reklamë

Ilaz Hysaj: Beni që nuk ecën vet

ilaz hysaj
Ilaz Hysaj

Nga Ilaz Hysaj

E lexova me interes shkrimin e Ben Blushit: “Pse janë kaq të shëmtuar filmat e rinj shqiptarë?”
Kritika e ashpër nuk më shqetëson. Përkundrazi, kinemaja ka nevojë për kritikë. Edhe shumë prej vërejtjeve të Blushit meritojnë debat: filmat mund të kenë skenarë më të mirë, më shumë ritëm, humor, aventura, personazhe më të larmishme dhe një marrëdhënie më të fortë me publikun.
Por një gjë është të kritikosh një film, tjetër është të shndërrosh një kritikë estetike në një gjykim apo paragjykim për një kulturë.

Dhe kjo ndodh sidomos kur Blushi kalon nga filmat te kosovarët.

Por le të fillojmë nga fshati.
Blushi pyet me ironi pse regjisorët e rinj shqiptarë e duan kaq shumë fshatin. Përshkruan rrugët e këqija, furgonët e vjetër, kafetë, gomerët, pulat, rakitë, duhanin, varfërinë dhe njerëzit e lodhur.
Mirë.
Por këtu lind një pyetje shumë e thjeshtë:
A është fshati problemi, apo mënyra se si regjisori e sheh fshatin?
Sepse një prej përgjigjeve më të bukura gjendet pikërisht në historinë e kinemasë shqiptare.
“Beni ecën vetë”.
Filmi i Xhanfise Kekos zhvillohet në një botë rurale. Ka fëmijë, kafshë, rrugë, natyrë, shtëpi të thjeshta dhe jetën e zakonshme të fshatit.
Dhe megjithatë është një nga filmat më të dashur të kinemasë shqiptare.
Por këtu vjen edhe një ironi që nuk mund të lihet pa u përmendur:
skenarin e “Beni ecën vetë” e kishte shkruar Kiço Blushi, babai i Ben Blushit.
Dhe ky fakt e bën debatin shumë më interesant.
Nëse fshati ishte në gjendje të bëhej kinema e bukur në duart e Kiço Blushit dhe Xhanfise Kekos, atëherë problemi nuk është fshati.
Problemi është syri i regjisorit.
Një lopë mund të jetë thjesht një lopë, por në duart e një regjisori të mirë mund të bëhet pjesë e një metafore, e një humori, e një atmosfere ose e një historie.
Një rrugë me baltë mund të jetë banalitet, por ne duart e një regjisori të mire mund të jetë element i fortë kinematografik.
Një shtëpi e varfër mund të jetë vetëm dekor i mjerë, por mund të bëhet vendi ku zhvillohet një dramë e madhe njerëzore.

Prandaj nuk ka kuptim ta gjykojmë kinemanë sipas vendit ku vendoset kamera.
Kinemaja nuk është më moderne sepse ka një hotel me xhama, dhe nuk është më primitive sepse ka një stallë.
Moderniteti është në mënyrën e të menduarit, mënyrën e trajtimit e jo në dekor.

Blushi ka të drejtë kur kërkon më shumë larmi në kinemanë shqiptare. Do të doja edhe unë të shihja më shumë filma urbanë, më shumë Tiranë, Prishtinë, Durrës, Shkodër, jetën e natës, teknologjinë, politikën, kapitalin, dashurinë moderne, aventurën dhe konfliktet e brezave.
Por pse për ta kërkuar qytetin duhet të përçmojmë fshatin?
Këtu argumenti fillon të bëhet i dobët.
Edhe më problematik bëhet kur Blushi kalon te kosovarët.

Ai thotë se kosovarët luajnë fshatarë nga Librazhdi, Miloti apo Berati; se nuk kuptohen kur flasin; se kinemaja e Kosovës është “një zymtësi pa mbarim”; se aktorët kosovarë nuk qeshin dhe se “kosovarizimi i filmave është dështim”.
Kjo nuk është më kritikë kinematografike.
Është stereotip.
Nëse një aktor kosovar interpreton keq, kritikoje interpretimin.
Nëse një regjisor kosovar bën film të dobët, thuaje.
Por çfarë lidhjeje ka cilësia artistike me vendin ku ka lindur aktori?
Aktorët amerikanë luajnë italianë, francezë, rusë, anglezë e japonezë. Aktorët shqiptarë dhe kosovarë luajnë personazhe nga të dyja anët e kufirit.
Kjo quhet aktorësi.
Por faktet janë edhe më kokëforta.
Në vitin 2021, “Zgjoi” i Blerta Bashollit fitoi tri çmime në Sundance: Grand Jury Prize, Directing Award dhe Audience Award.
Pra, jo vetëm juria profesionale, por edhe publiku e votoi.
Dhe në vitin 2026, Visar Morina fitoi Grand Jury Prize në Sundance me “Shame and Money”.
Filmi ‘Kolona’ e Ujkan Hysajt mori pjesë në 60 festivale ndërkombëtare dhe fitoi 16 çmime prestigjioze ku po i permendi disa:

1.Cleveland International Film Festival, SHBA, 2013, nj çmim rëndësishëm i cili kualifikonte filmin për konsiderim në nominimet e Oscar-it.

  1. Best International Short Fiction – Monterrey International Film Festival, Meksikë
  2. Audience Award – Warsaw International Film Festival, Poloni
  3. Best International Short Film – Asiana International Short Film Festival, Seul, Koreja e Jugut,
  4. Audience Award – DokuFest, Prizren
  5. Jury Prize – Alpinale Short Film Festival, Austri,
  6. Best International Short – Rome Independent Film Festival,
  7. Special Mention of the Jury – Cyprus International Short Film Festival,
  8. Special Jury Prize – Droit de Human Rights Film Festival,
  9. Special Mention of the Jury – River Film Festival,
  10. Erasmus Media Award –

Këto fitore të mëdha të filmave kosovar në festivalet më prestigjioze të kinemasë së pavarur botërore, janë një fakt që nuk mund të fshihet me fjalën “zymtësi”.
Mund të mos na pëlqejë një film,
ama nuk mund të ndërtojmë një teori për dështimin e kinemasë kosovare duke anashkaluar filmat që kanë bindur juritë dhe publikun ndërkombëtar.

As bukuria nuk është kriter i aktorësisë sepse inemaja nuk është konkurs bukurie.
Një aktore mund të jetë e bukur, e shëmtuar, e plakur, e lodhur, e varfër, elegante ose e rraskapitur. Pyetja është nëse ajo është e besueshme në personazh.
Nëse një regjisor i bën të gjithë personazhet të duken të njëjtë, atëherë kjo është çështje për kritikë.
Por të thuash se kinemaja duhet t’i bëjë gratë më të bukura, më të lyera, më seksi dhe burrat më elegantë, është një kriter shumë i varfër për artin.
Prandaj unë do ta ndryshoja pyetjen e Blushit.
Jo:
“Pse janë kaq të shëmtuar filmat e rinj shqiptarë?”
Por:
“Pse një pjesë e kinemasë së re shqiptare dhe kosovare po tregon kaq shpesh vetëm anën e errët të realitetit?”
Kjo është pyetje serioze.
Sepse po, kemi nevojë për më shumë humor, më shumë fantazi, më shumë aventura, më shumë qytet, më shumë dashuri, më shumë personazhe që ëndërrojnë, fitojnë, gabojnë, qeshin dhe jetojnë.
Por kjo nuk arrihet duke shpallur fshatin të shëmtuar dhe Kosovën të zymtë.
Dhe sidomos nuk arrihet duke e ngatërruar identitetin e një aktori me cilësinë e një filmi.

Në fund, mbase “Beni ecën vetë” na jep përgjigjen më të thjeshtë.
Nuk është fshati që e bën filmin të keq.
Është aftësia ose paaftësia e artistit për ta parë atë.
Xhanfise Keko e pa një botë të thjeshtë dhe bëri prej saj kinema.
Kjo është ajo që duhet t’u kërkojmë regjisorëve të rinj.
Jo të largohen nga fshati.
Por të mësojnë ta shohin atë.
Dhe kur kritika të jetë e aftë ta bëjë këtë dallim, atëherë ajo bëhet art i mendimit.

Dhe në fund , nëse është gjallë baba i Benit, i kisha ba selam kosovarqe dhe i kisha thanë se djali yt Beni për te cilin e ke shkrue kët “filUm, sen s’paska marrë vesh dhe hala s’koka msue me hecë vet.

ObserverKult


Lexo edhe:

Shpërthen Ben Blushi kundër kosovarëve!