Ilirian Zhupa: Burri ka dalë nga zjarri

Burri ka dalë nga zjarri, mes një nate të errët, ku pikturohen tmerret
dhe është ndjerë i vetëm, në këtë botë të qelqët, duke lënë shënja zjarresh
                                                                                                             përqark.

Ato shënja zjarresh janë bërë qenie të tjera përmes klithmash, misteresh
dhe lozin me atë që kanë At.

Pastaj flaka ka dalë nga burri, është bërë bukuri tronditëse, është bërë grua,
ka kaluar përmes tij lozonjare, e brishtë dhe e ka lënë të presë si fëmijë.

Ka të ngjarë të ketë ndodhur me shumëkënd, po së pari ka ndodhur
                                                                                                   me mua,
kur u shfaqe ti!

Atëhere kam thënë me vete: – Ç’të bëj me bukurinë tënde, me sytë e tu
                                                                                                    që magjepsin.

Ç’të bëj me zjarrin tim brufullues, që është Ti e më djeg pa mëshirë.
Kam thirrur djajtë e zinj të më vijnë me të keqen, po ty s’të ka trembur
                                                                                                           e keqja,
kam thirrur engjëjt, të marr me të mirë.
Ti veç ke heshtur. Por heshtja jote ka folur: – Kot thërret frikën, pajtimin.
Burri ka dalë nga zjarri. Zjarri ka dalë nga burri. Por flaka është grua
                                                                                                    gjithmonë…
Kështu të stepur nga nata, ndezim zjarrin që zgjohet e zbukurohet te flaka
e djeg qenien tonë.