Ikona…


Nga Merita Bërdica

Në fundin e rrugices një deriçkë, që s’mbahet mend nga ndryshkja e ndrynit…e kafshueme nga dielli, e fshehun nga shkurret, shpërlahen mëkatet e merimangave. Kanë thurë rrjetë peshkatari në mishra, rjepë tullash.
Përkulem pak, jo se jam shumë e gjatë, por tranit derës, lundër e braktisun, i keka thye brinja në mes e atëherë s’këqyri ku ve kamben. Frymes i ndrydhen kyçet e ajrit ndër hundë, por s’bezdisë asgja. Menjëherë bahem mike me hardhucen. Ia di të ramen mërdhices. Mbys një mizë, e cila ka kohë që asht ndâ tufes dhe ia ushqej, asaj, tek bira fundit e murit. Vjeshta, si një rit pagan, këndon lutjen për me qendrue edhe pak tek ai burrë dimër.
“Lëvdue kjoftë, m’i jep do ditë, uha!”
Por lëmosha ngimje s’ka kurrë e kështu vjeshta bahet gadi me mbledh faculetën pa marr asnjë grosh.
S’ngutem. As hardhuca se ngut bishtin, anipse shef duert, që shkepin thakët e pluhnit në çdo qoshk të odes. S’i ngutet as micës, e cila shpërlan trupin, kur kupa e qielltë bie pingul mbi tokë. Bile e shef në kokorllok të synit.
Tue bubrrue në shumë rraqe më xen syni një album fotografie, mbi parvazën gurtë. I nxehti ia paska zgjatë jeten, pesha e të cilit asht ma e rand se kryqi, që i varet kësaj shtëpie përdhese.
S’ia trazoj mikëpritjen fletëve.
(Janë, si me të thanë, unë, ty. Bash si fletët e duhanit, kur zoti Ndue ia numëron damarët mes Rusit Maxhar.)
Jo, se s’due, por dâ palë kundra lustrafini, që i kam ballë meje, verbojnë tejen e shkapetun. Zgjatem m’i tërhek, por taka e njerës asht ngulë thellë ijes dërrasë, sepse ndoshta i ka mbetun borxh dâ kusure vite. Heee dërrasat, nyje të vobekta, rrudhë plakash, të cilat sa herë mundohen me marrë kend nëpër gojë ju shndritë i vetmi dhamb, që kanë. Kundrave i ka ra hija “Kodi i Da Vinçit”. Andaj s’mundem me çkodue urat e psherëtimave, në të cilat ka kalue kjo prostitutë.
Ma shton etjen prekja. Diçka e zbehtë, sa agonia ia nguc shkëlqimin. Keka një reçipet. E marr. I asht pikturue, nën dritën hanë, kufoma njashtu si ato llambadarët në ballot mondane, të cilët mbas luftës të dytë ju dridhen leqet e bizhuve.
Sa e sa netë ka mbredhë. Asht kopsitë. Asht shkye. Vjeksat kanë dalë mendç ndër çarçafë komashi…blu, kuq, vishnje…e dreqi po e din. Ndërsa copat e recave tek buza e hamshorëve. I frynin dekoltes pupël me rradhë, pa e pyet se si sjellja duhet të ishte ma brilante. Edhe për burrat esnafë shpesh ju fashitej ndër andrra, kjo bionde natyrale, sa pa hap sytë mirë qyteti, i gjente ndër kafene e tek-tuk ndonjë fjalë ju pshtonte nga goja.
Po, besa…!
Por diçka më shtyn me dit’ ma shumë. Oratoria fjalë, i ban përshtypje ndaleses teme, e cila, tash, asht shpërdorue mbi kurmin pasqyrë “Pafajësi”.
Ora rangalle e qytetit me piacë shekullore, maje atij apartamenti, fik heshtjen avash. Nata teret mbi shtyllat elektrike, tue ju shërbye meshës hyje me nga një gotë fresku. Megjithatë dal përjashta, ndezi cigaren e fundit “DS”…gramfoni, i vetmi dëshmitarë në këtë çmenduri vdekje, çjerr zanin deri në zgrip mushknive në anën tjetër të perdes, Frak Sinatra “Killing me softly”. / ObserverKult