Kthimi në atdheun e varfër është vendim që nuk merret lehtë. Është vendim që nuk e bënë çdokush. Por, për Qemal Kamberin, kthimi në Preshevë ishte kthim te rrënjët, kthim te fryma, kthim te shtëpia, kthim te toka e dheu i tij. Ishte kthim te varri në atdhe.
Nga Valon Krasniqi
-“Ishte prej shqiptarëve të rrallë që u kthye nga Belgjika në atdhe për shkollimin e fëmijëve”.
-“Qemali ishte patriot i madh. Vazhdimisht fliste për edukimin e fëmijëve në frymën patriotike. U kthye nga Belgjika në kohën e duhur. Mbi të gjitha ishte njeri”.
-“Ishte patriot, atdhetar dhe fisnik! Vendimi që mori për t’u kthyer bashkë me familjen në vendlindje tregon virtytet dhe atdhedashurinë që kishte”.
-“Ishte bashkëkohor, social(izues) dhe universalist – kishte pasion për jetën (edhe atë publike, kulturore, sportive etj.) duke qenë njëkohësisht tradicionalist dhe konservator kur bëhej fjalë për shqiptarizëm. Një lloj qytetar i botës, por para se gjithash si shqiptar“.
Këto janë disa nga fjalët ngushëlluese që shprehin respektin dhe mirënjohjen ndaj Qemal Kamberi, pasi u nda nga jeta. Njeriut që shquhej për veprime jokonformiste. Njeriut që simbolizon(te) braktisjen e një jete më të begatë në mërgim për atdheun e varfër. Disa e ndërlidhnin këtë veprim me frymëzimin atdhetar trashëguar prej brezash. Stërgjyshi Kamber Aga kishte qenë delegat i Preshevës në Lidhjen e Prizrenit; gjyshi Adem Kamberi, ish-kryetar i Bashkisë së Preshevës i ishte pushkatuar nga partizanët jugosllav dhe axha Nijazi Kamberi – Azi, një luftëtar shqiptar i izoluar për dekada në burgjet më famëkeqe staliniste jugosllave.
Pa baba, me nënën e palëvizshme për tërë jetën, në një qytezë të pazhvilluar dhe në një shoqëri patriarkale, Qemal Kamberi kishte marrë barrën e përkujdesjes ndaj familjes.
Në fillim të viteve ’60 të shekullit të kaluar, kur Beogradi si kryeqytet i Jugosllavisë së atëhershme po ndërtohej dhe modernizohej, ai gjeti punë atje, bashkë edhe me shumë shqiptarë të tjerë. Por, përkundër që ia doli të rehatohej profesionalisht, nuk mundi të qëndronte gjatë. E la Beogradin dhe u kthye në Preshevën e tij ku u martua dhe krijoi familje.
Ishte ky kthimi i tij i parë.
I detyruar nga kushtet financiare, migroi sërish. Motra e tij e madhe, pas disa vitesh gurbeti në Turqi, kishte shkuar me familje në Belgjikë, nga ku e ftoi vëllain Qemalin. Kërkoheshin punëtorë dhe italianët, polakët, turqit, shqiptarët e Jugosllavisë vërshuan Belgjikën që po zhvillohej më të madhe.
Familja fillimisht jetoi në kushte modeste, por shumë shpejt mori veten. Mirëpo, synimi i Qemal Kamberit nuk ishte asnjëherë rritja e profitit financiar. Kishte tjera qëllime. Arsimimin, edukimin dhe emancipimin e mbi gjithash shkollimin e vajzave. Asaj kohe, me një pagë modeste punëtori, Qemal Kamberi shkollonte gjashtë fëmijtë e tij, që shquheshin pa përjashtim në shkollat belge. Ndryshe nga rastet e tjera të zakonshme, Qemal Kamberi merrte kredi bankare për t’ia mundësuar vajzës studimet në universitetet belge dhe botimin e romaneve të saj. Por kjo nuk i mjaftonte. Duhej shqip. Për shqiptarët.
Me punë vullnetare, Qemal Kamberi u bë shpejt inicuesi i hapjes së shkollës shqipe në Namyr, që fëmijtë e mërgimtarëve të ndiqnin orët e gjuhës dhe letërsisë shqipe, me arsimtarë që vinin nga Kosova. Një herë në javë, gjatë fundjavës, shqiptarët e Namyrit mësonin shqip. Lexonin dhe shkruanin shqip.
Me bashkëveprimtarë, Qemal Kamberi organizoi shkëmbime kulturore dhe artistike Namyr-Kosovë-Preshevë. Këngëtarë, valltarë, shkrimtarë dhe shkencëtarë nga Kosova dhe Presheva shkëlqenin kudo në qytetet e ndryshme të Belgjikës. Fëmijët dhe prindërit shqiptarë nga Belgjika vizitonin Kosovën dhe Preshevën.
Për Qemal Kamberi, edhe në Belgjikë, familja e tij do të mbetej gjithmonë e huaj, në dhe të huaj. Siç e përsëriste në biseda familjare, ai kishte ëndërr të kthehej bashkë me familjen në Preshevë dhe Kosovë. Se nuk tundej nga lakmia. Nuk tundej nga materialja.
Që në mundësinë e parë që iu dha, Kamberi i tha jo Belgjikës.
Kur filluan të merrnin paga edhe fëmijët, ai mori valixhet.
Kur filluan vendorët të migronin masivisht në Belgjikë, ai u kthye në Preshevë. Në mëhallën e Kamberëve. Me gjithë familjen e tij. Nga paqja e Belgjikës në luftërat e ish-Jugosllavisë.
Ishte kthimi i tij i dytë.
“Vetëm n’vendin tënd e ke fundin e hajrit”, thoshte Qemal Kamberi, kur e pyesnin për “çmendurinë” e kthimit të tij nga qetësia belge në zjarrin ballkanik.
Bahçja e tij në Preshevë e lumturonte më shumë se Parku i Brukselit. Çarshia e Preshevës më shumë se Knez Mihailova e Beogradit. Sheshi Ibrahim Rugova në Prishtinë më shumë se Place d’Armes në Namyr.
Kthimi në vendlindje e varfër, asaj kohe, ishte vendim që pakkush mund ta merrte. Për Qemal Kamberin, kthimi në Preshevë ishte vendim për të frymuar shqip, për t’u shkolluar shqip, për të mos jetuar dhe vdekur i huaj, në dhe të huaj.
Atdhetar qe gjithë jetën. I përkushtuar që traditat, gjuha dhe historia e familjes dhe e popullit të tij të ruheshin dhe të përcilleshin brez pas brezi. Edhe pse vitet që pasuan kthimin e familjes qenë vite të rënda për shqiptarët, e sidomos për Kosovën, ku shpesh edhe fëmijët e tij ishin në rrezik për shkak të aktiviteteve të tyre profesionale, Qemal Kamberi nuk u zmbraps kurrë nga ideali për t’u plakur dhe për të vdekur në atdhe. As në situatat më të rrezikshme për jetën e familjes, nuk vinte në shprehje ideja për rikthimin në Belgjikën me siguri dhe ekonomi stabile. Jeta dhe vdekja ishin Presheva. Ishte Kosova.
Dija në vend të vet ishte fanatizmi që kultivonte me krenari dhe me maturi Qemal Kamberin, që e bënte edhe shumë modern për atë kohë. Të gjashtë fëmijët e tij përfunduan studimet pasuniversitare në Prishtinë.
Fëmijët dhe nipat e mbesat e tij janë sot profesorë, inxhinierë, gazetarë, sociolog, filolog, dizajnerë, arkitektë, mjekë, zanatlinjë, si dhe personalitete me kredenciale profesionale dhe kredibilitet publik. Në botën dhe tokën ku flitet shqip. Duke kontribuar për një shqiptari pjesë konkurruese të botës së zhvilluar.
Ëndrra nuk ishte më ëndërr. Utopia ishte mposhtur. Qemali Kamberi kishte fituar luftën e tij.
Tanimë mund ta shijonte pensionimin në Preshevën ku lindi dhe u rrit. Me gruan, fëmijët, nipat e mbesat. Me kushërinjtë. Me shokët. Me preshevarët. Me shqiptarët. Në tokën që flet dhe frymon shqip.
Prandaj edhe vdiq lehtë.
Prandaj prehet sot i qetë në dheun e Preshevës. Pranë gruas së tij. Pranë të parëve.
Iku në amshim i realizuar. Shpirti i tij pushon në paqe.
Emri i tij është sot simbol i atyre që vendin e huaj nuk e pranojnë për atdhe.
Kujtimi për Qemal Kamberin është tash e tutje në çdo valixhe të të kthyerve në atdhe.
I jemi falenderues për udhërrëfimin!
ObserverKult