Imer Topanica: E urrej Shpëtim Selmanin

E urrej Shpëtim Selmanin
Sepse poezitë që ia kam lexuar, më kanë bërë të reflektoj
Madje, s’mund të mos e them, i lakmova deri aty
Sa një dëshirë absurde më përlindej pas secilit lexim:
ah, të ishin të miat!
Unë e urrej Shpëtimin
Sepse ai hajvan vetmitar
Ende po ka kurajë t’i japë botës
Diçka për të cilën nuk ka fare nevojë:
Poezinë.
E urrej atë bastard
Sepse është i sinqertë kur thotë: Jam hipokrit i madh përballë lirisë.
E lakmoj, sepse nuk merret me politikë
Nuk ua var mutave si Hashimi, Kadriu a Ramushi
Dhe nuk publikon artikuj të lodhtë portaleve
Pas Populus Illyricus të Mirko Gashit
Ai e ka shkruar poezinë: Më pëlqejnë shqiptarët, që del me qenë
Një formulë e saktë
E vetmja nëpërmjet të cilës mund të zbërthehet mendësia
e këtij mileti
E urrej, jo pse është vulgar
Se fundi i fundit vetë jeta vulgare është
E as për shkak se atë e kanë marrë në qafë disa persona
E mua do të tjerë
Por për indiferencën ndaj zhvillimeve politike
Ndaj modernizmit, postmodernizmit, demokracisë,
çështjes së emigrantëve në Gjermani, liberalizimit, numrit të lartë të divorceve, gylenizmit, majtizmit të përlindur, djathtizmit, mutit, kakës…
Ai është një soj i Christopher McCandless-it
nga filmi Into the Wild
A, për me qenë më preciz, një Lucky prej filmit Lucky
Shkurt, e urrej dhe mendoj se një ditë do të më duhet ta vras
Kështu të paktën, pas këtij akti makabër
Shtypi do të shkruajë për të dy ne
Ndërsa shkarravinat tona
Me gjasë do të lexohen
Të paktën edhe për pak kohë.