Ikën xhane ikën, oh të shkretët mote! Përveç dashurisë, ç’i vlen kësaj bote?

xhane grua

Poezi nga Ymer Nurka

Ikën xhane ikën, oh të shkretët mote!
Përveç dashurisë, ç’i vlen kësaj bote?
Jepmë shënjë jepmë, me një tundje koke!
Që ta ngre folenë, moj tek zemra jote.

Ah të shkretët mote, ikën xhane ikën!
Unë mbytur në ndrojtje, ti tretur me frikën.
Ç’vlerë paskan ditët e çastet që pritëm,
Në themi për jetën “erdhëm e nuk ditëm”.

Ikën xhane ikën, oh të shkretët mote!
Se kjo Botë ku jemi, i ngjaka një rrote.
Bashkë me të po tretet, Hëna magjiplote
Buzët po na vyshken, nga ca fjalë kote.

Ah të shkretët mote, ikën xhane ikën!
Në s’u ndezëm kurrë, pa lindur u fikëm!
Në s’u dashuruam, thuaj “nuk u rritëm!”
Zëre se s’ takuam, as Diellin, as dritën!

Eh të shkretët mote, shkuan xhane shkuan!
Sa shpirtra të gjorë dot s’u dashuruan!
Pa lindur u fikën dhe s’u ndezën kurrë,
Ajo, që s’u bë grua, ai, që s’u ndje burrë!

ObserverKult

lexo edhe:

YMER NURKA: KUR TI JE VONË