Ilirian Zhupa: Nuk do doja të isha i pranishëm në vdekjen time

Ilirian Zhupa hajne

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet, shkrimtari Ilirian Zhupa.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Mendimi im për lumturinë e përkryer, më thotë se kjo ide është produkt i një mendjeje të sëmurë, ose produkt i një mendjeje që ka ndaluar të punojë. Ashtu si realizimet e përkryera të njeriut, janë produkt i një çasti për çastin, ose pasojë e verbimit dhe errësirës së thellë, që na kanë shkaktuar në sytë tanë shkrepëtimat e befta të dritave shumë të fuqishme, apo kënaqësitë që kërkojnë ti shohim e t’i shijojmë me sy mbyllur.

Cila është frika juaj më e madhe?

Frika ime më e madhe është se mos vetvetja ime e brendshme, ajo që shkëmben shenja e mesazhe të fshehta vetëm me mua, më le në ëndërr e në gjumë, si një veshje të rëndë e të tepërt në kremastar, që si duhet më për kërkund e kërkënd, mbase as për mua.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Kjo pyetje, nuk mund të ketë një përgjigje përfundimtare, pasi në kohë të ndryshme të jetës sime, kam admiruar njerëz të ndryshëm. Në fillim gjyshen, pastaj atin dhe nënën, më tej shoqen time, tani djemtë dhe më tej mbesat dhe nipërit. Të paktën sa të jem gjallë. Pasi nuk e di cilin do admiroj, kur të mos jem më.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Pa dyshim, Fan Noli! Me raso dhe pa raso, me revolucion dhe me lutje, me fjalë dhe me muzikë!

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Ka shumë gjëra që nuk i pëlqej te vetja ime. Por së pari nuk pëlqej sinqeritetin tim me të gjithë bashkëbiseduesit e mi, pavarësisht se shpesh e di, që në fillim, se një pjesë syresh, këtë sinqeritet do e përdorin kundër meje.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Megallomania! Kur i bëjnë vetvetes monumente e përmendore gjigante dhe harrojnë se po punojnë me baltë e kallamishte.

Në cilat gjëra e teproni?

Dyzetë e pesë vjetë e kam tepëruar me duhanin, tani mbase po e tepëroj me heshtjen.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Të vërtetat që nuk i dëshiron më kush!

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Tashmë nuk i kam më shumë qejf rrugëtimet. Jo se kam udhëtuar shumë, por sepse nuk kam patur mundësi të udhëtoja kur doja dhe duhej. Tani rrugëtimi im i preferuar do të ishte, të mund të kthehesha te vendlindja e të parëve të mi dhe të mund të nisja i vetëm, një rrugëtim të gjatë brenda vetes sime, të bisedoja shtruar me poetin dhe mendimtarin që rriten dhe vdesin brenda meje, të shikoja dhe mësoja së brendshmi ç’janë bukuritë, dashuritë; të arrija të zbuloj brenda vetes jo Amerikën dhe Xhibutin e Botës, por Amerikën dhe Xhibutin tim, Everestin dhe Çikën time, demokracinë dhe diktaturën time, lumin dhe detin tim, piedestalin dhe qimiterin tim.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

Nuk mund të shenjoj një fjalë apo frazë. Këtë mund të ma thonë të tjerët. Por di që në pauzat e të folurës sime ka shumë ë.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Keqardhja dhe pendesa janë dy skaje shumë të largëta, që nuk piqen me njera-tjetrën. Në shoqërinë dhe sistemet ku kemi jetuar e jetojmë, ka shumë gjëra të cilat kemi dashur ti bëjmë ndryshe dhe janë zhvilluar pavarësisht nga ne. Rruga e botimit para viteve 90, për shkak të censurës, ishte si të kaloje ylberin. Ne që “e kaluam” në ato kohë, sigurisht kemi bërë lëshimet tona dhe kemi paguar haraçin tonë. Për librin tim të parë, “Diell mbi kasketë” ndjej shumë keqardhje, por sigurisht nuk jam penduar që e kam botuar.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Sigurisht poezia! Shkrimi dhe leximi. Bashkë me familjen time, gjuhën tim dhe të ngjashmit e mi.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Këtë nuk e di! Unë dhe mendja ime, ende mbajmë dhe nxisim njeri-tjetrin (të paktën kështu besoj unë) dhe raportet na duken të mira e të pranueshme. Ka raste kur zihemi, por fatmirësisht pajtohemi shpejt. Mbase duhet të shkoj te një neurolog a psikolog, që të kem një përgjigje për ju dhe për veten time.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Kjo pyetje është një grackë, për një njeri në moshën time. Por dhe ta pranojmë grackën! Nëse do kisha mundësi të zgjidhja edhe një herë, nuk do e shtroja shpinën asnjë ditë të vetme si nëpunës i shtetit. Kam punuar mbi katër dekada në administratën e tij. Kam dashur ta bëj të marrë fytyrën e ligjit dhe të aspiratave tona. Por ai, ndryshe nga sa e kam dashur unë dhe shumë si unë, kur i jemi dorëzuar, ka marrë fytyrën e politikanit dhe ndjekësve të tij.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Poezinë dhe familjen.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Së pari veten dhe më tej qasjen aspak civile që kemi ne shqiptarët ndaj njeri-tjetrit.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Këtë do e mësoj dhe do ua them mbasi të kem vdekur.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Unë kam bërë dhe vazhdoj të bëj një jetë modeste, me shumë zigzake dhe mungesa. Nuk kam qenë kurrë gjahtar i mirë i pasurive dhe sendeve, sikurse shumë bashkëudhëtarë të mi. Pasuritë më të mëdha që kam janë, familja ime, miqtë e mi, të vdekurit e mi, kujtimet e fëmijërisë dhe biblioteka ime.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Robërinë ose nënështrimin e racës njerëzore ndaj sendeve. Agresivitetin dhe armiqësinë që ngjall te bashkëkohësit tanë zotërimi i sendeve. Jo si kërkesë ekzistenciale, por si filozofi, modë dhe mënyrë jetese. Për këtë kam shkruar dhe një poezi që thotë: “Dhe qenia ime, / As loz as çmendet./ Kanë ikur shpirtrat, kanë ngelur sendet…”.

Ku do të dëshironit të jetonit?

E ku tjetër veçse në visin e fëmijërisë sime. Atje ku zbulohen magjitë e botës dhe të njerëzve. Atje ku harlisen ëndrrat, fantazitë, pasionet dhe dëshirat. Atje ku fluturon dhe nuk zvaritesh, edhe kur ecën këmbadoraz. Në visin ku ende nuk ka lindur e liga, lakmia, stërkëmbëshi, frika.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

S’besoj se kam ndonjë cilësi të veçantë. Veçanërisht në këtë shumësi “të veçantash” që mbipopullojnë qenien njerëzore të ditëve të sotme.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Burrërinë, nëse ajo ekziston ende!

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Sinqeritetin, nëse ai nuk është një amballazh!

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Janë shumë, por i pari dhe i fundit ka qenë, është dhe mbase do mbetet Whalt Witman

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Heronjtë e mi kanë vdekur prej kohësh dhe bashkë me ta dhe një pjesë e rëndësishme e jetës sime.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Talentin e poetit!

Si do të dëshironit të vdisnit?

Në këmbë, siç thotë populli ynë trim dhe heroik…dhe nuk do doja të isha i pranishëm në vdekjen time.

Cila është motoja juaj?

Vazhdoj ta kërkoj, por ende nuk e kam gjetur.

ObserverKult

Lexo edhe:

FADIL HYSAJ: ATA QË I KAM ADMIRU NUK JANË MË GJALLË…