.

“Kjo jo vetëm sepse e përbëjnë kryesisht tekste kritike që lidhen me autorë bashkëkohorë dhe vepra e ide letrare aktuale, por edhe pse kapitujt e tij nuk emërtohen në bazë të çështjeve të shqyrtuara, por në bazë të klasifikimit të formave të kritikës së autorit. Në këtë vështrim, kemi një vetëklasifikim të shkrimit të autorit”.

Ndërsa vetë autori, Ibrahim Rugova, në parathënien e këtij libri tregon se në këtë libër janë përfshirë disa ese, kritika, vështrime e studime të botuara brenda viteve 1980 – 1986.

“Klasifikimin e tyre e bëmë sipas zhanreve të kritikës dhe të studimit në tri pjesë: Teori e kritikës, Ese e kritikë dhe Vështrime e studime, ngjashëm me një klasifikim që patëm bërë në librin Strategjia e kuptimit (1980), do të thotë se në njëfarë dore edhe ky libër do konsideruar si vazhdim i tij në planin tematik dhe në atë të prosedeut kritik”.

Në vazhdim mund ta lexoni një pjesë të shkëputur nga libri “Refuzimi estetik”:

Refuzim do të thotë të mos pranosh, të mos pranosh atë që të imponohet, e kjo varet nga qëndrimi personal dhe nga ai i përgjithshëm. Refuzimi më real është ai që mbështetet në bindjen, e bindja në argument, apo në temë thënë me terminologji antike greke.

Gjithsesi do thënë se refuzimi realizohet në aporinë e pazgjidhshme të raportit trikotomik imponimi-pranimi-refuzimi. Njeriu, fundamentalisht është i lidhur, apo i mbërthyer në këtë apori, sepse vetë jeta dhe aktet e veprimit të tij përbehen nga këta anëtarë të raportit.

Ne gjithnjë duhet të aprovojmë apo të refuzojmë diçka, e në suboardinacion këto dalin nga imponimi. Me fjalë të tjera, çështja e refuzimit mund të shtrohet e të kuptohet si gjest i përditshëm. Dhe jeta gjithnjë zhvillohet brenda kësaj aporie, apo kështu zhvillohet refuzimi në jetë.

Duke e kuptuar si gjest individual, refuzimin e gjejmë edhe në sferat më intime të jetës së njeriut: në gëzim, në hidhërim, në dashuri. Nga ky fundus subjektiv filozofik bartet edhe në jetën kolektive, ku individi gjithnjë gjendet midis pranimit dhe refuzimit personal e kolektiv.

Në procesin kolektiv vendos bindja e individit, formimi i tij familjar, shoqëror e intelektual. Si në planin individual, e më shumë në atë kolektiv, imponimi është një akt represiv, apo opresiv, sepse del nga një rend, sistem gjërash, siç konstaton. R. Jakobsoni. Dhe ne, përmes refuzimit, çlirohemi nga opresioni apo biem viktima të tij, bëhemi robër të tij.

Njeriu në këtë plan ka vetë dy zgjidhje, thjesht e shkurt: po e jo, por rrugët e realizimit dalin të ndryshme. Refuzimi ngrihet kundër imponimit kur ai është represiv, kur insiston domosdo, pa bindje në pranimin e një diçkaje. Rëndom njeriut i ofrohen gjëra të ndryshme në planin individual dhe kolektiv: i imponohen nga grupet e ndryshme individuale, profesionale pastaj nga pushteti dhe nga sistemet e ndryshme të botës moderne.

Këto janë imponime më të rënda, sepse bëhen në emër të një diçkaje të përgjithshme, sepse pushteti i grupeve, i individëve zakonisht përfaqëson të përgjithshmen, apo popullin, po të thuhej me zhargon politicist.

Duke pasur këto parasysh, do konstatuar se njeriu në jetën e tij, në jetën kolektive gjithmonë gjendet midis përfaqësueses dhe ekzistueses. Dhe imponimi bëhet më i ndërlikuar kur gjendet në kuadër të përfaqësueses, sepse njeriut ekzistuesja i largohet për disa shkallë.

Apo thënë me terma më konkretë dhe më të afërmë: raporti midis të vërtetës dhe të vërtetës së përfaqësuar. Mbi këto baza fundamentale ngrihet pushteti individual e kolektiv dhe kur realizohet më mirë apo në të mirë të njeriut ky raport, atëherë kemi një liri më të madhe apo thënë me terminologji filozofike e sociale, kemi një demokraci. E demokracia më e mirë është ajo kur nuk e imponon përfaqësuesen, po e ofron përfaqësuesen dhe ekzistuesen.

Këtu lind edhe një faktor tjetër në zgjidhjen e aporisë imponim-pranim-refuzim, lind problemi mjaft human i zgjidhjes së lirë (fr. choix libre, ingl. Liberaly choice).

Zgjedhja e lirë kupton përcaktimin e individit në formë të lirë, mundësinë që ai të zgjedhë midis të imponuares dhe refuzimit. E këtë njeriu e arrin përmes formës së plebishitit individual, referendumit individual dhe kolektiv.

Në planin individual ky plebishit zhvillohet në vetë individin kurse në atë kolektiv del më i ndërlikuar dhe plebishiti mbi çështje të përgjithshme shoqërore, historike, politike e kulturore zhvillohet në formë më të ndërlikuar: mbi individin bëhen opresione të ndryshme nga grupet dhe nga pushteti të pranojë formën e imponuar, çfarë lidhen me interesa kombëtare, ideologjike, sociale, shtetërore e të tjera.

Zakonisht, këtu mundësia e zgjedhjes së lirë, thuajse gjithmonë del e manipuluar, sepse interesat e ndryshme e mbysin zgjedhjen e lirë, pra individin, e pa individin nuk ka kolektivitet stabil e të drejtë. Pastaj për të arritur një pranim më të aprovueshëm, individi apo kolektiviteti deklarohet përmes consensusit, bashkëmendimit të palëve të kundërta e të ndryshme.

Për të realizuar më mirë plebishitin, më parë duhet dhënë argumente të arsyeshme për të bindur apo për të refuzuar kundërshtarin siç thoshte Ciceroni, simbas ligjeve apo artit retorik.

Pos plebishitit apo referendumit ku merret parasysh mendimi i shumicës, përmes consensusit arrihet një baraspeshë midis mendimit të të gjithë faktorëve të vendosjes së lirë, sepse ndonjëherë edhe mendimi i shumicës, nën faktorët manipulues mund të jetë i gabueshëm. Mundësinë më të madhe të manipulimit e largon consensusi, ku vërtetohet barazia e përbërësve të një strukture, sistemi, apo kolektiviteti.

*Shkëputur nga libri “Refuzimi estetik” i botuar nga Sh. B. “Faik Konica” më 2005

Lindi më 2 dhjetor 1944 në Cerrcë të ko­munës së Istogut. Më 1945 komu­nis­tët jugosllavë ia pushkatuan ba­bain. Shkollën fillore e mbaroi në vendlind­je, ndërsa shkollimin e me­sëm në Pejë, më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prish­tinës, më 1971.

Gjatë një viti aka­demik (1976-77) qëndroi në Paris, në École Prati­que des Hautes Études, nën mbikëqyrjen e prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Më 1984 mori doktoratën në letërsi në Universitetin e Prishtinës.

Më 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Është autor i dhjetë librave. Ishte që në nismë redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj, për afro dy dekada, punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike.

Më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Më 1989 u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë politike në Kosovë, që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komu­nist në fuqi.

Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 24 majit 1992 u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës, ndërsa në mars të vitit 1998 u rizgjodh Kryetar i Republikës, kur partia e tij, LDK-ja, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elekto­ratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000. Në mbështetje të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 17 nëntorit 2001, u zgjodh Kryetar i Kosovës.

Më 1995, iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Dani­markë; më 1996, u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë; më 1998, iu nda Çmimi Saharov i Parla­mentit Evropian; në vitin 1999, mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani; në vitin 1999 u shpall qytetar nderi i qyteteve ita­liane: Venedik, Milano dhe Breshia (Brecscia); në vitin 2000, mori Çmi­min për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguera”, në Barcelonë, Spanjë, doktoratën e nderit Honoris causa të Universitetit të Tiranës më 2004, etj..

Gjatë karrierës së tij politike u takua me shumë burrështetas perën­dimorë e botërorë.

Vdiq në Prishtinë më 2006.

Veprat:

Prekje lirike, Prishtinë, 1971;
Bibliografia e kritikës letrare shqipe, Prishtina, 1974;
Kah teoria, Prishtinë, 1978;
Kritika letrare / koautor Sabri Hamiti/, Prishtinë, 1979;
Strategjia e kuptimit, Prishtinë, 1980;
Vepra e Pjetër Bogdanit 1675-1685, Prishtinë, 1982;
Kahe dhe premisa të kritikës shqiptare 1504-1983, Prishtinë, 1985;
Refuzimi estetik, Prishtinë, 1987;
Pavarësia dhe demokracia, Prishtinë, 1991;
The Glowof Passion, një antologji e letërsisë bashkëkohore në ish-Jugosllavi, në gjuhën angleze, Prishtinë, 1991.
Marie-Françoise Allain, Xavier Galmiche: I. Rugova, La question du Kosovo, Paris, 1992;
Marie-Françoise Allain, Xavir Galmiche: I. Rugova, Çështja e Kosovës, Pejë, 1993.
Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtina, 2005.

E përgatiti: A. S. – ObserverKult


Lexo edhe:

IBRAHIM RUGOVA: …VETËM JAM NË DHOMË