Atdheu është fjalë intime
Atdheu është grumbuj dhe kujtime
përbëra njerëzishëm nga sende e aroma
ësht’ emri me shkronja shtypi te dera, nën zile.
Atdhe është fjalë intime
që ilustron larg e larg dëshirën për mbiemër
për sua e farë, e fëmijë, shumë fëmijë,
familje,
Atdhe do të thotë shpërfillje
për kujtesën afatshkurtër të seksit kryer
ditën,
në këmbë,
Atdhe ësht’ dora e nënës
mbi varrin e gjyshes sime.
Dora mbillte mana, shegë e përralla.
Ish grua e bukur gjyshja, e donin burrat.
Kështu, ma dha babën, lexo: AtDheun.
Një mëngjes,
hapa hartën si gazetën
në faqen e fundit për të parë fatin.
U përhap i gjithi si njollë në të
u hapën linjat e turbullta të kufijve si geto
grash dhe mendova
sa mirë është kur nuk je vetëm,
sa mirë është kur ke Atdhe.
Atdhe prej vërteti siç e ka gjithë bota
rreshta kufijsh, flamujsh e stemash.
T’u kthesh kujtimeve emra
e t’u japësh kuptimeve vend në tru
me gulçimin lokal të bonjakëve
(fjala bie: njerëz)
të mbledhur rreth Flamurit,
më saktë,
hushtës
si veshkat rreth shtyllës
e të tjerë q’i mësojnë t’i vënë numrin
bluzës
a fanellës në ngjyrën e legjendës
me yje vezullues, pa kllapa pa thonjza
e portierë policorë që ndrijnë kufinë.
Që ta dinë,
shteti im i varfër rrethohet me Greqinë
Maqedoninë,
në kohë të lirë me veten e tij.
Këtu (përkthejmë një shigjetë në cep të hartës)
është Atdheu im, i atit, i dheut.
Në hartën memece ka ngjyra shtetesh:
Racizëm i përmbajtur
pa fasada pushtetesh.
Atdhenë e dallon nga tjerët veç ngjyra.
Ngjyra e negrit, e djersës, me tollona dhjami
e atij që punon tokën e huaj me parmendë
kangjellash e direkësh nga ku varen shpresat
si shpezët e nëntëdhjetë e shtatës
e njerëzit,
njerëzit ulërijnë si detaje nga telajo e hartës
ulërin Atdheu i kujtimeve
nga dhomat e ftohta të paraburgimeve
nga fry’marrjet e ankthit të solistëve, rrethimeve
të rrugëve të pista të ngushta me plagë.
Unë kam Atdhe kujtimet,
ku rrek të fus vetvetet si në ndonjë shportë
në hartën memece.
Atdheu im pafajshëm i kuq, si Kësulkuqe
të cilin e udhëtoj pa dëshirë drejt ujkut a gjyshes
nën gji përmbi xhaketë,
si Bibël bullet-proof.
Atdheu është kopja e karbonit për bukën.
Korja e saj në dorë, bërë me marmaladë sh’pie.
Është vargu i gjatë i korbave në tel
i hidhur si ata dhe i zi, duke pritur vizë për përtej.
Dyer automatike është Atdheu
kujtime stinore që i hapin kahjet e kraharorit
në anë të kundërta, dhe dhembin
dhembin pa zhurmë, vetëm vaj vaj vaj
i hidhur si benzinë dhe avuj,
kujtime që të lidhin me këtë tokë të panjohur
është pikërisht ai, Atdheu.
Atdheu i rruazave të kuqe si tabela ndalim
parkimi
parullash të mpiksura – trombozë shtetit!
Atdheu është grumbuj dhe kujtime
përbëra njerëzishëm nga sende e aroma
ësht’ emri me shkronja shtypi te dera, nën zile.
Atdhe është fjalë intime.